Rama: Problemet me LSI? Secila parti në garë për të marrë më shumë vota

Postuar në 19 Qershor, 2013 04:06

Kryetari i opozitës, Edi Rama nuk i trembet një 8 maji të dytë, për zgjedhjet që janë në prag. “Populli do të vendosë qartësisht, sa s’do të jetë e mundur as për Lefterijen dhe as për Kolegjin të ndryshojnë rezultatin”, – tha ai mbrëmë në emisionin “Ilva Tare Tonight” në Ora News. Kreu socialist parashikon se koalicioni i majtë do t’i ketë mandatet për të qeverisur normalisht, edhe pse sipas Ramës, rezultati nuk do të jetë aq i thellë sa ç’do duhej, për shkak të manovrave. Sigurinë për fitoren, Rama ua atribuoi sondazheve të PS, por edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që sipas tij ka një ekip me njerëz shumë të njohur për sondazhet. I pyetur për ndarjen e pushtetit me LSI-në, Rama tha se qeverisja nuk do të ndahet as me përqindje dhe as me sinore. Duke iu referuar deklaratave të bujshme të kandidatëve të LSI-së, Rama pranoi dje se koalicioni i majtë ka probleme. “Ka probleme të kolaudimit të koalicionit, probleme të individëve të caktuar apo edhe taktika fushate në zona të caktuara. Por kjo është një garë dhe secila nga partitë po përpiqet që të marrë sa më shumë vota, vota të cilat më pas do të jenë brenda koalicionit”,-tha kryetari i PS. Ai i dredhoi pyetjes nëse do të përfshinte në qeverisje edhe Bamir Topin, nëse ky do të merrte një numër të caktuar votash. “Nuk i përgjigjem pyetjeve me nëse” – tha Rama, i cili sqaroi më tej edhe qëndrimin e tij për institucionet e pavarura. Ai shprehu bindjen se këto institucione nuk duhet të drejtohen nga opozita, por nga njerëz të pavarur. I pyetur disa herë nëse do ta njihte rezultatin e zgjedhjeve, Rama tha se nuk ka asnjë shqetësim rreth tij, duke shprehur megjithatë bindjen për fitore. Sa i përket së ardhmes, Rama ka premtuar se nëse bëhet kryeministër, do të nisë një proces publik për të gjithë personat që kanë ushtruar presion gjatë fushatës, si dhe do të anulojë planin e ri urbanistik të Tiranës. Ai premtoi transparencë në qeverisje dhe se të gjitha shpenzimet do të jenë online, megjithatë nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve se sa emigrantë do të mobilizohen nga PS për të votuar më 23 qershor dhe kush do t’i paguajë shpenzimet e tyre. Gjatë intervistës për Ilva Taren, Rama ka vlerësuar opozitarizmin e Erion Braçes, investigimet e të cilit janë bazuar në dokumentet zyrtare të qeverisë, që sipas tij nuk bën transparencë. “Erjon Braçe, një ndër protagonistët e mëdhenj të këtyre viteve, me studimin e letrave zyrtare ka bërë investigim”, – tha ai, i cili shtoi se me të në qeveri të gjitha shpenzimet do të jenë transparente. Sa i përket koncesioneve apo pasurive, Rama tha se do të ngrihet një komision parlamentar për të bërë transparencën. “Nuk do të anulojmë asgjë. Kemi folur për transparencë dhe rishikim të pasurive, ku dyshohet se janë vjedhur pasuritë. Ne do të respektojmë një më një kontratat”,- tha ai. Kryetari i opozitës përsëriti se nuk do të ketë taksë progresive për bizneset, por vetëm për të ardhurat personale, ndërsa shtoi se paratë për realizimin e projektit të “Rilindjes” do t’i gjejë tek miradministrimi i shtetit dhe i pasurive publike. Rama ka hedhur poshtë si spekulime akuzat e Berishës se ai i ka quajtur shqiptarët shpellarë. Nëse ka një shpellar në Shqipëri, ai është politikani Sali Berisha. Po flas për këtë mendësi shpelle dhe shpifjeje, e bazuar tek metodat e vjetra e ku ai luan si dikur me luftën e klasave”, – tha Rama. Ndërkohë që komentoi edhe lajmet se ai ka paguar para për foton me Obamën, duke i quajtur ato turpe. “Është një turp i madh që thuhen gjëra të tilla, jo se bëhet fjalë për mua, por për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku të gjitha donacionet kalojnë në filtra”,- tha Rama.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.