Durrës, Rama: Rilindjen do ta nisim nga amfiteatri

Kreu i PS-së, Edi Rama, zhvilloi edhe takimin elektoral në Durrës, i cili ishte përmbyllës për këtë qark. Në fjalën e tij, kreu i PS-së, e vlerësoi pjesëmarrjen e madhe dhe entuziaste të durrsakëve në këtë takim, duke thënë se katragjyshin dhe partinë e tij, tashmë i ka marrë lumi.
“Kur durrsakët dalin kështu det në shesh domethënë shumë thjesht, që ka katragjyshin e ka marrë lumi me gjithë partinë e tij familjare dhe pushtetin e tij të marrë fund”, tha Rama. Ai u foli durrsakëve me një ndjenjë të veçantë, duke kujtuar se edhe vetë i ka rrënjët nga qyteti bregdetar.
"Të dashur bashkëqytetarë, që siç e dini fort mirë, një pjesë të rrënjëve të mia i kam në këtë qytet të bekuar. Ku romakët ndërtuan amfiteatrin e tyre më të madh jashtë Romës, ku për turpin e tyre e
kanë lënë një gërmadhë nga ku do fillojmë Rilindjen e Durrësit. Durrësi është porta më e madhe e Shqipërisë në Mesdhe", u shpreh Rama
Durrësi, kantieri i Rilindjes
Rama u premtoi durrsakëve se Durrësi do të jetë kantieri më i madh i rilindjes, duke ia dedikuar këtij qyteti fjalimin më të gjatë për këtë fushatë elektorale.
"Ne do ndërtojmë kantierin më të madh të Rilindjes në Durrës. Ky është fjali imi më i gjatë në gjithë këtë fushatë. Por kjo është pamja më e mrekullueshme e gjithë kësaj fushate.
Sot si asnjëherë më parë unë ndihem në shtëpinë time këtu në Durrës. Janë duart e socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, që me programin e Rilindjes do t’i kthejnë Durrësit pamjen e tij.
Janë duart, që me programin për Rilindjen do të shërojnë një e nga një të gjitha plagët e këtij qyteti. Durrësi e ka zgjedhur kryebashkiakun Vangjush Dako, por në 23 qershor do të votojnë edhe shërbëtorët e tij në parlament.
Do të investohet në 4 vite aq sa nuk është bërë deri më tani për këtë qytet”, tha kryesocialisti. Më tej ai premtoi legalizim falas të shtëpive, nëse PS-ja qeveris vendin pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Flas për të gjithë ata që kanë ardhur nga zona të varfra dhe të ftohta për të gjetur një mundësi më të mirë jetesë. Ata kanë gjetur një emër për Kënetën, e quajnë Durrësi i ri, e kështu do ta quajmë kur të kemi mbaruar procesin e legalizimeve falas për të gjithë ato familje”, tha Rama.
SHEKULLI
Add new comment