PS çon në prokurori Gazmend Dibrën: Bleu votat me pako ushqimesh

Postuar në 14 Qershor, 2013 14:42

Partia Socialiste ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj Drejtorit të Burgjeve, Gazmend Dibra, për veprën penale të “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, parashikuar në nenin 328 i Kodit Penal.

Padia është depozituar nga Sajmir Tahiri, kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës, i cili referuar disa filmimeve të shfaqura në media, bën me dije se nga ana e shtetasit Gazmend Dibra por edhe personave të tjerë të paindentifikuar nga ana e tyre, janë kryer veprime të cilat parashikohen nga ana e Kodit Penal dhe konkretisht nga neni 328 i tij si vepër penale.

“Referuar filmimeve të bëra nga gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare”, shfaqur për publikun në datë 11.06.2013, rezulton se nga ana e shtetasit Gazmend Dibra, por edhe personave të tjerë të paidentifikuar nga ana jonë në këtë moment, janë kryer veprime, të cilat parashikohen nga ana e Kodit Penal dhe konkretisht nga neni 328 i tij si vepër penale.

Konkretisht nëpërmjet këtyre filmimeve (bashkëlidhur këtij kallëzimi penal) vihet re në mënyrë të qartë fakti se në një njësi tregtare në rrugën “Myslym Shyri”, shpërndaheshin pako me ushqime për qytetarë/votues në Tiranë, duke ju kërkuar në këmbim të marrjes së pakove edhe votimin për subjektin zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë”. Shpërndarja e këtyre pakove bëhej në njësi tregtare, që nuk ka asnjë lloj lidhje me tregtimin e produkteve ushqimore, por që kishte si objekt të veprimtarisë së saj shitjen e bojërave. Fakti që, nga ana e kësaj njësie tregtare kryhej veprimtari e paligjshme e karakterit penal, provohet në mënyrë të paekuivok nga deklarimi që bëjnë dy shtetas në këtë emision, duke zbërthyer gjithë skemën që përdoret për të blerë votën e këtyre dy qytetarëve, por edhe të tjerëve që ishin përfitues të pakove ushqimore.

Përfshirja e drejtpërdrejtë e kandidatit të kallëzuar, provohet fare mirë nga filmimet e bëra nga ana e operatorëve të emisionit “Fiks Fare” nëpërmjet prezencës së tij në këtë njësi tregtare dhe komunikimit me organizatoret (në fakt krijohet dyshimi i arsyeshëm që organizimi mund të jetë bërë edhe nga i kallëzuari) e kësaj veprimtarie të paligjshme”, thuhet në kallëzimin e PS.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.