Ndryshon Lezha, e majta bie në 83 mandate, KQZ merret në mbrojtje nga policia

Postuar në 11 Korrik, 2013 05:20

Mazhoranca e re bie në 83 mandate deputetësh. Të majtët kanë humbur mandatin e 4 në qarkun e Lezhës, i cili u ka kaluar demokratëve që tashmë arrijnë të përmbysin rezultatin e përgjithshëm në këtë qark në 4 me 3. Për këtë ka mjaftuar ndërhyrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk ka njohur rezultatin e sjellë nga KZAZ-ja 13 në qytetin e Lezhës për 10 kuti votimi, me argumentin se ato ishin të falsifikuara dhe ka përfshirë në tabelën përmbledhëse të rezultatit të dhënat që jep sistemi elektronik i këtij institucioni. Falë këtij operacioni, e djathta në këtë qark ka rikuperuar plot 541 vota nga këto 10 kuti, duke dalë në fund të të gjithë procesit 39 vota para koalicionit të majtë, çka i kanë mjaftuar për të kthyer raportin e mandateve në 4 me 3 në favor të saj.

Mbledhja

Para se të miratonte tabelën përmbledhëse të rezultatit për këtë zonë zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme ka kërkuar të administrojë nga subjektet politike kopjet kimike të tabelave të rezultateve. Por subjektet e majta nuk kanë pranuar të vënë në dispozicion këto tabela, duke e konsideruar gjithë këtë proces si një show nga ana e KQZ-së. Të vetmit që kanë vënë në dispozicion këto tabela kanë qenë demokratët, të cilët i kanë dorëzuar KQZ-së 4 kopje tabelash kimike dhe për 5 kuti të tjera kanë dorëzuar fotokopje të tyre. Pas verifikimit që ka bërë, administrata e KQZ ka informuar mbledhjen se të 4 tabelat kimike përkonin plotësisht me të dhënat që përmbante dhe sistemi elektronik për këto qendra votimi. Ndërsa për 5 fotokopjet e tjera, ata kanë deklaruar se ato nuk mund të merreshin në konsideratë. Por kryetarja e komisionit, Lefterie Lleshi, për të mos i dhënë shkak partive të opozitës se KQZ i mori tabelat nga PD, ka vendosur që asnjëra nga tabelat kimike të mos pranohej, duke urdhëruar administratën që të bënte përllogaritjen e rezultatit final për këtë qark, duke përllogaritur atë për 248 kuti sipas tabelave të grupeve të numërimit dhe për 10 kutitë e tjera të falsifikuara, sipas të dhënave që jep sistemi elektronik i KQZ-së.

Përllogaritja

Pas një pushimi të shkurtër, administrata e KQZ-së ka shpërndarë për anëtarët dhe përfaqësuesit e partive politike një projektvendim të ri, ku llogaritë ishin bërë sipas porosisë së dhënë nga kryetarja e Komisionit. Sipas tabelës së re përmbledhëse koalicioni i majtë ka zbritur në total 39525 vota ndërsa ai i djathti ka 39564 vota, pra 39 vota më shumë. Por të majtët, veçse kundërshtuan kryerjen e këtij operacioni në këtë fazë, pasi sipas tyre tabela mund të ndryshojë vetëm me proces ankimor, kanë kundërshtuar edhe faktin se për herë të parë në një palë zgjedhje KQZ ka miratuar një tabelë përmbledhëse duke marrë në konsideratë rezultatet që ka sistemi elektronik, i cili është krijuar për të dhënë rezultatet paraprake, por jo përfundimtaret dhe zyrtaret. Përfaqësuesi i LSI-së ka ngritur dyshime mbi integritetin e sistemit elektronik të KQZ-së, pasi sipas tij ishin të dhënat që kishte ky sistem deri para pak ditësh që i jepnin të majtës 4 mandate në këtë qark, ndërsa tani me këto të dhëna rezultati ndryshoka. Por burime nga KQZ bënë të ditur se të dhënat që kishte sistemi deri para pak ditësh ishin të pasakta dhe prodhonin një rezultat në favor të së majtës, për shkak se njëra kuti ishte hedhur 2 herë dhe se në tabelën përmbledhëse të këtij qarku në sistem mungon rezultati i dy kutive. Pavarësisht kësaj, të majtët kanë paralajmëruar se do ta godasin këtë vendimmarrje për shkak të detyrimeve të Kodit sërish po në KQZ dhe më pas Kolegj. Ata kanë paralajmëruar se ashtu si pala kundërshtare zotëronte prova që vërtetonin manipulimin e 10 tabelave të rezultateve, edhe ata zotëronin prova të tjera për manipulime me kuti të tjera, të cilat kanë premtuar se do t’i vënë në dispozicion gjatë procesit ankimor. Përfaqësuesi socialist, Genci Gjonçaj ka paralajmëruar publikisht se nuk përjashtohet mundësia që PS të kërkojë pavlefshmëri të zgjedhjeve në këtë qark, çka do të thotë rivotim. Nga ndryshimi i djeshëm i votave në tabelën përmbledhëse, PD merr në këtë qark 4 mandate, duke futur kështu deputet dhe Vasil Bicin, ndërsa PS mbetet me 2 mandate, për shkak se Arben Ndoka mbetet jashtë. Një mandat në këtë qark e merr LSI.

Policia merr në mbrojtje 4 anëtarët e KQZ dhe Kosovrastin

Policia e Shtetit ka marrë në mbrojtje katër anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesin e PD, Niazi Kosovrastin. Shkak për këtë mbrojtje janë bërë mesazhet që mori dy ditë më parë përfaqësuesi demokrat, Kosovrasti nga persona të panjohur, ku ai kërcënohej me jetën e familjes së tij. Prezenca e forcave të policisë vihej re lehtësisht dje në korridoret e KQZ-së, ndërsa anëtarët dhe Kosovrasti qëndronin në mbledhje. Gjatë çdo lëvizjeje të personave të marrë në mbrojtje polica civilë i shoqëronin kudo. Burime nga KQZ kanë bërë me dije se menjëherë pasi Kosovrasti bëri të ditura në mbledhjen e së martës në KQZ mesazhet kërcënuese, drejtori i përgjithshëm i policisë ka urdhëruar shoqërimin e tij dhe të katër anëtarëve, Lefterie Lleshin, Gysen Osmanajn, Vera Shtjefnin dhe Klement Zgurin me forca policie në 24 orë. Mësohet se anëtarët e KQZ-së kanë kundërshtuar fillimisht këtë vendim, por janë detyruar ta pranojnë atë pasi është detyrim i policisë që të sigurojë personat që u kërcënohet jeta për shkak të ushtrimit të detyrës. Situata u rëndua në KQZ vetëm dy ditë më parë, kur ky komision vendosi të mos marrë parasysh 10 tabela rezultatesh të ardhura nga KZAZ-ja 13 në Lezhë, duke i konsideruar ato të falsifikuara. Me këtë veprim KQZ bëri që PS të humbas një mandat në këtë qark, duke prekur kështu interesat direkte të personave të caktuar, çka solli dhe tensionimin e situatës në KQZ. Përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti në mbledhjen e së martës deklaroi se është kërcënuar në telefon pas deklaratave në KQZ lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës. Ai bëri të ditur se në telefonin e tij kanë mbërritur 4 mesazhe kërcënuese nga persona ende të paidentifikuar. Kosovrasti lexoi disa pjesë të këtyre mesazheve, ku ai kërcënohej me familjen e tij. “Çdo gjë që na del përballë gjakun dhe djersën tonë, vetëm familja jote e lan”, – shkruhej në njërin prej këtyre mesazhe, të lexuara nga Kosovrasti, ndërsa në tjetrin: “Do ta shikosh sa të vlen lëkura, të fala fëmijëve”. Ai kërkoj sensibilizimin e autoriteteve shtetërore, ndërsa siguroi më pas se ato mesazhe ia kishte vënë në dispozicion edhe prokurorisë. Menjëherë pas këtij momenti në ambientet e KQZ-së mbërritën forca të tjera policie që kanë marrë në mbrojtje institucionin. Ky nuk është rasti i parë që policia merr në mbrojtje anëtarët e KQZ-së, pasi edhe në 2011 ndodhi e njëjta situatë.

Noka: Në Lezhë, një person ka votuar 30 herë

Arben Noka, mandati i të cilit lëvizi drejt koalicionit të djathtë pas miratimit të tabelës përfundimtare në KQZ, e cilëson këtë vendim antiligjor dhe katër anëtarët e këtij institucioni ‘të përdorur politikisht’. “Veprimi është i padrejtë. Ne jemi 740 vota përpara dhe sistemi elektronik nuk përbën bazë ligjore për t’u përdorur në rezultatin final. Ne bazohemi në procesverbalet që janë firmosur pa kontestime nga të gjithë anëtarët e ZAZ-së 13”, – deklaron Noka. Kandidati i Partisë Socialiste thotë se në vend që KQZ të gjykonte publikisht komisionerët që kanë firmosur në unanimitet procesverbalet, duhet të hetojë shkeljet e rënda ligjore në qarkun e Lezhës. Për këtë ai shton se ka të faktuar për votimin fiktiv në këtë qark. “Në zonën e Kurbinit është votuar 30 herë nga një person. Ne kemi prova që do t’i paraqesim në Kolegjin Zgjedhor pasi të kemi bërë ankimimin. Në këtë zonë është votuar në masën 94 për qind, e pandodhur më parë në Shqipëri dhe sipas sistemit TIMS rezulton se 70 për qind e tyre nuk kanë qenë fare në Shqipëri”, – thekson Noka. Arben Noka thotë më tej se vendosjen e drejtësisë në vend tashmë e pret nga Kolegji Zgjedhor, për t’u kthyer siç shprehet ai, besimin votuesve të Lezhës, që për herë të parë kanë votuar në masë të qartë dhe të dukshme për koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste.

    MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.