Arvizu: Po ushtrohet presion ndaj zgjedhësve

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu pohon se në Shqipëri po ushtrohet presion ndaj zgjedhësve për të detyruar ata që të votojnë për një subjekt të caktuar zgjedhor. Gjatë një bashkëbisedimi online nëpërmjet faqes në Facebook të ambasadës me qytetarët, ambasadori amerikan u shpreh se ka dijeni që po ushtrohet presion ndaj votuesve. Por Arvizu mendon se votuesit kanë fuqi të kapërcejnë çdo kanosje, pavarësisht kahut politik nga vjen dhe të mund të zgjedhë. “Unë nuk e vë në dyshim në asnjë moment që po ushtrohet presion ndaj votuesve dhe nuk e kam fjalën vetëm për njërën palë. Por skemat e atyre që ushtrojnë presion do të kenë sukses vetëm nëse ia dalin që të kanosin votuesit individualë. Pra ju, votuesit, keni fuqinë për të kapërcyer këtë kanosje, pavarësisht kahut nga i cili vjen. Zgjedhja është e juaja”, u shpreh Arvizu. Cilat janë pritshmëritë tuaja dhe kush mendoni se do fitojë zgjedhjet? Ishte një tjetër pyetje. “Presim që procesi zgjedhor, vetë votimi, nxjerrja e rezultateve, të jetë konsekuent me standardet e një vendi anëtar të NATO-s dhe gjithashtu të një vendi që aspiron të bëhet vend anëtar i BE-së”, – nënvizoi Arvizu. Aleksandër Arvizu u pyet edhe nëse këto zgjedhje do të prodhojnë një rotacion të pushtetit. “Nëse vota është e lirë dhe e drejtë, siç duhet të jetë, atëherë votuesit do të jenë ata që do të vendosin nëse, dhe kur duhet të ndodhë rotacioni”, – u përgjigj ai. Nga ana tjetër, ai theksoi se nuk është asnjëherë vonë që KQZ të rikonstituohet dhe të funksionojë në këto zgjedhje si e plotë. “Kemi adresuar çështjet e KQZ-së në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është e tepërt të themi se ne besojmë fort që duhet të konstituohet plotësisht. Që kjo të ndodhë, duhet që të dyja palët të bien dakord. Nuk është asnjëherë shumë vonë”, – tha Arvizu, ndërsa theksoi se zgjedhjet duhet të jenë me standardet e kërkuara. Ai vetë të dielën do të vëzhgojë zgjedhjet në Tiranë, në krye të një grupi vëzhguesish amerikan.
MAPO
Add new comment