PËRLESHJE MES POLICISË DHE PROTESTUESVE

Postuar në 27 Qershor, 2013 03:59

Policia e Kosovës është përleshur me protestuesit në hyrjen mbrapa Qeverisë së Kosovës, derisa ka tentuar t’i lirojë ata për të mundësuar hyrjen e disa deputetëve të Kosovës dhe ambasadores amerikane në Kosovës, Tracey Jacobson, megjithatë pas intervenimit, këta të fundit kanë arritur të hynë në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Kurse, në hyrjet tjera të Qeverisë dhe Presidencës dhe Kuvendit, policia ka mbyllur dyert me zinxhirë.

Ndërkohë, brenda kanë hyrë disa deputet të PDK-së, LDK-së dhe Vetëvendosjes, megjithatë një pjesë e deputetëve po pengohen të hynë në Kuvendin e Kosovës.

VV: Policia po ndalon autobusët që janë nisur për Prishtinë

Drejtues të Vetëvendosjes kanë thënë se Policia e Kosovës po ndalon autobusët me demonstrues që janë nisur drejt Prishtinës, të organizuar për të kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë, Time Kadriaj , Myzejene Selmanaj, Anton Quni, Drita Hajzeraj tentuan të hynë në kuvend por nuk u lejuan edhe pse ishin të shoqëruar nga Policia.

VV bllokon të gjitha hyrjet e Kuvendit të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar demonstratën kundër ratifikimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë në Kuvendin e Kosovës.

Për momentin është një numër i madh i protestuesve, të cilët kanë bllokuar të gjitha hyrjet e Kuvendit të Kosovës, duke mos lejuar deputetët të hynë në ndërtesën e kuvendit.

Fillon demonstrata e VV

Kanë filluar të vijnë turma njerëzit para Kuvendit të Kosovës për ta kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sekretari organizativë i VV, Dardan Mulliqaj ka thënë për Kosovapress se të gjithë aktivistëtdo ta kundërshtojnë në mënyra të ndryshme ratifikimin e marrëveshjes duke lënë të kuptohet se edhe brenda Kuvendit do të ketë aksione për parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes.

Ai tha se marrëveshja është nënshtruese ndaj Serbisë.

VV proteston kundër ratifikimit të marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që sot në orën 09:00 të dalin në protestën kundër ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës që do të mbahet në Prishtinë.

Ata përmes njoftimeve të tyre bëjnë të ditur se kanë organizuar transportin për bartjen e të gjithë atyre që duan të jenë pjesë e demonstratës.

Vetëvendosje bëjnë të ditur se në Prizren nisja për qytetarët do të bëhet nga Stacioni i Autobusëve në orën 07:00.

Ndërsa nga Peja nisja bëhet përballë Peja City, në ora 07:00 në mëngjes.

E nga Gjakova tek Pallati i Kulturës ‘Asim Vokshi’ ora: 07:00 e mëngjesit.

Edhe nga Mitrovica ka organizim ku nisja bëhet nga Zyra e Lëvizjes në Mitrovicë, afër Komunës, në orën 08:00.

Sa i përket Klinës nisja bëhet nga Sheshi "Mujë Krasniqi”, ora: 07:30.

Ndërsa nga Malisheva nisja bëhet nga parkingu prapa bustit të Adem Jasharit, në orën 08:00.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se pjesëmarrja në këtë demonstratë mbron Kosovën nga bosnjëzimi dhe është vendimtare për të shprehur kundërshtimin ndaj Ratifikimit të Marrëveshjes Thaçi - Daqiç.

Madje thonë se përmes kësaj demonstrate si qytetarë të këtij vendi, është një mundësi për ta kapërcyer këtë padrejtësi, siç e quajnë ata, që po imponohet nga kjo marrëveshje.

Demonstrata, sipas tyre, dëshmon se cilido deputet që e voton ratifikimin është duke e bërë këtë në kundërshtim me vullnetin tonë dhe do të përballet me kundërshtimin tonë.

Ata thonë se kjo marrëveshje kapitullon plotësisht sovranitetin e Kosovës, pamundëson rigjallërimin e jetës dhe punës në veri të vendit tonë si dhe pengon në vazhdimësi rivitalizimin dhe kontrollin mbi burimet tona më të rëndësishme ekonomike.

 

 

EXPRESS

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.