Ilir Rusmali: Duhet të nxjerrim mësim nga mençuria e zgjedhësve. Votat e PD-së s’i kanë shkuar vetëm LSI-së

Ish- deputeti demokrat, Ilir Rusmali, në një analizë të gjatë të botuar tek Panorama, ndalet gjatë tek ajo që e quan inteligjenca e turmës.
“Nëse ne turremi për të thënë se populli “u shit”, “na mashtroi” apo “u budallalleps”, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse refuzojmë të lexojmë mesazhin, thellojmë krizën tonë me realitetin politik të gjërave, detyrojmë kolektivitetin të ashpërsojë qëndrimin ndaj nesh, vonojmë ringritjen,” thotë Rusmali.
Sipas tij, inteligjenca e e turmës nuk shkon kurrë në një drejtim. Madje ai rrëzon pretendimet që ngrihen tashmë se është LSI që ka fituar dhe jo PS.
“Turma nuk do ishte kurrë aq e mençur sa ç’është, nëse leksionin do t’ia çonte vetëm njërës palë. Këto zgjedhje nuk ka qenë vetëm për ne, as vetëm për kundërshtarin tonë politik. Do të ishte gabim fatal i yni nëse do shihnim vetëm pjesën tonë të medaljes. Sikurse do të ishte gabim fatal për kundërshtarët tanë politikë të bënin të njëjtën gjë. Këto ditë media ka qenë e mbushur me interpretime të opinionistëve bazuar në leximin e atypëratyshëm të rezultateve të pjesshme. Besoj se e përbashkëta e tyre qëndron në faktin se të gjithë besonin se dinin ku kishte shkuar çdo votë e shqiptareve, thjesht nisur nga mbledhje-zbritjet e rezultateve. Unë besoj se kjo mënyrë empirike e analizës elektorale nuk ndihmon asnjë forcë politike në analizën e saj. Askush nuk mund të pretendojë sot se votat drejtohen me shkop magjik. Zgjedhësit votojnë të lirë dhe sipas bindjes së brendshme. Nëse PD në këto zgjedhje ka humbur vota, atëherë është e sigurt se këto vota nuk i kanë shkuar vetëm LSI-së. Ato kanë shkuar në të gjitha drejtimet, ku më shumë, ku më pak,” thekson Rusmali, që bën thirrje për të nxjerrë mësime nga kjo votë.
“Nëse PS ka ruajtur numrin e votave me zgjedhjet e shkuara, atëherë është e sigurt se dhe PS ka humbur vota socialistësh të pakënaqur, ose të pabindur në lidershipin e vet, po aq sa ç’ka marrë nga PD apo nga forca të tjera. Me këtë dua të them nëse ne duhet të bëjmë analizë kritike ndaj vetes, të jemi të sigurt se po aq nevojë kanë dhe kundërshtarët tanë politikë të bëjnë analizë kritike ndaj vetes se tyre. Në këtë punë nuk jemi vetëm. Mençurinë kolektive duhet ta respektojmë të gjithë. Nëse kundërshtarët tanë politikë nuk duan apo nuk ndihen të motivuar për ta bërë ketë, aq më mirë për ne, aq më shumë të motivuar duhet të jemi ne. Kjo do të thotë se ata do të bien shumë shpejt në gabime. Kjo do të thotë se ne do të jemi gati shumë shpejt të përfitojmë nga gabimet e tyre dhe të ndërtojmë mbi këtë bazë suksesin tonë të radhës. Sigurinë për këtë na e jep jashtë çdo fije dyshimi çiltërsia, mençuria, modestia dhe maturia me të cilat ne do jemi të gatshëm të analizojmë mesazhin që na solli më 23 qershor inteligjenca popullore, kushdo qoftë ky mesazh”./ep
TEMA
Add new comment