Ministri i Brendshëm Flamur Noka nuk ka paguar gjobat

Postuar në 21 Qershor, 2013 06:34

Ministri i Brendshëm Flamur Noka është një nga shumë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që ka kryer shkelje të shumta të kodit rrugor, është gjobitur, por nuk i ka paguar gjobat, bën të ditur agjencia Balkan Insight.

Gazetari Spartak Koka raporton se megjithëse deputetët duhet të tregojnë sjellje të tillë që të përbëjnë shembuj pozitivë për qytetarët, të dhënat e policisë së shtetit tregojnë se ata janë pikërisht shkelësit më të mëdhenj të rregullave të qarkullimit.

Jo vetëm që ata kanë mbledhur dhjetëra gjoba, por edhe refuzojnë t’i paguajnë ato. Një nga shkelësit më të mëdhedh është vetë Ministri i Brendshëm Flamur Noka, i cili, para se të bëhej ministër dhe qe deputet i thjeshtë, kapi 17 gjoba me vlerë të përgjithshme prej 15,700 lekësh. Për shkak të kamatëvonesave, Noka i detyrohet policisë 22 mijë lekë. Noka është gjobitur se i ka dhënë makinës pa rrip, ka shkelur semaforët apo ka parkuar në mënyrë të gabuar.

Zëdhënësi i ministrisë Leonard Olli fillimisht mohoi që ministri i brendshëm të ketë gjoba të papaguara.

Por pasi pa numrat e targave dhe të dhëna të tjera nga databaza e policisë së shtetit, Olli akuzoi të afërmit të ministrit për shkeljet.

“Ai ia dha makinën në fjalë një të afërmi disa vite më parë por nuk e kreu rregjistrimin e transferimit të makinës,” tha Olli.

I pyetur se si ndodhi që një i afërm i ministrit drejtoi një makinë që nuk qe nën pronësinë e tij, u gjobit kaq shumë herë dhe nuk u ndalua kurrë nga policia, Olli tha se gjobat janë marrë para se ai të bëhej ministër.

“Të dhënat e databazës tregojnë qartë se gjobat qenë marrë kur ai nuk qe ministër,” tha Olli. Sipas një urdhri të firmosur nga paraardhësi i Nokës, një makinë që ka tre gjoba të papaguara bllokohet deri sa të shlyejë gjobat.

Noka nuk është politikani i vetëm që ka mbledhur kaq shumë gjoba dhe nuk i ka paguar ato. Të dhënat e policisë tregojnë se së paku tetë politikanë nga koalicioni qeverisës dhe opozita kanë një numër të madh gjobash të papaguara.

Rrekordi zihet nga ish-kryeministri dhe deputeti Bashkim Fino, i cili ka 18 gjoba të papaguara. Gjobat për Finon janë marrë si pasojë e parkingut të gabuar dhe shkeljes së sinjalistikës.

Një ministër tjetër që nuk pagoi gjobat është Sokol Olldashi, aktualisht ministër i Transportit dhe pUnëve Publike. Ai ka gjashtë gjoba të papaguara të marra nga makina e tij private me vlerë totale prej 10 mijë lekësh.

Olldashi qe gjithashtu mes listës së deputetëve që janarin e kaluar rezultoi se nuk kishte paguar taksën e regjistrimit të automjetit në kohë. Në listë qe edhe presidenti i Republikës Bujar Nishani , kryeparlamentarja Topalli dhe gati një e treta e deputetëve.

Pasi i shpall si evazor fiskal, ministri Olldashi kërkoi ndjesë për neglizhencën dhe premtoi se “nuk do të ndodhë më”.

Kastriot Islami ka gjithashtu shumë gjoba të papaguara, si janë edhe tre deputetë socialistë, Arben Isaraj, Ben Blushi dhe Damian Gjiknuri.

Fatbardh Kadilli,deputet i Partisë Demokratike ka pesë gjoba të papaguara ndërsa Shpëtim Idrizin ka tetë gjoba.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.