Në prag të zgjedhjeve,rriten pagat dhe pensionet, 44 mln USD për të pushkatuarit pa gjyq

Postuar në 14 Qershor, 2013 06:20

Bash në orën kur kryetari i PS, Edi Rama ka nisur shpalosjen e programit në TV Klan, kryeministri Sali Berisha ka mbledhur qeverinë dhe ka shpallur vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve. Vendimi u vlerësua si më i rëndësishmi në 44 projekte, një numër jo krejt rastësor.

Rritja e pagave dhe pensioneve

Qeveria ka miratuar në parim rritjen e pagave dhe të pensioneve që do të shtrijnë efektet në 840 mijë familje shqiptare. “Qeveria është e vendosur të rrisë dy herë më shumë se inflacioni pagat e ulëta”, – tha Kryeministri. Ai sqaroi se pagat e larta do të kenë rritje 0%, ndërsa të mesmet dhe të ulëtat, nga 4-6 për qind. Mirëpo kjo rritje, sipas kreut të qeverisë nuk do të mund të hyjë në fuqi para zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit. Kryeministri tha se për të bërë të plotë këtë vendim do të duhet të mblidhet Parlamenti. Mirëpo Kuvendi e ka të pamundur të aktivizohet para zgjedhjeve, kështu që vendimi nuk ka mundësi të hyjë në fuqi shpejt. Por Kryeministri ka garantuar se në javën e parë të funksionimit të tij parlamenti i ri do të mund të miratojë rritjen e pagave dhe pensioneve. “Edhe po të mundësohej ky miratim, do të ishte e pamoralshme që rrogat dhe pensionet të hynin në fuqi 10 ditë para zgjedhjeve”, – shtoi kreu i qeverisë. Mirëpo duke iu referuar praktikave të viteve të kaluara, rritja e pagave nuk kalon sërish në Kuvend, pasi kjo politikë është e miratuar njëherë dhe është përcaktuar si e tillë në ligjin e buxhetit të shtetit 2013. Rritja e pagave dhe pensioneve aplikohet me VKM dhe jo me ligj të veçantë.

Buxheti

Sipas parashikimeve në buxhetin e vitit 2013, rritja e pagave këtë vit hyn në fuqi më 15 korrik dhe jo më 1 korrik. Kjo datë është përcaktuar si e tillë nga Ministria e Financave në ligjin e buxhetit. Parlamenti ka miratuar gjatë dhjetorit 2013 rritjen e diferencuar të pagave sipas sektorëve të ndryshëm në masën 2-5% (në arsim dhe shëndetësi kjo rritje parashikohet në nivelet 3-4%). Ministria e Financave ka programuar rritje të diferencuar të pensioneve, 4% për qytetin dhe 5% për fshatin. Duke iu referuar analizave të Bankës së Shqipërisë dhe parashikimeve të saj për inflacionin, në vitin 2013 pritet që ecuria mesatare e çmimeve të jetë në intervalin e poshtëm të objektivit të BSH, pra të luhatet në intervalin 2-3%. Ndërkohë që zhvillimet e para ekonomike të këtij viti flasin për grumbullim të të ardhurave poshtë parashikimeve buxhetore. Vetëm për tremujorin e parë të vitit arkës së shtetit i mungojnë më shumë se 30 milionë euro nga të ardhurat e programuara. Nga ana tjetër, në këtë kohë krize qeveria është e detyruar të mbajë deficitin buxhetor nën kontroll, çka do të thotë se për të arritur këtë objektiv duhet të shkurtojë edhe disa shpenzime në pjesën e mbetur të vitit. Por këtë vit qeveria duket se është ndihmuar nga arkëtimi i rreth 110 milionë eurove nga shitja e katër HEC-eve.

 

Rritja e pagave dhe pensioneve

 

 

Pagat e larta                0%

Pagat e mesme            4%

Pagat e ulëta                6%

 

 

Pensionet në fshat       4%

Pensionet në qytet       5%

 

Në fshat

Janë  8 731      bëhen  9123 lekë

 

Në qytet

Janë  23 623 lekë         bëhen  24 547

 

 

 

Pensionet, 4 % për qytetin, 5% për fshatin

 

Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, pensionet e fshatit rriten me 4 për qind dhe ato të qytetit, 5 për qind. Pensioni maksimal për qytetin, shtuar këtu subvencionet, sot është 23 623 lekë dhe me shtesën prej 4 për qind të parashikuar pritet të shkojë në 24 547. Ky nivel pensioni ka të përfshirë edhe subvencionet që qeveria parashikon këtu për energjinë. Rritja prej 5 për qind pritet që të bëhet për pensionet e fshatit. Aktualisht pensioni bazë në fshat është 7841 lekë dhe, shtuar këtu dhe subvencionet që kapin vlerën 890 lekë, shkon 8 731 lekë. Nga 15 korriku, pensioni në fshat pa subvencionet llogaritet të shkojë 8233 lekë dhe, shtuar këtu dhe subvencionin, në total shkon 9123 lekë.  Rritje me 4 për qind do të kenë edhe kategori të tjera.

 

 

Miratohet rimbursimi “cash” i TVSH për bujqësinë

 

Qeveria gjithashtu vendosi privatizimin e një numri të madh banesash në favor të qytetarëve shqiptarë. “Kjo është një politikë e drejtë, që i jep zgjidhje përfundimtare strehimit të qindra familjeve në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe kudo”, tha Kryeministri. Ai bëri me dije se qeveria do të rimbursojë me para në dorë TVSH-në për të gjitha makineritë që fermerët shqiptarë blejnë në dyqanet e vendit. “Kjo erdhi si rezultat i kërkesës së tyre. Ky vendim plotëson përfundimisht paketën e reformave të thella që ne bëmë për të mbështetur fermerët e vendit”, theksoi Berisha.

 

 

 

Qeveria dëmshpërblen me 44 milionë USD 1040 të pushkatuar pa gjyq

 

 

Qeveria ka miratuar mbrëmë shpërblimin e 1040 të ish të pushkatuarve pa gjyq në kohën e komunizmit, kundrejt një vlerë prej 44 milionë dollarësh. Pas disa vendimeve të qeverisë, korrigjimeve dhe verifikimeve të shumta, Ministria e Drejtësisë ka kualifikuar për dëmshpërblim dosjet e të pushkatuarve pa gjyq. Këtë javë qeveria pritet të miratojë listën dhe më pas Ministria e Financave do të nisë shpërndarjen e parave sipas një grafiku të caktuar që do të njoftohet në vijim. Familjarët e viktimave të pushkatuara pa gjyq për motive politike, për vuajtjen dhe persekucionin, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabarte gjithsej në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim. Kompensimi financiar kryhet në bazë të përllogaritjes, sipas së cilës, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg dëmshpërblimi financiar është në masën 2000 (dy mijë lekë) në ditë, theksohet në vendimin e mëparshëm që qeveria ka miratuar. Po kështu aty shtohet se, nga shuma që çdo person i ekzekutuar pa gjyq për motive politike përfiton nga ky vendim, zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme. Masën e dëmshpërblimit e përfitojnë vetëm kërkesat e ardhura nga familjarët për motive politike gjatë periudhës 30.11.1944 deri 1.10.1991. Ka disa raste, ku të burgosur apo të pushkatuar nuk kanë vendimin e gjyqit, sidomos ata që kanë vendime nga gjykata e Shkodrës dhe ajo e Beratit, sepse nga rrëmujat e vitit 1997 ato janë djegur,  ndaj dhe trashëgimtarët e tyre nuk gjejnë dokumentacionin. Për të zgjidhur këtë situatë, Ministria e Drejtësisë, bazuar në VKM, njeh si dokument të vlefshëm vendimin e Komisionit trepalësh, dukë i bërë dosjet me dokumentacion të zhdukur, të kualifikueshme. Ministria e Financave nga ana tjetër po shpërndan çdo javë fondet për këstin e parë dhe të dytë ndaj ish të përndjekurve politikë që janë gjallë. Fondi i vënë në dispozicion këtë vit për këtë shtresë është 3 miliardë lekë ose 30 milionë USD më shumë se dyfishi i shumës së vitit 2012. Ministri i Financave, Ridvan Bode ka pohuar më parë se i gjithë procesi i kompensimit për ish të përndjekurit nuk përfundon para vitit 2018. Familjarët e viktimave të pushkatuara pa gjyq për motive politike, përfitojnë një dëmshpërblim financiar të barabartë gjithsej në masën e 8 viteve kompensim dënimi me burgim.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.