Meta: Përjashtoj koalicionin me Berishën pas zgjedhjeve

Postuar në 21 Qershor, 2013 06:35

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta përjashtoi një koalicion paszgjedhor me Berishën. Nga Berati, ku zhvilloi mitingun përmbyllës të fushatës, Meta e fokusoi mesazhin politik tek largimi i Berishës. Më tej ai ka folur në ligjëratë të drejtë: Përjashtoj çdo koalicion paszgjedhor me Sali Berishën dhe PD. “Kryeministri që po ikën, deklaroi se nuk përjashtonte koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Unë si djali juaj në radhë të parë dua t’i jap një përgjigje këtu nga Berati që Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta përjashtojmë çdo mundësi koalicioni me një qeveri, dhe një kryeministër që tentoi të vërë dorë përsëri pas 23 vjetësh mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbi të drejtën e shqiptarëve për të votuar në mënyrë të lirë dhe demokratike, të një njeriu që i pati të gjitha mundësitë që të largohet me dinjitet dhe ta pranojë humbjen me dinjitet. Ne jemi të përcaktuar me Aleancën për Shqipërinë Evropiane”,-tha Meta. Ai shtoi më tej se ish-aleati i tij po numëron orët e fundit si kryeministër. “Berisha do ikë të dielën si kryeministër, njëherë e përgjithmonë, sepse po të presë Berati premtimin e Berishës për boshtin e Jugut, do t’i duhet të presë dhe nja 2 400 vjet të tjera. Sepse ai për 8 vjet, as rrugën e vjetër Lushnjë-Berat nuk e rikonstruktoi. As gropën e rrugës që lidh Lushnjën me Beratin, veçse filloi të hedhë asfalt 3 javë më parë këtu në qytetin e Beratit. Ne do fitojmë, se boshti i Jugut duhet bërë tani dhe jo të shtyhet. Ne do fitojmë se ky qytet i jashtëzakonshëm kërkon zhvillim, frymëmarrje dhe ne do bëjmë unazën e Beratit brenda 2 viteve të para”, – tha Meta. Duke pohuar se LSI ka një program realist për punësimin, Meta theksoi se fermerët e zonës meritojnë subvencionim, ndërsa industria një plan të vërtetë për ringritje. “Ne do fitojmë se fermerët e mrekullueshëm të Beratit që punojnë aq shumë, sakrifikojnë aq shumë, meritojnë jo një, nuk meritojnë me pikatore, por plan të vërtetë për subvencionimin dhe ringritjen e industrisë agro-përpunuese, në mënyrë që Berati të përpunojë për vete dhe eksport, siç ka prodhuar në të kaluarën”, -shtoi më tej ai. Ky reagim i Metës dy ditë para zgjedhjeve vjen pasi kryeministri Berisha e la të hapur mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me të. Në emisionin “LOG” në TVSH, kryeministri e cilësoi katastrofë një koalicion PD-PS, por nuk u ngut të përjashtonte një aleancë të dytë me Metën, duke ua lënë këtë vendim zgjedhjeve të 23 qershorit.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.