Rikthehet shpresa në familjen e Remzi Hoxhës

Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, i zhdukur 18 vjet më parë në Shqipëri, thotë se pas ndërrimit të pushtetit, në familjen e tij është rikthyer shpresa se vrasja e babait të tij do të zbardhet. Në një deklaratë për mediat, djali i Remzi Hoxhës, i rrëmbyer dhe torturuar nga SHIK-u në vitin 1995, thotë se pas 18 vitesh pritjeje, tashmë është koha që institucionet e reja në Shqipëri do të bëjnë të mundur së paku gjeten e eshtrave të babait të tij. “Nuk më hiqen nga sytë pamjet e proceseve gjyqësore që ishin të kurdisura dhe që një grup aktorësh amatorë do të kishin aktruar më mirë se trupi gjykues, prokurorja dhe avokatët mbrojtës të personave që zhdukën babain tim. Gjithçka ishte e parapërgatitur në mënyrë që kriminelët e Berishës të mos dilnin as të njollosur, e lëre më të dënuar”, – thotë Ardian Hoxha. Sipas tij, drejtësia dënoi vetëm Ilir Kumbaron, ish-oficerin e SHIK-ut që është ndihmuar të arratiset nga njerëzit e pushtetit në Shqipëri. “Më irrituesja është që i vetmi dënim, sado minimal që është, iu dha personit që këta ndihmuan të arratiset, Ilir Kumbaros. Pra njerëzit që janë në Tiranë, bashkëpjesëmarrësit e Kumbaros në krim, Arben Sefgjini, Budion Meçe e Avni Koldashi lihen absolutisht të lirë, pa asnjë njollë”- thuhet në deklaratë.
MAPO
Add new comment