Vrasja e 47-vjeçarit Edmond Dervishi, flet i ati: Të zbardhen vrasjet e djemve

Gëzim Dervishi: Edmondi nuk kishte probleme, e ekzekutuan në pabesi. Drejtësia s’ka zbardhur vrasjen e Gentit
Silvana Muça
Çfarë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës?Gëzim Dervishi, babai i Edmondit, 47-vjeçarit që u ekzekutua me 18 plumba mbrëmjen e së dielës në rrugën “Thanas Ziko” në Tiranë, thotë se nuk është në dijeni të problemeve që i biri mund të ketë pasur kohët e fundit. Madje, pak minuta para vrasjes, 47-vjeçari kishte qenë në banesën e të atit, për ta takuar. I ndjeri sapo ishte kthyer nga plazhi dhe sipas të atit, nuk shfaqte asnjë shenjë shqetësimi. Gëzim Dervishi, përveç dhimbjes së madhe për humbjen e djalit, ndien edhe zemërim prej policisë, e cila, sipas tij, nuk ka arritur që të zbardhë vrasjen e djalit tjetër, e ndodhur në vitin 1997. “Unë nuk e dua më jetën, sepse dy djemtë e mi janë vrarë dhe arsyet dhe autorët nuk i di. Jam i zhgënjyer, sepse policia ende nuk ka arrestuar personat që më vrarë djalin e vogël, në vitin 1997 dhe pa marrë përgjigje për vrasjen e parë prej kaq vitesh, ndodh edhe tragjedia tjetër. Gjithçka për ne ka qenë e papritur. Im bir nuk është as biznesmen, nuk është përzier me banda dhe nuk ka pasur konflikte me njeri. Vrasja e tij ka ndodhur si rrufeja në qiell të hapur”, shprehet babai i Edmond Dervishit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, i moshuari ka treguar momentet e fundit me të birin dhe mekanizmin e ngjarjes së rëndë..
Po si e morët vesh vrasjen e djalit?Djali, atë ditë, kishte qenë në plazh me shoqërinë e tij. Në mbrëmje u kthye për të më takuar mua, pasi kam disa probleme me shëndetin. Kam bërë ndërhyrje kirurgjikale te sytë dhe ai vinte herë pas here për të më pyetur. Qëndroi pak dhe më tha se do të shkonte në shtëpi së bashku me nusen, për t’u çlodhur. Unë isha shtrirë dhe po merrja ilaçin tek sytë, kur në televizor dëgjoj që tek gjimnazi “Partizani” ishte vrarë njëri që jetonte në katin e tretë. I thashë bashkëshortes që kishte ndodhur vrasje, por nuk ma mori mendja që ishte im bir, sepse ai jetonte në katin e shtatë të pallatit.
Nuk tregova interes për vrasjen, ngaqë isha duke marrë mjekim, edhe pse e dija fort mirë vendin e ngjarjes. Pas pak minutash televizori thotë që personi i cili është vrarë e ka emrin Edmond Dervishi. Dola me vrap tek vendi ku ndodhi ngjarja. Aty pashë policinë që kishte rrethuar vendin e krimit. E morën trupin dhe e dërguan në spital. Askush nuk më thoshte gjë, për atë që kishte ndodhur dhe unë akoma nuk e di se sa herë është qëlluar im bir. Nuk jam interesuar.
A ka pasur djali juaj shqetësime?
Ai nuk ka pasur asnjë shqetësim dhe në orën 10:00-12:00 shkonte në shtëpi si një familjar i denjë. Po të kishte probleme im bir, unë do ta dija, por nuk ka pasur asnjë problem, me asnjë person. Në vitin 1997, mua më kanë vrarë edhe një djalë tjetër për tifozllëk motorësh, se djali im më i vogël ka qenë i çmendur pas motorëve dhe bënte gara. U zunë atje dhe e vranë. Sot e kësaj dite, unë nuk e di se cilët janë autorët që ma vranë të voglin.
Ku dyshoni ju?
Unë nuk vë dorë tek askush, sepse nuk di gjë. Im bir po të ishte përfshirë me persona të implikuar me krimin, e dënoja dhe e vrisja vetë, sepse nuk do ta lejoja një gjë të tillë. Atë e njeh gjithë Tirana. Ai nuk ka asnjë biznes dhe ka qenë i papunë për një kohë të gjatë. Në prag të zgjedhjeve elektorale, atë e punësuan si shofer pranë KQZ-së dhe kishte vetëm tre muaj si i punësuar.
Dyshoni se vrasjet e djemve tuaj kanë lidhje me njëra-tjetrën?
Nuk besoj. Atë që kishin për të bërë e bënë që atëherë dhe nuk besoj që u rikujtuan për ne edhe pas kaq shumë vitesh. Ajo është një çështje e mbyllur.
Djali vetëm ka qenë kur u ekzekutua?
Jo, ka qenë me nusen. Ajo ka zbritur për të blerë bukë tek dyqani i lagjes, i cili është disa metra larg vendit të krimit. Mondi ka parkuar makinën dhe më pas ka shkuar që ta presë tek sheshpushimi i shkallëve. Aty pastaj e kanë vrarë.
Nusja ka parë gjë?
Jo. Ajo nuk ka parë asgjë. Në momentin që ajo është kthyer, e ka gjetur djalin të shtrirë për tokë. Nuk ka vënë re asnjë person të dyshimtë dhe vrasja është bërë me armë me silenciator dhe andaj nuk janë dëgjuar krisma prej askujt.
Çfarë kërkoni?
Kërkoj që policia të më japë përgjigje për vrasjen e djalit të vogël Gentit. Që prej vitit 1997 e deri më sot, nuk dihet asgjë për këtë ngjarje. Unë nuk e di se kush ma vrau dhe as arsyen. Nuk dimë asgjë. Kërkoj të vërtetën e vrasjeve dhe arrestimin e autorëve të krimit.
Policia
Hapet dosja e vrasjes së vëllait, krimet e mundshme të Edmondit dhe lidhjet me femrat
“Tri pista nën hetim; hakmarrja,
veprimtaria e viktimës dhe flirtet”
Policia e Tiranës nuk ka arritur që të identifikojë autorët e krimit. Mësohet se grupi hetimor ka mbledhur pak të dhëna në skenën e krimit, e cila do të ndihmonte në identifikimin e vrasësve. Madje nuk ka arritur që të gjejë qoftë edhe një dëshmitar të vetëm, i cili mund ketë parë ngjarjen dhe nuk është në gjendje që të thotë nëse ekzekutorët kanë qenë të maskuar apo jo. Në skenën e krimit janë gjendur 18 gëzhoja, me kalibër 7.65 mm, të cilat janë dërguar në laborator për ekzaminime. Familjarët e viktimës nuk janë marrë në pyetje, proces i cili pritet që të bëhet në ditët në vijim. Thuhet se ekzekutorët kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e Dervishit dhe mbrëmjen e së dielës, gjatë kohës kur ai po kthehej në shtëpi, i kanë bërë pritë 47-vjeçarit, duke e lënë në vend të vdekur. Distanca me të cilën ata kanë qëlluar në drejtim të Dervishit ka qenë shumë e vogël dhe banorët e pallatit nuk kanë dëgjuar të shtëna, pasi arma ka qenë e pajisur me silenciator. Ende nuk ka ndonjë pistë zyrtare për motivin e vrasjes, por policia bën me dije se Edmond Dervishi mund të jetë ekzekutuar për çështje pronësie dhe hakmarrjeje, por nuk përjashtohen as pistat e tjera personale. “Pas divorcit nga gruaja, 47-vjeçari ka pasur disa lidhje me femra, ndërsa kohët e fundit bashkëjetonte me një femër. Pikërisht këto lidhje të viktimës po verifikohen, për shkak se ekspertiza mjekoligjore ka përcaktuar se viktima është qëlluar edhe në organet gjenitale”, pohojnë burimet nga policia.
Banorët e lagjes
Komshinjtë e 47-vjeçarit kanë shkuar për ngushëllim tek familja Dervishi. Ata japin disa detaje për mekanizimin e vrasjes. “Edmondi ka qenë duke pritur nusen e tij, e cila kishte shkuar për të blerë bukë. Në ato momente ka ardhur një makinë, me tre persona brenda. Dy prej tyre kanë dalë prej saj, ndërsa njëri ka qëndruar brenda. Ata e kanë ekzekutuar duke qëlluar me armë silenciator rreth 18 herë. Janë larguar brenda disa sekondave. Askush nuk ka arritur që t’i identifikojë sepse ka qenë natë dhe ata janë larguar me shpejtësi” shprehet fqinji i të ndjerit, pa dashur që të identifikohet. Ndërkaq tezja e 47-vjeçarit i kërkon policisë zbardhjen e vrasjeve misterioze të vëllezërve Dervishi në kohë të ndryshme. “Unë kam 16 vjet që qaj për vrasjen e nipit tim, Gentit, i cili u vra në vitin 1997. Prej kaq shumë vitesh, zemra ime lëngon, pasi nuk di të vërtetën e vrasjes së Gentit dhe pa u zbardh ajo, kriminelët më vranë nipin tjetër, vëllanë e Gentit, Edmondin, Ata janë të pafajshëm. Nuk kanë bërë asgjë, nuk kanë pasur konflikt me askënd dhe nuk kanë vrarë njeri. Po të ishin vrasës, nuk do ta qaja në këtë mënyrë që po e qaj sot. Normal që do ndieja dhimbjen si teze, por jo në këto përmasa. Jemi shumë të indinjuar me punën e policisë, e cila nuk ka arritur që të arrestojë vrasësit e Gentit dhe zemërata ime arrin kulmin me vrasjen e dytë. U kërkoj organeve kompetente që të zbardhin vrasjet e djemve tanë. Unë nuk kam besim që do zbardhet, por gjithsesi i kërkoj policisë, arsyen e ekzekutimit të vëllezërve Dervishi. Autorët lëvizin të lirë, ndërsa djemtë tanë janë nën dhe.
SHQIP
Add new comment