KQZ verifikon kutitë e materialeve zgjedhore për Lezhën

UPDATE- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po shqyrton sot kërkesën e dy partive kryesore për qarkun e Lezhës.
Pas diskutimeve dhe paraqitjes së provave, KQZ vendosi të pranojë një pjesë të provave të paraqitura nga partitë. Pas nje pushimi KQZ eshte mbledhur serish ku votoi per ngritjen e dy grupeve te numerimit, bashke me vezhgues nga te dyja partitet kryesore politike. Nga nje vezhgues per secilin grup numerimi. Aktualisht KQZ eshte duke verifikuar kutite e materialeve zgjedhore, per ate qendra votimit per te cilat jane ankimuar PS dhe PD.
***
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ka kërkuar nga KQZ rinumërim dhe rivlerësim të votave në qarkun e Lezhës. Edhe pse rezultati në Lezhë vendosi në favor të PD-së me marrjen e një mandati nga PS-ja, kjo forcë ka depozituar dje në KQZ një kërkesë ankimore, në të cilën kërkohet hapja e kutive dhe rinumërimi i 17 qendra votimi në qarkun e Lezhë. Po dje dhe Partia Socialiste ka depozituar ankimimin e saj, në të cilin kërkohet rinumërim vetëm për 6 qendra votimi, të cilat ndodhen në KZAZ-në Nr. 15, që përkon me komunën e Mamurrasit. Të dy kërkesat synojnë pavlefshmëri të rezultatit të Lezhës, edhe PD edhe PS kërkojnë hapje të kutive. Pas dorëzimit në KQZ, të dyja ankesat do të shqyrtohen sot në orën 14:00 bashkërisht, pasi kanë të njëjtin objekt ankimor dhe KQZ do realizojë një seancë “gjykimi”.
Ankimimi i PS
Socialistët në ankesën e tyre kërkojnë rinumërim në zonën zgjedhore Nr.15 të Mamurrasit dhe rivotim në zonën e Laçit, ku u vra dhe komisioneri i LSI. Për PS-në, nga vrasja e Laçit procesi i votimit në tri qendra votimi është bërë inekzistent për shkak të cenimit të sigurisë së jetës. Po ashtu në zonën e Mamurrasit PS vëren se ka një pjesëmarrje të dyshimtë të votuesve, pra 90.4%, nga të cilët 72% kanë votuar për PD dhe vetëm 28% për PS-në. Socialistët theksojnë se në këtë qendër votimi është votuar nga i njëjti person, duke prodhuar një rezultat prej 200 deri në 300 vota të manipuluara në favor të koalicionit të djathtë. Në ankimimin e të majtëve, thuhet se diferenca për ndarjen e një mandati në Lezhë lëviz për 39 vota dhe një manipulim i tillë cenon vullnetin e zgjedhësve. Socialistët kërkojnë nga Ministria e Brendshme që të verifikojë në sistemin TIMS listën e votuesve të QV 0907 të komunës Mamurras, që sipas PS dyshohet se një pjesë e madhe e tyre kanë qenë jashtë vendit dhe është votuar nga persona të tjerë.
Ankesa e PD
PD në ankimimin e saj kërkon rivlerësim të 10 qendrave të votimit, të cilat u quajtën të manipuluara nga KQZ, po ashtu dhe 7 qendra të tjera po në KZAZ Nr.13, për të cilat hedhin hije dyshimi se rezultati është i manipuluar në dëm të PD. “Numri i votave në kutinë e votimit është disa herë më i lartë se numri i votave, i cili u pasqyrua në tabelat e rezultateve për këto qendra votimi, duke dëmtuar dukshëm në këtë mënyrë subjektin tonë dhe duke shkelur parimin kardinal të moscenimit të votës së zgjedhësit. Kërkojmë rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në këto qendra, duke u përfshirë më pas rezultati i rinumërimit dhe rivlerësimit në rezultatin përfundimtar të qarkut Lezhë”, thuhet në ankimimin e PD.
Kërkesa ankimore e PS për Lezhën
• Në QV Nr. 0907 dhe Nr. 09101, procesi i votimit është zhvilluar në kundërshtim me procedurat e përcaktuara nga nenet 105 dhe 106 të Kodit Zgjedhor, duke sjellë si pasojë pavlefshmërinë në këto dy qendra.
• Duke vlerësuar se rezultati jo i logjikshëm në QV Nr.0907 është pasojë e shkeljes së ligjit, duke prodhuar 200 deri në 300 vota të kundërligjshme, gjatë votimit kanë ndodhur një ose më shumë nga shkeljet:
•Zgjedhësit nuk janë paraqitur para KQV me një nga dokumentet e identifikimit që parashikon ligji.
•Zgjedhësit nuk kanë hedhur nënshkrimet dhe numrat e serisë së dokumenteve të identitetit.
•Zgjedhësit nuk kanë votuar vetë dhe për ta kanë hedhur fletën e votimit në kutinë e votimit të QV Nr.0907, pasi votat janë hedhur nga i njëjti person.
•Në vlerësim të nenit 160/1/a, në qendrat e votimit Nr.0907, Nr 09101, 0856, Nr.0856/1. Nr. 0857, Nr. 0857/1 kanë ndodhur shkelje të ligjit, të cilat kanë cenuar rendë procesin zgjedhor duke ndikuar në ndarjen e mandateve në këtë zonë, ku diferenca midis koalicionit të djathtë dhe të majtë është 39 vota, kurse numri i zgjedhësve që kanë votuar në këto dy qendra, në kundërshtim me ligjin, është disa herë më i madh.
Kërkesa ankimore e PD në Lezhë
• Nga verifikimet e kryera nga ana jonë, si subjekt zgjedhor, i tabelave të rezultatit për çdo qendër votimi të depozituara në KQZ nga KZAZ Nr.12, Nr.23, Nr.14, Nr.15 të zonës zgjedhore qarku Lezhë, rezulton se përmbajtja e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit, objekti i këtij ankimimi nuk pasqyron në mënyrë të saktë numrin e votave të marra nga çdo subjekt zgjedhor në këto qendra votimi, duke ndryshuar në këtë mënyrë rezultatin e zgjedhjeve në këto qendra votimi, në dëm të subjektit zgjedhor Partia Demokratike.
• Duke konsideruar të provuar manipulimin e tabelave të rezultateve të nxjerra nga GNV-të për këto 10 qendra votimi, kërkojmë rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në këto qendra, duke u përfshirë më pas rezultati i rinumërimit dhe rivlerësimit në rezultatin përfundimtar të zonës zgjedhore qarku Lezhë.
• Duke konsideruar të manipuluar tabelat e rezultateve të nxjerra nga GNV-të për këto qendra votimi, si dhe duke kërkuar që rezultati i këtyre qendrave, i materializuar në tabelën e rezultateve të votimit për këto qendra, të pasqyrojë në mënyrë besnike vullnetin e zgjedhësve të shprehur më datë 23.06.2013, kërkojmë rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në këto qendra, duke u përfshirë më pas rezultati i rinumërimit dhe rivlerësimit në rezultatin përfundimtar të zonës zgjedhore qarku Lezhë.
PANORAMA
Add new comment