Atentati në Tiranë, hakmarrjet mes Konomit dhe Muçës, vritet 50-vjeçari

Postuar në 15 Korrik, 2013 02:46

TIRANE- Ekzekutohet me silenciator një 50- vjeçar në hyrje të pallatit të tij, në rrugën “4 Dëshmorët” pranë shkollës “Partizani”, në Tiranë.

Viktima e krimit është Edmond Dervishi, specialist i KQZ-së. Rreth orës 22:00 ai u qëllua nëntë herë me armë zjarri, kur po ngjiste shkallët drejt shtëpisë së tij, në katin e tretë të pallatit ku ndodhi krimi. Atentati ishte organizuar në një rrugicë që lidh rrugët mes shkollës “Partizani” dhe Shkollës së Kuqe, në Tiranë. Të paktën tre persona dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasje, pasi i kanë zënë pritë viktimës brenda një makinë të zezë tip “Benz”, prej nga ku kanë ndjekur lëvizjet e tij. Pas ngjarjes, nga policia është ngritur një grup hetimor, i kryesuar nga drejtori i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj. Dyshimet paraprake të Policisë lidhen me vrasjen e vëllait të viktimës, Gentian Dervishi, 13 vite më parë, te Shkolla e Kuqe, vetëm pak metra larg vendit ku ndodhi vrasja e mbrëmshme. Ka qenë pikërisht vrasja e vëllait të Edmond Dervishit që ka drejtuar grupin hetimor në ngritjen e pistës së parë, atë të një hakmarrjeje të mundshme. Verifikimet e para që ka kryer Policia në arkivat e krimeve të vjetra, kanë çuar hetuesit në zinxhirin e hakmarrjes mes grupeve rivale të Gaz Muçës dhe Naim Zyberit, ndodhur në Tiranë dy dekadat e fundit. Një nga dosjet e hapura mbrëmë nga policia është edhe vrasja e Franc Konomit, personazh me të cilin dy vëllezërit, Gentian e Edmond Dervishi, kanë pasur miqësi. Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, Policia tha se dyshohet të jetë paralajmërimi i një hakmarrjeje të mundshme. Sipas disa të dhënave, 50-vjeçari kishte nisur të hetonte në mënyrë private për të zbuluar autorët që i vranë të vëllain 13 vjet më parë, pasi ngjarja ishte ende pa autor. Edhe pse Policia ka pasur dyshime, asnjëherë nuk ka arritur të sigurojë prova për arrestimin e vrasësve të Gentian Dervishit. Vrasja e Edmond Dervishit, pikërisht në këtë moment, sipas Policisë tregon se vrasësit e vëllait mund të kenë kuptuar “hetimet” e tij dhe kanë vendosur ta eliminojnë për të parandaluar një sulm të mundshëm.

ATENTATI 
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:00, 50-vjeçari Edmond Dervishi sapo kishte hedhur hapat e parë në hyrjen e pallatit, kur drejt tij është shkrepur një pistoletë me silenciator. Pasi e kanë goditur dy plumbat e parë, ai ka tentuar të largohet dhe i plagosur ka nisur të ngjisë shkallët e pallatit, për të trokitur në derën e katit të tretë, ku kishte shtëpinë. Autorët duket se kishin llogaritur mirë gjithçka. Nga dritaret mes sheshpushimeve të shkallëve ata kanë vazhduar të qëllojnë, derisa me plumbin e nëntë të marrë në trup Dervishi ka ndërruar jetë në vend. Shenjat që kanë lënë plumbat në murin e pallatit, nga kati i parë deri në të tretin, ishin të dukshme mbrëmë, pavarësisht errësirës në zonë. Vendi ku ndodhi krimi ka qenë mjaft e populluar, madje edhe nga fëmijë, të cilët edhe pse nuk kanë dëgjuar të shtënat me armë zjarri, pasi pistoleta dyshohet të ketë qenë me silenciator, kanë treguar për Policinë se kanë parë një automjet që largohej me shpejtësi nga sheshpushimi i pallatit, por s’kanë arritur t’i fiksojnë targat. Forca të shumta të Policisë së Tiranës, të kryesuara nga drejtori Bernard Çaushaj, me vonë edhe nga drejtori i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Ndërsa brenda pak minutash, rruga “Thanas Ziko”, përbri shkollës “Partizani”, rrugicat mes pallateve e përtej Shkollës së Kuqe janë blinduar nga punonjës Policie me dhe pa uniformë. Përveç mbledhjes së provave në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë nisur verifikimet në zonën përreth për sekuestrimin e kamerave të sigurisë. Në hyrje- daljet e kryeqytetit mbrëmë janë vendosur forca të Policisë, që kanë kryer kontrollin e automjeteve të dyshimta me qëllim kapjen e autorëve.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.