Sequi: Zgjedhjet, kthesë për politikën shqiptare

Postuar në 01 Korrik, 2013 15:55

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, i ka vlerësuar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit si një moment kthese në politikën shqiptare. Ai thotë se sinjalet e fundit janë një shpresë e mirë për përmbushjen e ëndrrës europiane të shqiptarëve. Duke folur në pritjen e organizuar në zyrën e informimit të BE-së me rastin e anëtarësimit të Kroacisë në familjen europiane, Sequi tha se shteti më i ri në BE duhet të shërbejë si shembull për vendet e tjera të rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, e cila ka një mbështetje mbarëpopullore për integrimin, 87%.

“Kroacia është një shembull për vendet e tjera të rajonit, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Unë mendoj që zhvillimet si dhe fryma konstruktive që kemi parë kohët e fundit do të japin rezultatin e dëshiruar. Procesi i integrimit në BE është motori i ndryshimit dhe transformimit të një vendi dhe shembulli më i mirë i fuqisë transformative është Kroacia. Ka shenja që mentaliteti politik po lëviz nga kultura e konfrontimit drejt kulturës së kompromisit”, tha ai.

Sequi më tej vlerësoi punën serioze të shtetit kroat në përmbushjen me efikasitet të detyrave të përcaktuara nga BE, të cilat u finalizuan dhe me anëtarësimin e plotë të saj.

“Në vitin 2003 në samitin e Selanikut u bë e qartë se e ardhmja e shteteve të Ballkanit do të ishte në BE dhe sot pas 10 vitesh Kroacia bëhet anëtare e familjes së madhe europiane. Ne jemi këtu për të festuar rezultatet që ka arritur Kroacia për anëtarësimin në BE, përkushtimin dhe angazhimin e madh të saj për përmbushjen e kritereve. BE nuk është thjesht koncept gjeografik, por produkt i historisë. Një nga mundësitë më të mira të BE është mundësia për të lëvizur. Janë pikërisht këto gjëra, ky shpirt rigjenerues që inkurajon këto shtete për të ecur përpara”, përfundoi Sequi.

Në ceremoni merrnin pjesë ambasadorë të vendeve të ndryshme, anëtare dhe jo të BE-së, mes tyre edhe ai i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu.

Kroacia u bë sot zyrtarisht anëtarja e 28 e Bashkimit Europian, duke e shtuar bllokun me një anëtar të ri që nga zgjerimi i fundit në vitin 2007.

Paraditen e sotme, në një ceremoni speciale është hapur zyrtarisht Shtëpia e Evropës në Zagreb ku të pranishëm ishin edhe Presidenti i Parlamentit Europian Martin Shulz dhe Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso si dhe nga personalitete të shumta Europiane.

Vendi prej 4.4 milionë banorësh bëhet shteti i dytë i ish-Jugosllavisë që i bashkohet BE-së, pas Sllovenisë, e cila është anëtarësuar në vitin 2004.

Anëtarësimi shënon një moment historik në kapërcimin e të kaluarës së përgjakshme të luftës së viteve 1991-1995 për pavarësi, ku gjetën vdekjen rreth 20 mijë persona.

Megjithëse anëtare e plotë e BE-së, Kroacia nuk do të jetë menjëherë pjesë e Schengenit, zonës së udhëtimit pa viza, as nuk do të përdorë monedhën euro.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.