PDIU në pritje të ftesës nga Edi Rama

Koalicioni i majtë pritet të zgjerohet para hapjes s parlamentit të ri. Negociatat kanë filluar tashmë me parti të djathta apo deputetë të veçantë të këtij koalicioni. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka lëshuar dje një sinjal dhe është tashmë në pritje të ofertës nga Partia Socialiste për të marrë një vendim nga strukturat drejtuese të saj për të kaluar në koalicionin qeverisës. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, një nga drejtuesit e kësaj partie, Dashamir Tahiri, i cili është edhe i pari deputet i kësaj partie i zgjedhur direkt që në zgjedhjet e 2009- s, lë të hapur mundësinë për një bashkëpunim me qeverinë e ar- dhshme të majtë. Deputeti Tahiri, i cili ka mundur që të fitojë sërish mandatin e tij në qarkun e Vlorës, shprehet se nuk ka asnjë pengesë për të punuar sëbashku me socialistët dhe aleatët e tjerë të së majtës për qeverisjen në të mirë të shqiptarëve. I pyetur nëse ka pengesë për zgjerimin e koalicionit të PS-së edhe me PDIU-në, deputeti Tahiri thekson se edhe PS-ja është një forcë shqiptare. Sipas tij, politikat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk kanë qenë asnjëherë bllokuese dhe do të jenë edhe në të ardhmen në dispozicion të përparimit të vendit dhe të politikës shqiptare. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka fituar katër mandate direkte, duke marrë një numër tepër të konsiderueshëm votash Përveç Vlorës ku kandidon vetë Dashamir Tahiri, mandate janë fituar në Tiranë, Fier dhe në Elbasan. Pikërisht në këtë qark PDIU-ja ka vijuar surprizat duke siguruar mandatin dhe marrë në mjaft zona një numër tepër të konsiderueshëm duke vënë në pozitë të vështirë edhe kandidatët e Partisë Demokratike, e cila në këtë qark është “fundosur”. Por, bashkëpunimi me Partinë Socialiste nuk mund të quhej i papritur. Deri në ditët e fundit të regjistrimit të koalicioneve, PDIU ishte në dilemë nëse do vendoste të garonte djathtas apo majtas.
Me këto mandate, nëse do të keni një ofertë nga PS-ja, a jeni gati që të kaloni me të?
Po. Edhe Partia Socialiste shqiptare është, edhe ata shqiptarë janë.
Në thelb të programit tuaj është edhe çështja çame, çka PS-ja e ka deklaruar. Pra, jeni dakord të filloni bashkëpunimin dhe s’ka probleme që ju ndajnë?
Politikat e mia nuk kanë qenë asnjëherë bllokuese. Politikat e mia janë përparuese dhe në dispozicion të politikës shqiptare. Janë në të mirë të Shqipërisë.
Si e pritët rezultatin, pasi Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet aktualisht ka katër deputetë? Mendoni se u kaluan pritshmëritë tuaja?
Nuk janë shumë, sepse janë 300 mijë shqiptarë të Çamërisë.
Pra , mendoni se ju mund të kishit arritur edhe një rezultat më të mirë në këto zgjedhje?
Ne presim edhe mandatin e tretë në qarkun e Vlorës. Po vijojnë akoma se s’kanë mbaruar numërimet.
Pra, mbetet e hapur mundësia e bashkëpunimit në koalicionin e ri të së majtës së bashkuar?
Ne bashkëpunojmë me të gjithë shqiptarët për të mirën e vendit.
SHEKULLI
Add new comment