Berisha kthehet në vendlindje pas 4 vjetësh: Tropoja ka ndryshuar

Postuar në 15 Qershor, 2013 06:32

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim elektoral në Tropojë, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit. Kjo është vizita e tij e parë pas katër vjetësh në vendlindjen e tij. 

Berisha u kërkoi të pranishmeve që ta mbështesin në zgjedhjet e 23 qershorit. “Me nderimin dhe krenarinë time për secilin prej jush, me vlerat, virtytet tuaja, mirënjohjen, për mbështetjen e pakufishme urimin më të përzemërt për fitoren e madhe të 23 qershorit", tha Berisha.

Më tej ai nënvizoi se Tropoja ka ndryshuar shumë vitet e fundit, duke folur më pas për ato që i cilësoi si arritjet e qeverisë së tij. 

“Kemi ndryshuar Shqipërinë me lumenj djerse, me përkushtim të madh Tropoja dhe Shqipëria kanë sot një pamje krejtësisht tjetër, ka shpresë dhe besim tek e ardhmja. Së bashku kemi bërë gjithçka, që pasuritë e

Tropojës dhe të Shqipërisë të shndërrohen në të mira për ju, në rroga, në mirëqenie për ju. Janë asfaltuar rrugë në të katër anët e rrethit të Tropojës, janë rindërtuar  shumica e shkollave. Vajzat dhe djemtë tuaj, nuk përjashtohen nga e drejta për të vazhduar universitetin, por i kanë dyert e hapura. 

Kemi dyfishuar pensionet në fshatra të Tropojës dhe Shqipërisë. Kemi rritur me 140% rrogat e arsimtarëve, kemi rritur fuqinë blerëse, kemi rritur mirëqenien në mbarë Shqipërinë. U anëtarësuam në NATO, liberalizimin e vizave, do marrim statusin e vendit kandidat", tha kryeministri

Me tej, kreu i qeverisë vijoi sulmet  në drejtim të kryetarit të opozitës, Edi Rama. Shefi i qeverisë akuzoi liderin e PS-së për mashtrime e dështime si në rrafshin profesional, ashtu edhe në jetën private. 

“Më 23 qershor përballen jo vetëm dy alternativa por dhe dy modele. Modeli i Sali Berishës, që bazohet në djersën e ballit, në punën me nder. 

Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në vokacionin, në ëndrrën tonë europiane që bën gjithçka që ne të arrijmë sa më shpejt stacionin më të shkëlqyer të të ardhmes tonë, BE-së. Modeli juaj dhe i Sali Berishës, që beson tek familja, vlerat e shenjta të saj, beson tek Shqipëria dhe e ardhmja.

Modeli tjetër është ai i Edi Ramës, njeriu që nuk ka lënë fjalë të ndyrë pa hedhur mbi vendin e tij dhe Shqipërinë, por dhe mbi socialistët që sot vetë i drejton. 

Modeli i Edi Ramës është modeli i përçmimit, gjer në urrejtje ndaj çdo kundërshtari, njeriu që sulmon me brutalitet dhe fizik cilindo që i kundërshton mendimet e tij të zeza.

Modeli i Ramës është modeli për të cilin familja është treg. Martohet dhe ndahet sa herë kërkon të fitojë më shumë vota në zgjedhjet e radhës që i humbet gjithnjë”, u shpreh kryeministri.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.