Rama: Nishani duhet të lexojë votën, kryeprokurori s’ka bërë gjë konkrete

Postuar në 10 Korrik, 2013 15:05

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Braho - Përfaqësuesi i LSI, Spartak Braho, i zgjedhur deputet brenda listave të PS ishte dje pjesë e mbledhjes së grupit të ri të socialistëve. Duket se Braho do të vijojë të jetë formalisht pjesë e grupit PS-së.

Braçe - Deputeti socialit, Erjon Braçe, vlerësoi dje në rrjetet sociale fjalimin e mbajtur nga Rama në mbledhjen e grupit, por sipas tij, ajo fjalë duhej diskutuar në këtë mbledhje. Dje duket se koha nuk e lejoi diçka të tillë.

Ministrat - Rama theksoi se ai ende nuk e dinte nëse qeveria e re do të ishte një qeveri më me pak apo më shumë ministra, po dinte me siguri që kjo qeverisje do të kushtonte më pak dhe reforma e ekzekutivit në të gjitha nivelet do të ishte drastike.

Presidenti - Kreu i PS-së theksoi se epoka e agresionit qeveritar dhe retorikës vulgare në funksion të luftës politike të shumicës me institucionet e pavarura dhe me Presidentin e Republikës, ishte mbyllur në 23 qershor.

FMN - Socialistët ende nuk e kanë marrë vendimin nëse qeveria shqiptare do të nënshkruante apo jo një marrëveshje të re me FMN. Sipas Ramës, kjo temë do të diskutohej gjerësisht dhe imtësisht në muajt në vijim.

Mbrëmja - Kryetari i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, morën dje pjesë në darkën e shtruar nga Komuniteti Mysliman me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit. Këtë foto ai e shpërndau në rrjetet sociale.

Kreu i PS

Kryeministri i ardhshëm paralajmëron Berishën: Do t’i zhbëjmë vendimet e tenderëve pas 23 qershorit

Fatjona Mejdini

Kryeministri i zgjedhur nga shqiptarët, Edi Rama, mbajti dje mbledhjen e parë të grupit parlamentar socialist të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pavarësisht faktit se të zgjedhurit nuk e kanë marrë ende ligjërisht mandatin e ri për shkak se legjislatura e re çelet në muajin shtator, Rama ndau me të zgjedhurit socialistë mesazhe të rëndësishme për sa i përket periudhës së kalimit të pushtetit. Por fjala 45 minutëshe e kreut të PS-së nuk u përqendrua vetëm te mesazhet që ai dha për deputetët socialistë, por mesazhe tepër të rëndësishme, Rama dha dje për Kryeministrin ende në detyrë, Sali Berisha, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe Guvernatorin e Bankës Qendrore, Ardian Fullanin. Por mesazhet vijuan për pushtetin e drejtësisë dhe investitorët. Ai nuk kurseu tonet kritike ndaj Berishës që po vijonte të shpërdoronte sipas tij paratë e shqiptarëve, ndaj Nishanit në lidhje me emërimet e fundit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndaj Llallës për sa i përket faktit se nuk kishte sjellë asnjë provë për zbatimin me profesionalizëm të detyrës dhe ndaj Fullanit kur theksoi se kishte ardhur koha kur shqiptarët të mësonin situatën e vërtetë ekonomike. Rama foli dhe për procedurën e krijimit të qeverisë së re, duke theksuar se mes PS-së dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk kishte ndarje dhe se “mandati i rëndë sa një mal” do të ndahej në qeverisje me LSI-në. Ai theksoi se llogaritjet sesa deputetë do të kishte marrë PS-ja ose LSI-ja po të kishin dalë të vetme në zgjedhje, u përkisnin njerëzve pa punë, si ish-deputeti socialist, Kastriot Islami.

Mesazhet për deputetët

Kreu i PS-së, Edi Rama, dha dje disa mesazhe të rëndësishme për deputetët e tij, duke folur për një rol më aktiv të tyre dhe për ngritjen e tre grupeve pune. Rama theksoi se socialistët duhet të krijonin një lidhje të afërt me qytetarët që i kishin zgjedhur, duke mos harruar asnjëherë që ata ishin produkt i tyre dhe të mos bëheshin arrogantë kundrejt tyre. Rama theksoi se të gjithë deputetët duhet të kishin zyrat e tyre në zonën ku kishin marrë mandatin dhe se së shpejti do të ngrihej një grup pune i cili do të përcaktojë shërbimin standard të deputetit në zonën e tij të kujdestarisë. “Të presim e përcjellim me mirënjohje çdo njeri që na troket në derë. Të mbajmë shënim e të kthejmë përgjigje për çdo ankesë e kërkesë”, porositi Rama. Një theks të veçantë Rama vendosi te roli i deputetëve në punësimin e qytetarëve shqiptarë. Teksa foli për ngritjen e një grupi i pune i cili përcaktoi metodologjinë e trajtimit me transparencë dhe respekt të të gjitha burimeve njerëzore në dispozicion, ai theksoi se deputeti do të kishte rolin e promotorit të punësimit të njerëzve, pranë sipërmarrjeve dhe investimeve, vendase apo të huaj, duke bashkëpunuar ngushtë me pushtetin vendor. Rama foli dhe për një grup të përbërë nga deputetë dhe specialistë, të cilët do të merrnin komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, duke u bërë zëdhënësit e tyre në lidhje me situatën e tranzicionit të pushtetit.

Kritikat për Berishën

Rama theksoi se aktualisht qeveria në detyrë ishte humbëse, por sjellja e saj ishte sikur të kishte fituar zgjedhjet. Kryeministri i zgjedhur në 23 qershor, i bëri thirrje Berishës të ndalte marrjen e vendimeve që mund të çonin në harxhimin e parave të shqiptarëve pa asnjë kriter. Por ai theksoi në mënyrë të qartë se të gjitha vendimet dhe koncesionet e marra në këtë kohë do të ktheheshin mbrapsht. “Ne do të anulojmë çdo vendim për shpenzime parash, që shkojnë përtej kostove normale të rolit të një qeverie kujdestarie në një fazë tranzicioni të pushtetit. Po ashtu, do të zhbëjmë menjëherë edhe çdo vendim për tenderë, privatizime e koncesione të marrë pas 23 qershorit”, theksoi Rama, duke u bërë thirrje investitorëve të tërhiqeshin nga kontratat e dyshimta me qeverinë në këtë kohë.

Mesazhet për institucionet

Rama kritikoi Nishanin për emërimet e fundit në KLD dhe theksoi se ai duhet të kuptonte se qeveria e re kishte një shumicë kushtetuese të dhënë nga shqiptarët. Por Rama la të kuptohej se kjo shumicë nuk do t’i cenonte krerët e institucioneve të pavarura, por do të bashkëpunonte ngushtë me ta, duke thënë shembullin e një klime të re mes palëve. “I kam thënë Presidentit të Republikës se fakti që vijmë nga dy kampe kundërshtare për mua s’është një problem, po një mundësi e madhe në rrugën e ndërtimit të një kulture të re europiane të funksionimit të shtetit shqiptar. Dua të shpresoj që edhe ai do ta shohë kështu e do të punojë bashkë me Kryetarin e ri të Kuvendit dhe me mua, jo si noteri i një pale që ka humbur zgjedhjet, po si garanti kushtetues mbi të gjitha palët në përpjekjen tonë për të rilindur Shqipërinë duke ecur më shpejt. Ashtu siç dua të shpresoj se zoti President do ta lexojë me përpikmëri votën e 1 milion shqiptarëve, që na dhanë 84 mandate, duke na hequr çdo justifikim të mundshëm edhe për sa ka të bëjë me reformën dhe performancën e pushtetit gjyqësor”, tha Rama, duke paralajmëruar një reformë të thellë në fushën e drejtësisë. “Ne nuk do bëjmë sehir duke parë se me çfarë brutaliteti e drejta vritet dhe sakatohet në farsat e sallave të gjyqësorit. Ne nuk do bëhemi kurrë aleatë me gjykatës të korruptuar. Qeveria e re do jetë belaja më e madhe e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë. Qeveria do hapë një luftë të re dhëmb për dhëmb me krimin e organizuar që ka gjetur shesh për të bërë përshesh. 1 milion njerëz na kanë dhënë mandat që t’u kthejmë sigurinë e humbur të jetës dhe pronës”, tha Rama. Një kritikë ai e ka rezervuar edhe për kryeprokurorin Adriatik Llalla duke thënë se nuk ka bërë asgjë konkrete. “Ne nuk kemi votuar as për Presidentin dhe as për kryeprokurorin, por ky kryeprokuror nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar vlerësimin tonë. Ia kam bërë të qartë se ne do qeverisim pa kompromis për korrupsionin. Dua të shpresoj se prokuroria në drejtimin e tij do të shënojë progres real në betejën me gangrenën e vendit, krimin dhe korrupsionin”, tha Rama. Për sa i përket Fullanit, Rama theksoi se i kishte kërkuar të nxisë realizimin sa më shpejt në kohë, të një Programi të Vlerësimit të Sektorit Financiar që zhvillohet, bashkërisht, prej FMN-së dhe Bankës Botërore, sepse shqiptarët meritonin të dinin të vërtetën.

Qeveria e re

Rama hodhi poshtë dje të gjitha spekulimet në media në lidhje me emrat e qeverisë së re. Sipas Ramës, brenda javës së tretë të korrikut grupet e punës mes PS-së dhe LSI-së do të bënin gati strukturën e qeverisë së re dhe më pas mund të flitej për emra.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.