E majta rikuperon mandatin e Lezhës. Katër partitë demokristiane do të shkrihen në një

E majta rikuperon mandatin e Lezhës. Katër partitë demokristiane do të shkrihen në një
Herion Mesi
Mazhoranca e re rikuperon mandatin e 84-t që iu hoq nga KQZ-ja në Qarkun e Lezhës pak ditë më parë, një mandat ky i nevojshëm për të krijuar shumicën e cilësuar në Kuvendin e ri që do të mblidhet në shtator. Mandati i artë do t’i afrohet pikërisht nga ish-aleati i PS-së në opozitë, Nard Ndoka, i cili mori mandatin e deputetit nën siglën e PD-së në Qarkun e Shkodrës. Kjo, pasi dakordësia e deputetit kristiandemokrat Mark Frroku me Nikollë Lesin, Zef Bushatin e Nard Ndokën po afron më shpejt sesa ishte parashikuar për bashkimin.
Kreu i PDK-së
Një ditë pasi dha shenjat e para të largimit të tij nga opozita e djathtë, Nard Ndoka konfirmon nismën për shkrirjen e katër partive demokristiane në një të vetme, e cila do të jetë pjesë e së majtës qeverisëse. Në një bisedë telefonike të zhvilluar pasditen e djeshme, kreu i PDK-së theksoi për gazetën “Shqip”, se forca që ai drejton është në fazën e fundit të bisedimeve me krerët e Aleancës Demokristiane, Partisë Kristian-Demokrate dhe Lidhjes Demokristiane të Shqipërisë, nga ku pritet të dilet me një deklaratë të përbashkët në ditët e ardhshme. “Është e vërtetë që jemi në bisedime të tilla për t’u bashkuar të gjithë bashkë në një parti të vetme. Jemi shumë pranë finalizimit të këtij bashkimi të demokristianëve, që do të jetë shumë më i fortë dhe solid. Po i shqyrtojmë të gjitha klauzolat e këtij bashkimi në detaje, dhe besoj se shumë shpejt do ta formalizojmë”, theksoi kreu i PDK-së, Nard Ndoka.
Bisedimet
Lajmi për bashkimin e katër partive demokristiane që veprojnë në Shqipëri, të cilat ditët e fundit kanë nisur bisedimet për t’u bashkuar në një parti të vetme, u bë i ditur dje nga zëdhënësi i Partisë Demokristiane, Agron Prebibaj, i cili në një prononcim për një të përditshme, theksoi: “Komisioni nismëtar i unifikimit gjatë këtyre ditëve, në projektin e idenë e vet ka intensifikuar takimet me drejtuesit e partive të spektrit kristian, duke ofruar dhe përpunuar zgjidhjen më të mirë të bashkimit në një”. Duke vijuar më tej në prononcimin e tij, zëdhënësi i PDK-së thekson se nismëtarë të këtij bashkimi janë pikërisht elita intelektuale e këtyre forcave. “Nismëtarët e bashkimit, Arben Gjinaj, Dedë Bajraktari, Lekë Vatnikaj, Kujtim Gjuzi, Mhill Gecaj, Fran Dashi, Agron Prebibaj, morën mbështetjen maksimale nga elita intelektuale demokristiane, të cilët provuan gatishmërinë e tyre për t’u vënë në shërbim të unifikimit demokristian”, tha Prebibaj. Projekti, sipas tij, është pranuar nga secili kryetar, “si nga z. Bushati, z. Lesi, z. Frroku dhe z. Ndoka. Tani mbetet projekti i formës së shkrirjes së siglave të partive në një të vetme, zgjedhja e siglës, ndryshimet statutore në përputhje me hapësirat ligjore”.
Deklaratat
Ndoka e Frroku e paralajmëruan bashkimin
Një ditë më parë, Nard Ndoka hapi siparin ndaj të gjithë demokristianëve, duke shprehur gatishmërinë për bashkimin në një, duke siguruar votën në krah të deputetit më të ri, Mark Frroku, nëse ai merr pjesë në qeverisje. “Po punojnë për bashkimin e partive kristiane. Kemi pasur kontakte dhe me partinë e Mark Frrokut, nëse PS-ja do i qëndrojë marrëveshjes me kristian-demokratët. Unë nuk do të votoj qeverinë, por do të votoj Mark Frokun”, paralajmëroi Ndoka, i cili e vlerësoi si pozitiv faktin që PD-ja humbi në Shkodër, pasi, siç tha ai, do të mbetej një ‘ishull’ i izoluar. Ndërsa kryetari më i ri kristian-demokrat, tashmë deputet, Mark Frroku, ka deklaruar qartë pak ditë më parë se “bashkëpunimi ndër demokristianët ka nisur. Ne jemi dy deputetë, së bashku unë dhe z. Ndoka shumë shpejt do të bashkojmë partitë”, tha Frroku.
Shqip
Comments
...Ndoka, i cili e vlerësoi
<p>...Ndoka, i cili e vlerësoi si pozitiv faktin që PD-ja humbi në Shkodër... Je i zgjedhur me votat e PD-se (jo me votat e PDK-se) dhe gezohesh qe PD humbi ne Shkoder. C'fare putane fshatare..!! </p>
Add new comment