Nis punimet By-Passi i Fierit, Berisha: Ta lëmë Ramën në autobus

FIER Ndërtimi i By-Pass të Fierit startoi dje. Autostrada do të ketë një gjatësi prej 22 km, gjerësia e rrugës është parashikuar të jetë 22 m, me 4 korsi, 3 ura me gjatësi 80 m si dhe 21 nënkalime. Projekti i tipit autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit është pjesë e një korridori të rëndësishëm nga Lushnja në Vlorë. I pranishëm në fillimin e punimeve ishte dje edhe kryeministri Sali Berisha. “…Katër vitet e ardhshme ritmet e zhvillimit do të jenë shumë më të mëdha. Kjo është alternativa jonë e infrastrukturës moderne, e rrugëve të sigurta dhe shpejtësive të mëdha, e shkollave të reja, e fermave moderne, e furnizimit me ujë 24 orë, e fuqizimit të biznesit, fuqizimit të fermave, trefishimit të investimeve në bujqësi”, – tha dje Berisha gjatë fjalës së mbajtur. Ai ftoi demokratë e socialistë dhe të paparti që të bashkohen me alternativën e mazhorancës. “Së bashku anëtarësuam Shqipërinë në NATO, së bashku hoqëm vizat, së bashku do të marrim statusin e vendit kandidat, qindra milionë euro investime, do të liberalizojmë vizat me vendin e madh të lirisë, SHBA-në. Le ta lëmë Koçon me pasagjerin e tij Edi Ramën në autobus, ne të ecim përpara, përpara, përpara”, – tha ai.
MAPO
Add new comment