Andi Bushati: Historia e filmimeve të arrestimit të Berishës dhe pse vendosa t’i transmetoj

Andi Bushati, drejtues i emisionit “Zonë e Ndaluar” në Vizion Plus, tregon në një intervistë për kryeredaktorin e DITA, Adrian Thano historinë e zhdukjes dhe rigjetjes së filmimeve të arrestimit të Sali Berishës më 29 nëntor 2000. Pamjet transmetohen sot në mbrëmje në orën 22.00 në Vizion Plus si pjesë e një dokumentari për karrierën politike gjysëmshekullore të Sali Berishës, që nga dita që hyri në politikë në vitin 1968 e deri më sot. Në dokumentar parakalojnë të gjitha momentet kyçe të karrierës së Berishës, një pjesë e të cilave të filmuara nga televizione të huaja: dita kur mori teserën e PPSH-së, kur bëri thirrjen pro Ramiz Alisë në dhjetor 1990, zgjedhjet e vitit 1996, rënia e piramidave, largimi nga presidenca rikthimi i tij i bujshëm më 2005, ngjarjet e Gërdecit dhe ato të 21 janarit.
Bushati, mësuam se në emisionin tuaj “Zonë e Ndaluar” do transmetohen sot në mbrëmje në ora 22 ndër të tjera dhe pamjet ekskluzive të arrestimit të Berishës në vitin 2000. Mund ta ndani me lexuesin, si ju ranë në duar këto pamje? Ka qenë i vështirë sigurimi i tyre?
Po është e vërtetë. Kanë një histori të veçantë këto pamje. I kisha parë vetëm njëherë në TV Klan menjëherë pas ndodhisë së arrestimit të Berishës. Pastaj dikush i zhduku ato filmime dhe nuk ekzistonin më. Nuk janë në asnjë arkiv televizioni. Ato janë pamje të një kamere gati amatore policie. Atëherë ndoshta qeveria e kryeministrit Meta, ishte ai që e urdhëroi këtë arrestim klandestin, ka pasur disa dilema. Disa njerëz pranë tij thoshin se pamjet nuk duhet të shfaqeshin se ato dëmtonin imazhin e një qeverie demokratike. Të mos harrojmë atëherë Ilir Meta kish hedhur shumë hapa në këtë rrugë. Nga ana tjetër ishin të tjerët që pretendonin se ky moment, që të majtët e konsideronin si thyerje hundësh për Berishën, trajtimin e tij si një keqbërës ordiner, duhej shfaqur në ekran.
Dhe kush opsion fitoi?
Fitoi i pari. Të trembur nga reagimi, ata që kishin bërë arrestimin vendosën për mos publikimin e pamjeve që tregojnë sesi Berisha ndalohet në rrugë, i nxirren forcërisht kryeshoqëruesi dhe shoferi nga makina, dhe vendin e tyre e zënë njerëz të armatosur me maska. Por, pasi vendosën që këto pamje mos bëheshin publike, poseduesit e tyre bënë edhe një lojë tjetër, ata i zhduken nga arkivat e TV-ve. Ndaj prej kohësh më ka intriguar historia e këtyre dhjetë minutave pamjeve të avulluara. I kërkova shumë edhe kur Meta me Berishën hynë në koalicion së bashku por më kot, të gjithë ata që mi premtonin vinin e më thoshin më pas: Aaaaa më fal, më ka humbur.
Jemi një jave para zgjedhjeve. Ju pse e përfshitë këtë moment në dokumentarin tuaj për karrierën e Berishës?
Sepse është një moment tejet sinjifikativ. Të mos harrojmë, Berisha vetë është njeri që ka zgjedhur gjithnjë rrugën e forcës. Dërgoi ushtrinë në ‘97 për mbytur protestat në jug të vendit. Mori kryeministrinë dhe TVSH-në me armë në shtator të 1998. Është e njohur batuta e tij e asaj kohe: e marr Tiranën me demokratët e Laçit dhe Mamurrasit. Edhe pas këtyre organizoi revoltë në Tropojë. Dhe prandaj ish- kryeministri Meta, bëri atë akt, gjysëm banditesk, për ta çuar forcërisht në polici. Po çuditërisht, dhe kjo është një pikë për t’u analizuar, që pas kësaj dite Berisha u bë më i butë dhe më paqësor…
TEMA
Add new comment