Basha kandidon për kreun e PD: Askush nuk e zëvendëson dot Berishën. Koha për një fillim të ri

Kreu i Bashkisë së Tiranë, Lulzim Basha, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kreun e PD-së. Mesditën e sotme ai është paraqitur në selinë blu, ku ka dorëzuar kërkesën e tij zyrtare për të garuar për postin e kryetarit të PD-së. Në një dalje publike nga selia e PD-së, Basha deklaroi se zgjodhi datën 3 korrik për të kandiduar, pasi përkon me fitoren e PD-së 8 vjet më parë. Ai nuk ka kursyer lëvdatat për kreun e dorëhequr Sali Berisha dhe ka premtuar se për PD-në tani është një Fillim i ri.
“Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me kryeministrin Berisha jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellëta të jetës time. Vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike. Jam thellësisht i vetëdijshëm se sa përgjegjësi e madhe është të kandidosh për kreun e një partie që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka ndryshuar historinë e Shqipërisë së re, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, me gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj, me gjithë popullin shqiptar.
Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegjja e Partisë Demokratike. Por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar europiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment.
Detyra që na pret nuk është e lehtë, sfidat janë të mëdha. Por gjatë gjithë rrugës tonë 23-vjeçare ne kemi treguar se kemi qëndruar dhe nuk jemi tjetërsuar as në ditët më të errëta, kemi shpresuar dhe besuar, dhe nuk jemi tërhequr, kemi fituar dhe kemi arritur ti kthejmë ëndrrat e shqiptarëve në projekte dhe projektet në vepra. Ndaj sot, i vetëdijshëm për trashëgiminë tonë të vyer, plot bindje në vlerat e të sotmes ju ftoj të ecim së bashku drejt projektit të së ardhmes tonë, drejt fillimit të ri, projektit të ringritjes dhe fitores”, tha Basha.
SHQIP
Add new comment