Meta: Kryeministri i ri? Është e zgjidhur nga Kushtetuta

Postuar në 25 Qershor, 2013 02:31

Kreu i LSI: Rezultat më i thellë seç e mendoja. “PD ka qeverisur për shkak të përçarjes së të majtës, tani të reflektojë në opozitë”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan, se zgjedhja e Kryeministrit të ri është e zgjidhur qartë nga Kushtetuta. Meta theksoi me tej se rezultati në të gjithë vendin ishte më i lartë nga ç’e priste, duke thënë se PD ka qeverisur për shkak të përçarjes të së majtës. 

Cili është sekreti i rezultatit surprizë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e 23 qershorit? 
Unë rezultatin, për hir të transparencës ndaj publikut, ua kam thënë pak a shumë para një muaji. Por ju nuk keni dashur ta merrni seriozisht, se ju është dukur një rezultat shumë i thellë. Ai në fakt vajti edhe më i thellë sesa e mendoja unë. 

Ju më thatë 80 mandate e majta dhe 80 mandate e majta ishte e pamundur në fakt me llogari matematikore? 
Ishte plotësisht e mundur, pasi unë mendoj se e majta ka qenë gjithmonë shumicë në Shqipëri. Partia Demokratike gjatë këtyre tetë viteve qëndroi në pushtet kryesisht për shkak të përçarjes të së majtës, kështu që ky proces reflektimi që ndodhi gjatë vitit të fundit dhe koalicioni i para 2-3 muajve. Natyrisht përveç shumicës së majtë dhe njëkohësisht duke përfshirë edhe shumë shtresa të tjera të shoqërisë të cilat u ndjenë të përfshira nga qeverisja aktuale, jo vetëm kaq, por u ndjenë shpeshherë të sfiduara nga arroganca e saj, pa dyshim bënë këtë ndryshim përtej parashikimeve normale duke pasur parasysh sistemin. 

Partia Socialiste ka mbetur në vend, Partia Demokratike është ulur në vota. Nga cili thes janë nxjerrë këto 16 mandate të Lëvizjes Socialiste për Integrim? 
Së pari, nuk është e vërtetë se PS-ja ka mbetur në vend. PS-ja është forca e parë politike në mënyrë të qartë dhe natyrisht që ka një rritje edhe në vlerë absolute të votave. Së dyti, kam dëgjuar dhe më vjen për të qeshur shumë me historinë e votave të LSI-së, aq më tepër kur flitet për problemin e imoralitetit të elektoratit shqiptar, i cili jam i bindur se jep gjykimin e tij me qetësi për moralitetin e secilit. Por të mos harrojmë se LSI-ja, që kur u krijua në vitin 2005, kishte 120 mijë vota, ndërkohë që u fut në kushte krejt të pabarabarta. Po të mos harrojmë se në vitin 2009 u përjashtua në mënyrë demonstrative përmes Kodit dhe u luftua në mënyrën më të ashpër, gjë që nuk mund të sillte as rezultatin real, por njëkohësisht ishte edhe një trysni e madhe ndaj votuesve, të cilët nuk donin që vota e tyre të manipulohej apo të dëmtohej. Kështu që LSI-ja gjithmonë ka treguar se është një forcë politike, e cila gjithmonë e ka pasur një elektorat solid prej 120 mijë votash. 

Një lider me karizmën tuaj që nuk pranon karizmin e një lideri historik si Berisha, do të arrijë të pranojë pushtetin e një Kryeministri si Rama, i cili nuk i afrohet karizmit tuaj. Si mund të bashkëpunoni ju në këto ujëra? 
Për sa i takon raportit midis Ramës dhe Berishës, unë nuk i ndërtoj raportet as personale dhe as si drejtues i një force politike, bazuar mbi karakteristikat e liderëve të tjera apo partive të tjera. Ne kemi hyrë me një qëllim të mirë, kemi hyrë me një qëllim pozitiv në këtë proces. Vendi ka nevojë për një ekuilibër të ri politik, e kemi thënë me kohë. Kjo nevojë është sepse që nga zgjedhja e Presidentit dhe e shumë institucioneve të tjera pa një konsultim të gjerë, u vu re një përqendrim i tepruar i pushteteve nga ana e Partisë Demokratike. Ky ekuilibër nuk mund të zgjidhej as tre muaj përpara duke prishur qeverinë, se vendi kishte procese të tjera që duhet të vijonin. Edhe ne kishim një përgjegjësi patjetër, por e votuam Presidentin, sepse nuk mund ta çonim vendin në zgjedhje të parakohshme. Ne edhe sot që kemi kaq kohë që përgatiteshim për zgjedhjet, dhe kishim probleme, dhe ende kemi probleme. Pra, ne jemi një forcë e përgjegjshme. Kemi qëllime të mira. Me PDnë bëmë marrëveshje. Nuk u penduam për asnjë rast për atë marrëveshje, pavarësisht nga vështirësitë e saj, pavarësisht nga kostot e saj. Ajo i ka shërbyer vendit. Tani besojmë se vendi ka nevojë për një ritëm të ri. Edhe vetë PD ka nevojë për një reflektim të saj, sepse 8 vite në qeveri nuk është pak, sidomos për një vend si i yni, që ende ka shumë probleme dhe nuk është edhe shumë komode të qeverisësh. 

Një nga angazhimet tuaja të mëdha që e keni vuajtur dhe fizikisht mbi trupin tuaj, kanë qenë ndryshimet kushtetuese. Edhe lideri i PS ka kërkuar falje publike për këto ndryshime. Duket se do shkoni drejt 84 votave, do u riktheheni ndryshimeve kushtetuese për të kufizuar rolin e Kryeministrit dhe për ta na rikthyer një president mbi palët? 
Për sa u takon 84 mandateve… 84 mandatet nuk mjaftojnë për të bërë ndryshime kushtetuese. Ato mjaftojnë për të bërë disa reforma të rëndësishme, të cilat bëhen me 3/5-at e votave. Për sa u takon ndryshimeve kushtetuese, mendoj se në radhë të parë nuk është çështje shumice, e cila nuk arrihet. Është çështje vullneti politik, sikurse e dini lidershipi i PS ka reflektuar lidhur me ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008 dhe natyrisht që do ishte shumë pozitive, në rast se do gjendej ky konsensus. Ne jemi patjetër partizanë të ndryshimeve kushtetuese, edhe të Kodit, në rast se ekziston mundësia për shumë elementë që ky Kod nuk i shërben një demokracie të fuqishme parlamentare. 

Jeni në pozicionin ta vini në kushtet e koalicionit të ardhshëm, që mund ta kërkoni në të mirë të shqiptarëve?
Patjetër. Ne këtë gjë po e themi këtu dhe do ta shprehim përsëri. Zoti Meta tani mbetet dora kryesore se kush do të jetë Kryeministri. Është zgjidhur apo jo? Kushtetuta. Çfarë thotë? Po Kushtetuta, ta lexojnë. (Qesh) Është e zgjidhur, është zgjidhur.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.