Basha: Anëtarësia të zgjedhë deputetët

Postuar në 10 Korrik, 2013 03:13

Gara në PD

Olldashi sulmon Ramën nga Shkodra, rivali i tij paraqet platformën

Kandidatët për kreun e ri që do zëvendësojë Sali Berishën në krye të Partisë Demokratike vijuan edhe dje takime me bazën, ku prezantuan platformën e tyre opozitare për katër vitet e ardhshme. Ashtu si dhe në takimet e mëparshme, kandidatët në fjalën e tyre kanë vënë theksin te rëndësia që do ketë në të ardhmen anëtarësia e PD-së, e cila sipas tyre do të bëjë të mundur krijimin e mazhorancës morale.

Lulzim Basha

Para anëtarëve të PD-së të njësive bashkiake 8, 9 dhe 10 në Tiranë, kandidati Lulzim Basha në fjalën e tij theksoi se zëri i anëtarit të PD-së do të dëgjohet në përzgjedhjen e kandidaturave drejtuese të kandidatëve për deputetë, drejtuesve vendorë etj. “Çdo anëtar i Partisë Demokratike, që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri te përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë”- u shpreh Basha. Kryebashkiaku i Tiranës nuk harroi të sulmojë dhe mazhorancën e majtë, e cila sipas tij, dëshmoi se është kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm mazhorancë pazaresh. “Përballemi sot me një mazhorancë që është standardi më i ulët i së kaluarës 22-vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një mazhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD-ja duhet të jetë gati t’i përgjigjet, si mazhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen”, tha Basha, i cili vijoi takimet e tij me bazën në Qarkun e Dibrës.

Sokol Olldashi

Ndërsa kandidati tjetër për postin e kreut të PD-së Sokol Olldashi, gjatë prezantimit të projektit të tij për drejtimin e partisë më të madhe të së djathtës, deklaroi para anëtarëve të bazës së Ersekës dhe Leskovikut se Partia Demokratike duhet të riorganizohet në formatin e saj organizativ dhe politik, për të nisur një aksion opozitar që do të sjellë rikthimin e kësaj force fituese në vend. “Duhet të përcaktojmë disa kufij politikë dhe t’u japim qytetarëve një kartë morale të fortë opozitare. Opozita është moral dhe jo numra në Parlament”, tha Olldashi, i cili sulmoi ashpër dy krerët e mazhorancës së majtë Edi Ramën dhe Ilir Metën. “Kemi përballë mazhorancën e Edi Ramës, një njeri i provuar që ndërton vetëm pushtet klientelist dhe të korruptuar. Kemi pjesë të pushtetit të Edi Ramës dhe vektorin e Ilir Metës që nuk është as parti politike, as formacion politik, por është një çetë hajdutësh”, deklaroi Olldashi. Ndërsa, dje pasdite, Sokol Olldashi zhvilloi takime me strukturat dhe bazën e PD-së në Qarkun e Shkodrës.

 

Akuza

Braçe: Drejtësia do bëhet duke nisur nga ty

Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit të saj Erjon Braçe, i është kundërpërgjigjur ashpër akuzave të kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha. “Krimi yt nuk do të harrohet, se shqiptarët janë njerëz me moral dhe morali i tyre buron nga drejtësia dhe drejtësi do të bëhet!! Duke nisur nga ty!!”, deklaron Braçe.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.