Dokle: Ka konsensus për ndarjen e mandatit të deputetit nga ministri

Zoti Dokle, çfarë do të thotë për ju ky 22-vjetor, i cili festohet së bashku me fitoren e zgjedhjeve nga e majta në Shqipëri?
Sepse në momentin që PS u themelua para 22 vjetësh pikërisht synonte për një rilindje, natyrisht iu deshën shumë kohë që të emancipojë veten, të bëhet pjesë e emancipimit të shoqërisë për të arritur deri në këtë moment që të jetë forca kryesore politike për rilindjen e shoqërisë shqiptare. E kemi filluar si një parti e ngritur nga hiri i një partie të vjetër dhe aktualisht jemi parti anëtare e Internacionales Socialiste dhe me kryetarin e vet nënkryetar të Internacionales. Pra është një rrugë shumë e madhe, një rrugë shumë e vështirë, por një rrugë shumë transformuese që kemi arritur deri në këtë ditë që bashkë me 22-vjetorin të festojmë dhe fitoren e Aleancës për Shqipërinë Europiane që do qeverisë vendin.
Si e shihni qeverisjen e ardhshme?
E shoh si një qeverisje që ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse shqiptarët me votën e tyre plebishitare nuk i kanë lënë asnjë alibi, se i ka kanë dhënë fuqi të tillë legjislative dhe qeverisëse që të zbatojë plotësisht programin e rilindjes. Dhe moszbatimi i programit të rilindjes do të ishte përgjegjësi e kësaj partie. Por unë kam besim të jashtëzakonshëm që Partia Socialiste me programin e saj qeverisës, me lidershipin që ka, me trupën legjislative dhe ekzekutive që ka, do të arrijë ta realizojë këtë program dhe të mbetet një forcë politike shënuar në historinë e Shqipërisë, si pjesë që kontribuoi në rilindjen e shoqërisë shqiptare drejt rrugës së Bashkimit Europian.
Për të zbatuar këtë program a parashikoni vështirësi, për shkak se në koalicion keni dhe LSI-në, e cila mund të mos jetë dakord për shumë gjëra që përmban ky program?
Këto punë nuk janë si të thyesh arra dhe t’i hash. Janë punë të vështira. Qeverisjet në koalicione natyrisht kanë problemet e veta, por unë jam i bindur se synimi i përbashkët për ta çuar Shqipërinë drejt BE-së, pra Aleanca Për Shqipërinë Europiane presupozon një bashkëpunim shumë të fuqishëm mes të gjitha forcave; ato që janë në qeveri por edhe ato që s’janë në qeveri, por që janë pjesë e koalicionit tonë. Do jenë kontributorë të gjithë në masë të caktuar.
Çfarë do veçonit te gjërat që duheshin bërë të parat?
Zbatimi i programit të Rilindjes. Nuk duhet të hyjmë në detaje pasi programi i Rilindjes është një program konkret, me objektiva konkrete dhe me përgjegjësi konkrete. Zbatimi i tij është nderi i PS-së dhe i koalicionit.
Të dyja partitë e mëdha të këtij koalicioni kanë rënë dakord që të ndajnë mandatin e deputetit nga ai i ministrit. Ju pajtoheni me këtë?
Unë e shoh pozitive, pavarësisht se ky është vetëm një vendim i brendshëm politik. Nuk ka të bëjë me rregulla apo me Kushtetutën, por është një rregull i brendshëm politik, i cili i jep më shumë mundësi qeverisjes për të punuar, por edhe i jep më shumë mundësi parlamentit për të kontrolluar qeverinë.
Është marrë një vendim në strukturat e partisë për këtë gjë?
Jo. Është diskutuar dhe ka një konsensus të përgjithshëm, por natyrisht kur ka konsensus të përgjithshëm, vendimi është gjëja më e lehtë për t’u marrë.
MAPO
Add new comment