Moisiu: Berisha shtet tribal. E drejton me telefon

Në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, ish –Presidenti i Republikës, Alfred Mosiu, shprehet se vendit i duhet rotacioni. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ish-kreu i shtetit i cili është zgjedhur me konsensusin e të gjitha palëve, thekson se rotacioni duhet, jo thjesht për të ikur njëri dhe të vijë tjetri, por për të ndërtuar shtet. Sipas tij, sot për sot shqiptarët nuk kanë shtet ligjor, por një shtet tribal.
Kur na ndajnë vetëm 4 ditë nga data e zgjedhjeve, si e shikoni klimën aktuale të zgjedhjeve?
Klima në përgjithësi nuk duket keq, në ra-port me zgjedhjet e kaluara, paraqitet më e mirë. Megjithatë ditët e fundit ndonjëherë krijohen edhe probleme që nuk ta merr mendja. Por ajo më shqetësuesja është çështja e KQZ-së. KQZ-ja mbeti me 4 anëtarë dhe me sa duket kështu do të vazhdojë, të paktën deri në 23 qershor, më vonë nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Kjo KQZ, me këtë përbërje nuk është në gjendje që të marrë vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar. Deri tani disa vendime i ka arnuar si ka mundur, por kur të vijë puna për certifikimin e zgjedhjeve, atë nuk e bën dot.
Varianti që çertifikimi i zgjedhjeve t’i dërgohet gjykatës nuk shkon, është i kundërligjshëm, pasi gjykata nuk mund ta kryejë atë. Fillimisht çertifikimi duhet të shqyrtohet nga ana e institucioneve administrative, siç është KQZ-ja dhe pastaj, nëse ka kundërshti, atëherë kërkesa mund t’i shkojë gjykatës. Kurse këtu, kjo KQZ s’ka çfarë të diskutojë, as të vendosë , sepse këtë kompetencë nuk ia jep Kodi, rrjedhimisht mendohet që t’i përcillet Kolegjit Zgjedhor. Por Kolegji Zgjedhor, çfarë do të shqyrtojë, kur nuk ka kundërshtime ose pretendimesh të ndryshme? Pra, ky problem nuk mund të shtrohet në një KQZ me katër anëtarë.
Për fat të keq, megjithë thirrjet që janë bërë, edhe nga ana jonë si Forumi Civil 2010, nga politikanët e ndryshëm si dhe nga ana e institucioneve ndërkombëtare, asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk po shohim të reagohet. Këtë e kanë vënë në dukje të gjithë. Edhe aleatët tanë, si SHBA, BE etj, kanë thënë kjo nuk shkon. Jo se e thonë ata, por nuk shkon vërtet. Edhe ditët e fundit, Fule bashkë me baroneshën Ashton bënë një thirrje, por të gjitha shkojnë në vesh të shurdhët. Sigurisht kjo situatë për mendimin tim u krijua si pasojë e një ndërhyrje pa takt dhe jo ligjore që bëri mazhoranca për shkarkimin e ish- anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muhos. Kjo precipitoi dhe krijoi këtë situatë që kemi. Për mua përgjegjësia kryesore për këtë punë i mbetet mazhorancës. Por edhe opozita ka përgjegjësinë e saja.
Ajo në asnjë mënyrë nuk duhet të rrinte kaq indiferente, por duhet të bënte përpjekjet e saj maksimale për t’u ulur bashkë me mazhorancën për të zgjidhur problemin. Mendoj se këtu rol të rëndë-sishëm mund të luante edhe Presidenti i Republikës, i cili pavarësisht nga thirrjet që i janë bërë, nuk po shohim të reago-jë. E vërteta është që në një situatë të tillë, që duhet thënë hapur se rrezikon zgjedhjet, Kryetari i Shtetit nuk mund të rrijë indiferent, pasi kjo cenon uniteti e të popullit, çështje për të cilën ai përgjigjet sipas kushtetutës.
Nuk e di se çfarë do të bëhet pas datës 23, ndoshta politikanët mund t’i japin një zgjidhje, por me këto veprime klasa politike shqiptare krijoi një përshtypje tepër negative, e cila do ta dëmtojë rëndë çështjen e integrimit në BE. Problemet që krijohen nga paaftësia e politikës tonë duhet ne t’i zgjidhim vetë. Me to duhet të merren njerëzit tanë. Mos të presim nga Zoti. Perëndia na ka dhënë mend në kokë dhe njerëzit do të duhet t’i zgjidhin problemet, aq më tepër kur ato i krijojnë po vetë.
Prekët çështjen e Presidentit. Mendoni se mosndërhyrja e kreut të shtetit vjen si pasojë e frikës për të mos u bërë palë, apo nuk ka arritur që të kapërcejë të kaluarën e tij politike?
Këtë e kam të vështirë që ta them. Nga përvoja ime si kryetar shteti, mendoj se ai duhet të ndërhynte. Këtu jo vetëm nuk ka asgjë antikushtetuese, por përkundrazi sikurse e përmënda më lart ajo e obligon Kryetarin e Shteteit të bëjë përpjekjee tij. Me politikanët tanë kjo nuk është edhe aq e lehtë, por mendoj se nuk është edhe e pamundur.
Në raportin e fundit të ODIHR-it, raportohet për shfrytëzim të administratës publike dhe angazhim të saj në çështjet zgjedhore?
Kjo është një shkelje katërcipërore e Kodit Zgjedhor, e ligjeve tona dhe e Kushtetutës. Administrata ka të tjera detyra. Fushata është detyrë e partive, nuk është detyrë e administratës. Por siç është katandisur administrata jonë, ajo përbëhet kryesisht nga militantë, kështu partitë, janë bërë njësh me militantët në administratë. Shumë pak mund të kesh në administratë njerëz që nuk janë mili- me zor që të dalin në manifestime. Unë them që pas zgjedhjeve këto gjëra duhet të marrin fund. Administrata është administratë. Ka detyrat e saj, ajo duhet të ketë profesionalizmin e saj, sepse nuk bëhet shteti me militantë, të cilët i marrin vendet e punës si shpërblim të dedikimit ndaj partisë në pushtet dhe jo si pasojë e aftësive të tyre profesionale.
E njëjta gjë vlen edhe për forcat e policisë dhe të ushtrisë?
Ligjet dhe Kushtetuta e kanë të shprehur edhe më qartë që policia dhe ushtria janë të depolitizuara. PAMECA, që këtu ka shumë vite që shpenzon lekët e taksapaguesve europianë, tashmë s’ka bërë gjë. Jo se s’ka punuar, por nuk i shihet rezultati. Ne praktikisht kemi dy polici, një në detyrë dhe një në shtëpi. Por këto nuk janë polici shtetërore, këto janë polici partiake Vërtet policia ka vartësinë e caktuar sipas Kushtetutës nga Ministria e Rendit dhe Kryeministri, por kjo s’do të thotë që Policinë ta kthesh në një vegël, pjesë të partisë për të bërë detyrat e saj.
Të njejtin defekt ka patur në punën e tij edhe ICITAP. Kjo ne na nxjerr shumë zbuluar në raport me kërkesën tonë për integrimin në BE. Unë mendoj se edhe ky është një nga ata kapituj që duhet ta rregullojmë, ndryshe s’na pranon Europa kurrë. Edhe ushtria, e cila duhet detyrimisht të zbatojë rregullat e NATO-s, po tentohet të kthehet në një levë partiake. Shkarkimet e fundit të gjeneralëve janë një tregues i qartë për këtë.
Në fushate kemi akuza të ndërsjella nga të gjitha palët, por asnjëherë nisje të hetimeve nga Prokuroria…
Drejtësia ka rrëshqitur shumë në drejtim të negativitetit. Ajo është kompromentuar, sigurisht jo të gjithë, por një pjesë e mirë, edhe ata i shërbejnë partisë në pushtet, jo ligjit, jo kushtetutës, jo popullit që e kanë për detyrë. Por atyre që mund t’u krijojnë favore për promovime të mëtejshme. Pra, edhe këtu ka hyrë në fuqi emërimi korruptiv. Ky nuk është korrupsion thjesht ekonomik, por politik. Që në vitin 2006, kur kam qenë president, kam tërhequr vëmendjen për ten-tativat që bënte politika për të futur me çdo kusht korrupsionin politik në radhët e drejtësisë. Kjo në kohën e sotme është trashur shumë.
Kur thoni se policia, ushtria, administrata janë kapur nga politika, men-doni se gjatë këtyre 8 viteve institu-cionet po tentohen që të kapen nga forca që është në pushtet ?
Kjo nuk është tentativë, ato tashmë janë të kapura. Ky fenomen është përmendur edhe në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare, pra nuk është thjesht një konstatim yni. Unë jam shprehur di-sa herë për rotacionin, duke thënë hapur dhe duhet ta theksoj se rotacionin ne e duam, jo thjesht për të ikur njëri dhe të vijë tjetri, por për të ndërtuar shtet. Sot për sot ne nuk kemi shteti ligjor, por një shtet tribal. Nuk drejtohet shteti me telefon, por sipas ligjit, kushtetutës.
Si e shikoni ndërhyrjen e ndërkombëtare, pasi është bë traditë që në raste krizash, i kthejmë sytë nga ata?
Këtu ka faj edhe media, sepse tek ne ndërkombëtarët janë hyjnizuar. Edhe ata habiten me rëndësinë që ju jepet, gjë që nuk e shikojnë asgjëkundi. Ata vërtet janë miqtë tanë, na kanë ndihmuar dhe do na ndihmojmë, por një fjalë e popullit thotë që “Gomarin nga balta e nxjerr i zoti”, dhe të zotët e punës janë shqiptarët. Ne jetojmë këtu, ne punojmë këtu. Ne jemi ata kryesorët .
Megjithatë ndërkombëtarët gjërat duhet t’i thonë troç. Nëse i thonë në mënyrë të kamufluar, më mirë të mos i thonë fare, por të mbajnë ato shënimet e tyre dhe të bëjnë raportet që u duhen shefave të tyre. Ato lloj vrejtjesh e konstatimesh të shprehura në mënyrë diplomatike nuk na vlejnë Popullit i duhet thënë hapur që kjo është e gabuar dhe kjo e mirë.
Duket se drejt zgjedhjeve do të shkohet me këtë kuadër zgjedhor, por pas 23 qershorit, a ka nevojë për një ndërhyrje Kushtetuese, apo në Kod?
Situatat që po përjetojmë flasin qartë se ka nevojë që të ndërtojmë Republikën e Katërt. E para është ajo e kohës së Zogut, e dyta pas Çlirimit dhe e treta u bë pas vitit 1991. Në kuptimin që ne duhet vërtet që Kushtetutën ta regullojmë. Ligjet ne i kemi shumë të mira, se i kemi bërë me asistencën e ndërkombëtarëve, por puna është se ato nuk zbatohen. Te ne ka dalë në plan të parë, dhe e ka marrë shpatën “Maliqi”. Tek ne ligji është bërë për arkiv, për t’ia treguar atyre që vijnë këtu për të inspektuar. Ndërsa në praktikë ne kemi Maliqin. Me këtë rotacion, ne duhet të arrijmë, jo vetëm ndryshim njerëzish, por ndryshim konceptimi, botëkuptimi mbi ndërtimin e shtetit ligjor, të një shteti demokratik të vërtetë.
A ka nevojë për një Kushtetutë të re?
Duhet thënë se Kushtetutën nuk e ke-mi të keqe, shumë të mirë madje. Por, amendimet e bëra duhen rregulluar. Gabimet që u bënë në 2008-n duhen rregul-luar. Presidenti është bërë tek ne si nëpunës. Mendimi im është që ai të zgjidhet nga populli. Edhe te Policia, drejtorët kryesorë të saj, duhet të dekretohen nga Presidenti.
Të mos ia lëmë kryeministrit, pasi kryeministrat tanë duan që çdo gjë ta kenë nën komandë. Me kalimin e kohës mbase mund të kalojë një gjë e tillë, por tani jo. Të tjerët kanë shekuj që i kanë vendosur parimet e demokracisë dhe i kanë larë me gjak. Ne nuk është nevoja të bëjmë revolucione, këtë e kanë bërë të tjerët, ne na mbetet t’i marrim ato mësime dhe t’i zbatojmë ashtu siç duhet.
Shohim që futen deputetë dhe dalin milionërë. Por s’ka hetime nga akuza dhe nga ILDKP-ja?
Forumi Civil e ka thënë, se për fat të keq tek ne politika është bërë mjet pasurimi, kurse politika është detyrë. Është shërbim ndaj popullit dhe t’i do të marrësh atë lek që të takon , as më shumë dhe as më pak. Ndërsa tek ne në politikë hyjnë ose për të mbrojtur pasurinë, ose për t’u pasuruar. Pra kemi një koncept anadollak, nëse do të shprehemi kështu mbi politikën. Ndërsa përsa i përket ILDKP-së, duhet thënë se edhe ajo deri tani nuk ka pasur guximin dhe nuk ka bërë përpjekjen e duhur për të kryer detyrën që këta politikanë të mos kthehen në zhvatës.
SHEKULLI
Add new comment