MARRËVESHJA, REZULTAT I ANGAZHIMIT AMERIKANO-EVROPIAN

Postuar në 17 Korrik, 2013 03:01

Marrëveshja 19 prillit të këtij viti në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë që tashmë ka filluar të quhet historike, nga zyrtarë të politikës amerikane konsiderohet si një zgjidhje e qëndrueshme për veriun brenda kuadrit ligjor dhe institucional të Kosovës. Nga Departamenti i Shtetit ajo është vlerësuar edhe si një marrëveshje e rëndësishme ‘një zhvillim që ka ndodhur pas disa vitesh të angazhimit amerikan dhe të partnerëve evropianë’.

Ligji i miratuar për amnisti që nuk kaloi pa kundërthënie dhe me një kundërshtim të madh të Vetëvendosjes brenda dhe jashtë parlamentit dhe me kundërvënie dhe një ‘rizgjim’ të shoqërisë civile, gjithashtu pati mbështetjen amerikane për miratim, meqë u tha se ajo ishte një pjesë e rëndësishme dhe parakusht për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, si dhe për të siguruar integrim të plotë të të gjithë qytetarëve në institucionet e Kosovës.

Çështja që është ngritur nganjëherë nga kundërshtarët e marrëveshjes është se pse janë angazhuar SHBA-të dhe e kanë shtyrë miratimin e marrëveshjes, qoftë në bisedimet në Bruksel, qoftë me ‘këshillimet’ e kryediplomates amerikane në Prishtinë.

Zyrtarët amerikanë e kanë thënë më se njëherë se Evropa do të jetë demokratike, një dhe e tërë vetëm nëse kudo në çdo cep të saj do të mbretërojë paqja dhe marrëdhëniet paqësore dhe fqinjësore të të gjitha vendeve, përfshirë edhe Ballkanin si një hallk e fundit e familjes së kontinentit të vjetër.

Ky inetersim i shtuar i Washingtonit bëhet edhe për shkak se investimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë tash mbi katërmbëdhjetë vjet ka qenë politik, diplomatik, ekonomik dhe ushtarak. Shpagimi i këtij investimi thonë në Washington, është një paqe e qëndrueshme dhe e përhershme në Ballkan. /rtk/

 

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.