Berisha i jep shtetësinë diasporës, vendimi merret sërish nga Presidenti

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Presidenti - E gjithë procedura përfundon te Presidenti, i cili duhet të dekretojë listën e personave për dhënie shtetësie
Ministritë - Dy janë ministritë që do të angazhohen në një proces të tillë, e Jashtme dhe e Brendshme. Ato do të nxjerrin dhe një udhëzim
14 vjeç - Kur fëmija është në moshën 14 deri në 18 vjeç, kërkesa shoqërohet edhe me pëlqimin me shkrim të fëmijës
Qeveria
Gjiknuri: Po merren vendime populiste. Abdiu: I takon qeverisë së Edi Ramës
30 ditë - E gjithë procedura e verifikimit të personave nga ana e shtetësisë do të realizohet jo më vonë se 30 ditë
BLEDAR HOTI/HERION MESI
Kryeministri Sali Berisha ka vendosur dje që të japë shtetësinë për shqiptarët e diasporës me anë të një vendimi qeverie, në skandencë të mandatit të tij, por realisht ky vendim nuk shmang procedurat aktuale, pasi çdokush që kërkon shtetësinë shqiptare do të duhet të marrë firmën e Presidentit të Republikës.“Vendimi u bllokua prej më shumë se katër muajsh, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të Shqipërisë. Ky vendim ka të bëjë me procedurat për njohjen dhe fitimin e shtetësisë shqiptare, nga persona me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës. Me këtë akt Shqipëria është vendi i fundit që u ofron bashkëkombësve të vet, atë që të tjerët ua kanë ofruar vite e vite më parë në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet nga askush si një akt tjetër, veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, paqes dhe stabilitetit”, deklaroi Berisha. Ndërsa kërkoi mirëkuptimin e Kosovës, “sepse është interesi i tyre jetik që problemin e vizave me BE-në ta zgjidhë me anë të procedurave në respekt të plotë me udhërrëfyesin që Brukseli u ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin e vizave. Për Kosovën nuk duhet të jetë Shqipëria, por Brukseli që vendos për lëvizjen e lirë në hapësirën e Shengenit”.
Gjiknuri, kundër
Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, deputeti Damian Gjiknuri, ka reaguar menjëherë për vendimin e qeverisë për “Përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”. “I dëmshëm dhe në ikje!!! Sali Berisha vazhdon të qeverisë sikur të mos ketë ndodhur asgjë!!! Sot kalon një vendim qeverie për çështje delikate të shtetësisë që karakterizohet nga populizmi i tij, populizëm që populli e ndëshkoi me votë. Të njëjtën gjë kërkon të bëjë me pensionet dhe rrogat apo me afera të tjera financiare sikur të mos kish ndodhur asgjë, duke thelluar gropën financiare që ka krijuar ndër vite.
Ky zotëri nuk ka më legjitimitet për të qeverisur, pavarësisht se është akoma në detyrë si një qeveri në ikje. Ai nuk mund të marrë vendime që krijojnë pasoja për mazhorancën e re, pasi populli e flaku nga pushteti pikërisht për dëmet që i shkaktoi kësaj shoqërie”, reagon Gjiknuri nëpërmjet faqes “Facebook”. Socialisti më tej jep alarmin dhe për ndërhyrjet që kjo qeveri në ikje po ndërmerr si në drejtësi apo në ILDKP. “Të njëjtin nxitim dhe papërgjegjshmëri po stimulon edhe te pushtetet e tjera “të pavarura”, duke emëruar njerëz besnikë për t’u mbrojtur nesër apo për të sistemuar militantët e tij në ikje nga zyrat që kishin okupuar. Kjo po ndodh në drejtësi, ILDKP, prokurori dhe kudo ku ai ka akoma influencë pushteti. Mazhoranca e re ka marrë një mandat gati kushtetues për t’i adresuar këto probleme, duke lëshuar sinjale të qarta për frenimin e shkatërrimit të mëtejshëm të institucioneve nga Kryeministri në ikje. Shumica e re mund të ketë vështirësi në adresimin e problemeve ekonomike që trashëgon, por ka detyrimin parësor për të bërë drejtësi dhe shtet ligjor. Populli mund të durojë varfërinë, por s’mund të tolerojë pafundësisht padrejtësinë dhe arrogancën qeverisëse, prandaj e ndëshkoi atë me votë plebishitare më 23 qershor”, thekson Gjiknuri.
Abdiu: I takon qeverisë Rama
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, duhet të bëjë rolin e administratorit të ekzekutivit, pa të drejtë vendimmarrjeje, deri në konstituimin e qeverisë në shtator nga qeveria e majtë. Është ky mendimi i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, i cili në një prononcim për gazetën “Shqip”, i pyetur në lidhje me vendimin e djeshëm të qeverisë për dhënie të shtetësisë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, theksoi se Berisha nuk duhet të marrë vendime, sidomos vendime të tilla me rëndësi kombëtare. Për ish-kreun e Kushtetueses, këto lloj vendimesh është e mira që të ndërmerren nga qeveria e re, e cila do të ketë dhe kohën e mjaftueshme për të mos u nxituar në vendimet e saj. Gjithsesi Abdiu pohon se ky vendim nuk ia heq kompetencat Presidentit të Republikës, i cili është institucioni që dekreton dhënien e shtetësisë.
Tabela e përfituesve
a) Personave të lindur nga të paktën një prind, që zotërojnë shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes;
b) Personave, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me të paralindurin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare;
c) Personave me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së apo një shteti tjetër, shtetasit e të cilit mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen apo që janë me qëndrim me dokumentacion të rregullt në njërin prej këtyre shteteve;
ç) Personave me origjinë shqiptare që zotërojnë shtetësinë e një shteti tjetër ose janë pa shtetësi, kur një nga prindërit e kërkuesit zotëron shtetësinë shqiptare;
d) Personave, prindërit e të cilëve janë persona me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti tjetër ose nuk kanë shtetësi dhe kur kërkuesi ka lindur në territorin e Republikës së Shqipërisë.
SHQIP
Add new comment