“Premtimet”, Basha: Mazhoranca e re piramidale do të përballet me opozitën

TIRANË Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, prezantoi platformën e tij në Berat dhe Kuçovë, ku ndër të tjera u përqendrua edhe tek qëndrimi i fundit i Ramës lidhur me konkursin e punësimit. “Demokratët e kanë kuptuar shumë mirë, tani kuptoje edhe ti shumë mirë, se për çdo person mbi të cilin do të godasë abuzivizmi yt, për të cilin je i famshëm në Tiranë, do të japësh llogari ligjore, financiare dhe politike para opinionit publik. Çdo orë e çdo minutë, demokratët do i kesh mbi kokë për 300 mijë vende pune që ke premtuar për heqjen e taksës së biznesit të vogël, për shëndetësinë falas për çdo qytetar dhe të gjitha premtimet e tua piramidale që e dinë që sot se s’ke ndërmend t’i mbash dhe ky do të jetë momenti, vëllezër e motra, kur ne nuk do të jemi vetëm Partia Demokratike në opozitë, por Partia Demokratike në qendër të një fronti të gjerë opozitar, në fakt në qendër të mazhorancës morale të shqiptarëve” – tha Basha. Në platformën e tij të drejtimit të partisë, Basha parashikon vlerësimin e kontributit dhe dhënies së shanseve për të ecur përpara, për çdo anëtar dhe militant të PD.
“… Më ngarkuat në një moment të veçantë për historinë e Shqipërisë, detyrën e kryediplomatit, në momentin e përpjekjes sonë për integrim euroatlantik, dhashë kontributin tim, përmbusha me nder misionin që më ngarkuat, më çuat në Ministrinë e Brendshme, ku duhej të plotësonim 120 kritere për premtimin tonë madhor të fushatës së 2009-ës, heqjes së vizave për shqiptarët dhe shumëkush thoshte se nuk ia dilni dot, por iu përvesha punës dhe bëmë realitet premtimin tonë, hoqëm vizat dhe u dhamë dinjitetin shqiptarëve. Është pra lidhja më e fortë që mund të ekzistojë, sepse është një lidhje e vërtetë, e bazuar tek ajo që unë dua për çdo anëtar, lidhja mbi mundësinë për të kontribuar, vlerësimi i kontributit dhe dhënies së shanseve për të ecur përpara, për çdo anëtar dhe militant të PD”,- tha Basha.
Mapo
Add new comment