Formulari ku garantohet vota e fisit dhe lagjes për Partinë Demokratike

Postuar në 13 Qershor, 2013 15:40

Administrata shtetërore kurrë nuk ka qenë në një presion kaq të madh sa në këto zgjedhje parlamentare.

Duket se PD kërkon të qëndrojë në pushtet me çdo çmim.

Tashmë që nga zgjedhjet e 23 qershorit na ndajnë dhe 10 ditë,  pothuajse në të gjitha nivelet e administratës shtetërore po shpërndahen formularë, në të cilët duhet të garantohet jo vetëm vota personale, por dhe ajo e familjes, fisit apo dhe rrethit shoqëror.

Formularët tip, që çdo punonjës i administratës është i detyruar ta plotësojë me gjeneralitete të sakta si dhe adresën dhe qendrën e votimit, janë shpërndarë në ditët e para të kësaj jave.

Përveç garantimit të votës, nëpunësi është i detyruar të thotë se ai merr përsipër të garantojë edhe votën për Partinë Demokratike të familjes dhe fisit.

Po në të njëjtin formular të shpërndarë, nëpunësi duhet të  plotësojë të dhënat e atyre personave që kanë premtuar votën për partinë në pushtet.

Në fakt prej kohësh opozita ka ngritur shqetësimin e presionit që po ushtrohet ndaj administratës për të votuar për partinë në pushtet. Duket se rastet e njëpasnjëshme dhe skandaloze kanë detyruar edhe liderin e opozitës, Edi Rama, të deklarojë se pas 23 qershorit do të ketë hetime për çdo zyrtar të lartë që ushtron terror mbi punonjësit e administratës.

Më herët në media u bë publike një tjetër formular i ngjashëm.   Një e-mail i nisur nga Ermira Mustafaj në Ministrinë e Ekonomisë, u bën thirrje punonjësve të administratës së njësisë bashkiake nr.5 të plotësojnë formularin me emrat e votuesve të sigurt.

Kryeministri e quajti rastin një punë të rëndomtë organizative të partisë për zgjedhjet e 23 qershorit.

Për presionin e ushtruar gjatë kësaj fushate elektorale ka  reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës./l.ç

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.