"Korrupsioni dhe pastrimi i parave mbajtën peng Shqipërinë"

Korrupsioni i lartë dhe pastrimi i parave mbajnë peng zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërinë. Kështu është shprehur Natasha Srdoc, drejtoresha e Institutit të Adriatikut për politikat publike në një intervistë për “Deutsche Welle”. 111,6 miliardë dollarë kanë dalë jashtë Europës Juglindore nga aktivitetet kriminale dhe evazioni fiskal.
Znj. Srdoc, si do ta përshkruani situatën në Europën Juglindore lidhur me korrupsionin dhe pastrimin e parave, që kanë qenë në qendër të një studimi të kohëve të fundit të Institutit të Adriatikut, që ju drejtoni?Ju lutem a mund të sillni fakte dhe shifra për DW?
Të gjitha vendet e Europës Juglindore, pa asnjë përjashtim, vuajnë nga moszbatimi i ligjit, ndikim i konsiderueshëm i politikës mbi sistemin gjyqësor dhe nga mungesa e mekanizmave dhe institucioneve të pavarura për të luftuar nga brenda korrupsionin e shfrenuar. Politikanë, zyrtarë të qeverisë dhe partnerë të tyre në krim kanë grumbulluare shuma të mëdha parash dhe pasurish të paligjshme dhe kanë bllokuar zbatimin e ligjit, gjyqësorin e pavarur, mbrojtjen e të drejtave të pronës. Nuk ka një ndarje të qartë mes pushteteve: legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Sipas të dhënave të Global Financial Integrity, një organizatë kjo me seli në Washington DC, shumat financiare ilegale, që kanë dalë jashtë vendeve të rajonit të Europës Juglindore, kanë shkaktuar “hemorragji” në pasuritë e këtyre vendeve dhe kanë varfëruar në mënyrë të konsiderueshme popujt e këtij rajoni. Sipas këtyre të dhënave 111, 6 miliardë dollarë kanë dalë jashtë vendeve të EJL, në harkun kohor 2001- 2010 përmes krimit, korrupsionit dhe evazionit fiskal. Në këtë shifër nuk përfshihen transaksionet e kryera në kesh. Në periudhën në fjalë nga Shqipëria kanë dalë 1, 3 miliardë dollarë që përbëjnë 10% të GDP
B-H 8,3 miliardë dollarë që përbëjnë 46 % të GDP, Bullgaria 15,8 miliardë dollarë që përbëjnë 30% të GDP, Maqedonia 4,6 miliardë dollarë që përbëjnë 44% te GDP, Mali i Zi 6,2 miliardë dollarë që përbëjnë 138 % të GDP, Rumania 8,8 miliardë dollarë që përbëjnë 5 % të GDP, Kroacia 15,2 miliardë dollarë që përbëjnë 25% të GDP dhe së fundi Serbia me 51,4 miliardë dollarë që përbëjnë 112% të GDP. Paligjshmëria në Evropën Juglindore është përforcuar nga përdorim i Ballkanit si një rrugë famëkeqe prej grupeve transnacionale të krimit të organizuar për skllavëri njerëzore, trafikim organesh, armësh, narkotikësh, financim të terrorizmit. Këto vende, të zhytura në korrupsion, kanë humbur deri më tani, kredibilitetin në raport me BE, për lufte efikase kundër krimit të organizuar. Psh, kriminelët që u arrestuan në Spanjë, në Shkurt 2012, kishin të gjithë pasaporta zyrtare kroate. Hetimet çuan direkt në Ministrinë e Brendshme të Kroacisë dhe nxorën ne drite një rekord shitjesh pasaportash ilegale, që në vitin 2006. Ky korrupsion ka trimëruar kriminelët e Ballkanit për të ngritur dhe drejtuar një ndërmarrje kriminale ndërkombëtare dhe rrjetin ballkanik të kokainës me destinacion vendet e BE.Asnjë zyrtar i lartë në Kroaci nuk doli para drejtësisë.
Çfarë mund të thoni për Shqipërinë? A është rritur apo ulur niveli i korrupsionit?
Natasha Srdoc: Indekse të ndryshme tregojnë që korrupsioni në Shqipëri është i lartë dhe mund të jetë në rritje. Në indeksin e Transparency International 2013, Shqipëria renditet në vendin e 31 ( 0 është vendi më i korruptuar dhe 100 ai që nuk ka fare korrupsioni). Megjithëse, Shqipëria ka një përmirësim të vogël në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që nga viti 2003, Indeksi i korrupsionit është përkeqësuar sërish këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, 2012. Indeksi i Lirisë Ekonomike për vitin 2013, i botuar bashkërisht nga Transparency International me “The Wall Street Journal” dhe “Heritage Foundation” e klasifikon lirinë e Shqipërisë nga korrupsioni si kategori të "shtypur”. Sipas indeksit: "Në Shqipëri po vazhdon reforma e rëndësishme e sistemit ligjor, por gjykatat janë subjekte të presionit politik dhe korrupsionit. Shqipëria është një vend tranziti të madh për trafikimin e qenieve njerëzore, armëve ilegale dhe narkotikëve "
Znj. Srdoc, cilët janë faktorët kryesorë që kanë gjeneruar një situatë të tillë në Ballkanin Perëndimor?
Ballkani Perëndimor nuk ka përfunduar tranzicionin nga komunizmi në ekonominë e tregut dhe qytetarët e tij jetojnë në një mjedis ku nuk zbatohet ligji. Fillimi i viteve 1990 shënoi largimin fillestar nga komunizmi, gje që u shoqërua me Luftërat në Ballkan dhe daljen e shteteve të pavarura. Tranzicioni i Ballkanit gjatë viteve 1990 solli dalje të paligjshme financiare masive nga rajoni, së pari përmes kontrabandës së armëve gjatë embargos së armëve të OKB-së, privatizimit të aseteve shtetërore përmes transaksioneve jo transparente, abuzimeve në pozicione zotëruese përmes ryshfeteve, shpërdorimit te detyrës publike duke zotëruar prokurimet publike – nga të cilat përfituan grupe të zgjedhura në kurriz të qytetarëve dhe taksapaguesve. Mekanizmat dhe metodat e daljeve të paligjshme financiare nga rajoni dhe pasurimi i paligjshëm u zhvilluan që nga fillim të viteve '90. Rrjetet ilegale të shërbimeve sekrete, policisë, qeverisë dhe strukturave ushtarake të themeluara në vitet '90, nuk u çmontuan kurrë. Daljet e paligjshme financiare dhe pastrimi i parave nga Kroacia dhe vende te tjera në rajon u bënë të mundura nga institucionet bankare në Austri dhe Lihtenshteini, për të cilat duhet adresuar tek gjyqtarë dhe prokurorëve të huaj.
A janë fenomenet, për të cilat po flasim, pengesa serioze për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor?
Po. Korrupsioni dhe pastrimi i parave, të lidhura edhe me daljet e paligjshme financiare përmes krimit, korrupsionit dhe evazionit fiskal po varfërojnë qytetarët dhe po shkaktojnë drejtpërsëdrejti hemorragji në financat e vendeve te EJL. Kjo vjedhje masive e thesareve financiare shtetërore të Ballkanit u grabit qytetarëve shërbimet e duhura të kujdesit shëndetësor, edukimin e fëmijëve, kujdesin për të moshuarit dhe infrastrukturën. Për më tepër, duke mbrojtur pasurimin e paligjshëm, zyrtarët e korruptuar në qeveri dhe politikanët po bllokojnë vendosjen e sundimit të ligjit, gjyqësorin e pavarur, mekanizmat e suksesshme për të luftuar korrupsionin. Kjo sjell frenimin e investimeve të huaja direkte, krijimit të vendeve të reja të punës, që reduktojnë më tej standardin e jetesës së qytetarëve në rajon dhe pakësojnë në mënyrë të konsiderueshme lirinë e tyre ekonomike. Nga njëra anë, financat po pësojnë “hemorragji”nga flukset dalëse të paligjshme , nga ana tjetër ka taksa dhe tatime të papërshtatshme për shkak të investimeve të reduktuara, papunësisë së lartë dhe aktivitetit ekonomik goxha të reduktuar. Tatimpaguesit dhe qytetarët po humbin në të gjitha anët: si fitues të ardhurash (nuk ka investime – nuk ka punë), si marrës shërbimesh nën-standard janë të detyruar të paguajnë taksa më të larta, nuk kanë asnjë mbrojtje të së drejtës së pronës dhe përballen me pasiguri të madhe ekonomike. Mungesa e mundësive të punësimit për të rinjtë e bën të pashmangshëm rrjedhjen e trurit, largimin e më të mirëve , më të zgjuarve.
Znj. Srdoc , çfarë dëmi i sjell situata, që po paraqisni, aspiratës së vendeve të Ballkanit Perëndimor- Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, B-H dhe së fundmi edhe Kosovë- për t'iu bashkuar një ditë BE?
Në rastin e Kroacisë, BE injoroi kriteret dhe parimet që kishte vendosur vetë dhe amnistoi politikanët e korruptuar të Kroacisë. Nëse e njëjta gjë do të ndodhë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, atëherë korrupsioni i shfrenuar do të mbizotërojë dhe do të ndikojë negativisht tek taksapaguesit e shteteve anëtare të BE, në lidhje me drejtësinë dhe ekonominë duke vënë në rrezik vetë projektin e zgjerimit të BE.
Instituti i Adriatikut është i mirënjohur në Europën Juglindore dhe më gjerë për studimet dhe analizat e tij ekonomike, politike dhe sociale. Çfarë do t'i jepte impulse të reja zhvillimit të rajonit, luftës më efikase ndaj korrupsionit, pastrimit të parave, trafiqeve ilegale?
Nga përvoja në 20 vitet e fundit , është e qartë se vendet e rajonit nuk mund ta luftojnë nga brenda korrupsionin, pastrimin e parave dhe trafiqet ilegale. Ajo që duhet janë gjyqtarë dhe prokurorë nga vende ku sundimi i ligjit është i fortë që do të jenë të aftë të konfiskojnë pasuritë e paligjshme të grumbulluara nga zyrtarë të korruptuar, të vendosin zbatimin e ligjit dhe gjykatat e pavarura pasi ata nuk janë të ekspozuar ndaj presioneve politike të regjimeve të korruptuara në rajon. Prania e gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj do të fuqizojë gjykatësit e ndershëm vendas dhe do të nxjerrë jashtë loje të korruptuarit, do të frymëzojë brezin e re të të diplomuarve në drejtësi dhe jurisprudencë. Ka precedentë të tillë në Ballkan dhe më gjerë në Komunuelth. Pa gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, procesi do të marrë shumë kohë, një brez të tërë, deri sa te këtë institucionet e duhura të një demokracie funksionale dhe ekonomie në rritje.
SHEKULLI
Add new comment