Patozi: Nuk do kandidoj për kreun e PD-së

As numri dy i Partisë Demokratike Astrit Patozi nuk do të kandidojë për kreun e ri të selisë blu. Patozi deklaroi se do të respektojë çdo kandidaturë të denjë dhe se do të hedhë poshtë me neveri atë të çdo sharlatani. “Jam pjesë e përgjegjësisë. Nëse kryetari i partisë merr përsipër të gjitha përgjegjësitë, sigurisht që në radhë të dytë më takon mua që të marr përgjegjësitë e mija. Duke e ndjerë veten pjesë e kësaj përgjegjësie, unë nuk jam pjesë e këtij procesi, nuk kandidoj për kryetar të Partisë Demokratike. Por unë mund të them paraprakisht që do të vlerësoj dhe respektoj çdo kandidaturë dinjitoze, por do të hedh poshtë me neveri çdo sharlatan i cili përpiqet të përfitojë diçka në këtë proces, krejtësisht normal dhe demokratik.”- deklaroi Patozi. Ai theksoi se gara duhet të jetë e ndershme dhe se humbësi duhet të pranojë rezultatin. “Mendoj se PD në këtë fazë ringritjeje ka nevojë për një garë të fortë dhe reale, po aq sa dhe për fair play, apo për lojë të ndershme. Gjykoj se puna e parë që bën kryetari i ri i shtrin dorën bashkëpunimit me rivalët e mundshëm në garën brenda llojit, ndërkohë që të tjerët duhet t’i urojnë atij fitoren dhe të bëhen pjesë e të ardhmes së PD-së.”- u shpreh Patozi.
MAPO

Add new comment