Fatos Klosi: Kapitulli Berisha nuk është mbyllur

Postuar në 18 Korrik, 2013 07:43

Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Prof Fatos Klosi, shprehet se ka ardhur koha t’i jepet fund kulturës së mosndëshkueshmërisë. Politikanët, si të gjithë qytetarët e këtij vendi duhet të përgjigjen para drejtësisë kur kryejnë krime. Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’ Klosi shtjellon faktorët që çuan në humbjen katastrofike të Berishës më 23 qershor, por nuk beson se kapitulli i Berishës është mbyllur. Ai do të vazhdojë të komandojë Partinë Demokratike, e cila nuk do të ketë fillim të ri, përderisa në krye të saj do të dalë delfini i zgjedhur nga Berisha. Berishizmi do të vazhdojë të jetë mbizotërues në atë parti dhe se fillimi i ri që trumbetohet nuk ka për të ndodhur me Berishën prapa perdes. Pse Klosi thotë se vendosja e rendit duhet të jetë një prioritet i qeverisë së ardhshme dhe si mund të vendoset ai.

 

- Profesor Klosi, me rezultatin e arritur në 23 qershor, mendoni se është mbyllur një herë e mirë kapitulli i Berishës?

- Sigurisht, ju keni të drejtë që pyesni në këtë mënyrë, por përgjigja ime nuk mund të jetë aq e thjeshtë. Rezultati i 23 qershorit do të ishte shumë domethënës për çdo politikan me historinë dhe në konditat e Berishës. Por ai nuk është një politikan normal, ai bëri sikur e pranoi humbjen por pa e mbaruar fjalinë dha dhe argumentat  absurdë për arsyet e humbjes se “ai s’mund të gënjente aq shumë sa kundërshtari në fushatën e tij”etj.etj.  Dhe akoma më tej, ata që gjoja po luftojnë për t’i zënë vendin, po përdorin të njëjtën gjuhë, praktikisht, me ato që thonë, nuk po e pranojnë humbjen, po përpiqen t’i mbushin mendjen  elektoratit demokrat, që 23 qershori qe vetëm një “incident elektoral”, që pas dy vjetësh do të marrë fund. Berisha “e dha dorëheqien” por berishizmi po vazhdon të mashtrojë, prandaj nuk e mendoj se duhet ta konsiderojmë të mbyllur kapitullin e Berishës. Koalicioni fitues e ka akoma në dorë mbylljen  e “kapitullit Berisha”, me punën e tij për eleminimin e pasojave të qeverisjes berishiane dhe për Rilindjen e vendit në të gjitha fushat.

- Sipas jush, cilat janë disa nga arsyet e dështimit katastrofik të tij?

- E përmbledhur në një fjali, Berisha e “qeverisi  vendin” i udhëhequr jo nga interesat e vendit por nga ato të klanit të tij të ngushtë. Të gjitha lëvizjet e mëdha ekonomike si privatizime, licensime apo promovime u kryen në favor të interesave të ngushta klanore, në kundërshtim me interesat kombëtare. Nga ana tjetër, propaganda mbështetëse për këto lëvizje ishte qartazi false dhe u bë e padurushme.

Në këto zgjedhje e majta u paraqit më e organizuar, me programe më të përpunuar dhe më bindës, prandaj dhe mori një përkrahje më të gjerë se në zgjedhjet paraardhëse.

Një faktor tjetër i rëndësishëm ka qenë dhe përpjekjet e organizuara mirë, për të mos i lënë asnjë hapësirë Berishës për deformimin e votës popullore. Këto zgjedhje më forcuan bindjen se Berisha, gjithmonë ka vjedhur vota, sa ka mundur, dhe se këtë radhë atij ju tha: “mjaft”, dhe ja rezultati.

- Si ju duket gara për kreun e ri të selisë blu dhe cili ju duket kandidati më i favorizuar, Basha apo Olldashi?

- Me thënë të drejtën, nuk po më duket fare si një garë elektorale për kreun e ri të selisë blu. Ata kanë ndarë detyrat dhe kanë filluar garën elektorale kundër koalicionit të majtë për zgjedhjet e 2015-s. Që të dy nuk po merren fare me problemet e mëdha të Partisë demokratike, që çuan në rezultatin katastrofik për të, nuk po tregojnë se ç’ndryshime të rëndësishme do bëjnë për ta nxjerrë këtë parti nga baltovina ku ka rënë. Unë nuk kam pritur që ata ta bëjnë këtë, që kur Berisha deklaroi se ai “dorëhiqet, por do të jetë mbikëqyrësi i fushatës zgjedhore për zëvendësuesin e tij”. Me Berishën në këtë pozicion, asnjëri prej të dyve, nuk mund të bëjë qoftë dhe një analizë të përciptë të arsyeve pse gjendja në parti ka zbritur gjer në këtë shkallë, e jo më të shpalosë idera të reja e të ndryshme nga ato të ustait. Ata në gjitha këto takime që po bëjnë, kanë më shumë kujdes të plotësojnë detyrat që kanë marrë, se sa të mendojnë për të ardhmen e partisë .

Basha është fokusuar tek “mbrojtja” e militantëve prej pushimit të mundshëm  nga puna dhe i biznesit nga “taksa progresive dhe blloku i Ilir Metës”, duke u mburrur se “ne kemi rrëzuar mure e jo…” , pa thënë asnjëherë se pse u rrëzuan më 23 qershor.

Olldashi ia hedh fajin për humbjen “LSI-së që prishi imazhin e qeverisë” , apo luftës së pamjaftushme që iu bë LSI-së, pa thënë asnjë fjalë për përgjegjësinë e tij si një ministër 8 vjeçar në këtë qeveri, dhe, në sektorë ku janë bërë gjëmat më të mëdha.

Këto qëndrime janë të pastra berishiste, prandaj nuk pres asgjë serioze nga këto zgjedhje për selinë blu. Besoj se do të fitojë delfini i Berishës, që është më i afërt me klanin e tij dhe që i jep më shumë siguri për të ardhmen.

- A besoni te slogani për një fillim të ri të PD-së?

- Më duket një slogan e pastër demagogjik. Lindin natyrshëm shumë pyetje: Pse s’u tha qoftë dhe një herë shkoqur pse duhet ky fillim, çfarë duhet korrigjuar dhe sa thellë duhet bërë korrigjimi që të quhet “fillim i ri”, kush e “vjetëroi apo e lodhi” kaq shumë partinë sa të kërkohet një” fillim i ri” , e plot pyetje si këto. Kandidatët në garë, vetëm po shajnë kundërshtarin për bëmat e ardhshme të tij, kur ai akoma nuk ka filluar punën, është berishizmi më i kulluar. Fillimi i ri nuk mund të fillojë në PD  me Berishën “prapa perdes”; vetëm kur partia të çlirohet nga Berisha dhe berishizmi, mund të shpresohet për një  ndryshim për mirë në atë parti.

- Janë të shumtë shqiptarët që mendojnë se duhet të fillojnë dhe rifillojnë hetimet për një sërë krimesh, si korrupsioni, vrasjet e 21 janarit, Gërdeci etj. Deputetja Arta Dade deklaroi dje se do të dorëzojë mandatin e deputetes nëse Berisha nuk shkon para drejtësisë. Ju jeni i këtij mendimi apo qeveria e re do të ndjekë rrugën e mosndëshkueshmërisë?

-  Sigurisht nuk është detyrë direkte e qeverisë së re që të ndjekë krimet e qeverisë së vjetër, shteti ka institucione të specializuara për detyra të tilla. Por këto institucione, me sjelljen e tyre të deritanishme, nuk premtojnë shumë në këtë drejtim. Ato, në rastin më të mirë, kanë qenë të ngathta dhe në rastin më të keq të politizuara, në shërbim të qeverisë.

Jam dakord me Zonjën Dade dhe e përshëndes gjestin e saj, ndërsa jam  i bindur që “politika apo kultura e mosndëshkushmërisë” është e gabuar dhe në kundërshtim flagrant me interesat e vendit. Duhet të nxjerrim mësimin e duhur nga zbatimi i kësaj politike kur të majtën e drejtonte Z. Nano. Gjoja, në emër  të mos acarimit të situatës politike, ai ishte kur ndëshkimit të krimeve të politikanëve, duke i lejuar Berishës që ta acaronte situatën për hesap të tij.

Mazhoranca duhet të japë që në fillimet e punës së saj mesazhin se “mosndëshkueshmërisë” i ka ardhur fundi,  që kurrëkush nga politikanët, të sajët apo dhe të opozitës, të mos e ndjejë veten mbi ligjet.  Shakaja që u bë me heqien e imuniteteve nuk duhet të përsëritet. Mazhoranca i ka të gjitha mundësitë që të bëjë korigjimet e duhura në legjislacion, që të mbështesë dhe stimulojë institucionet përgjegjëse, në mënyrë që gjithkush që ka kryer veprimtari të paligjshme të japë llogari. Vetëm kështu populli do të besojë se politikanët nuk janë palë por janë me të.

Më pëlqen ideaja e auditit ndërkombetar, rezultatet e të cilit i duhen thënë hapur popullit dhe duhen dërguar direkt në Prokurori, pa u menduar shumë për të “korrigjuar” ndonjë gjë. Kjo do të ishte një provë në sytë e popullit se s’ka më palë, se qeveria është me popullin dhe për popullin.

- Një nga pikat e forta të programit të Ramës ishte rivendosja e rendit dhe sigurisë për qytetarët. Si dhe sa kohë do të duhet të arrihet ky objektiv?

- Kjo pikë e fortë e programit është bërë urgjente për t’u zbatuar. Duhet patur parasysh se sektori i punës së Qeverisë që ka impaktin më të shpejtë dhe më direkt mbi popullin është sektori i rendit dhe sigurisë. Populli më shumë për këtë sektor kërkon ndihmën e qeverisë, për të tjerat si uji e dritat, arsimi dhe shëndetësia ka dhe alternativa të tjera joqeveritare. Situata e rendit dhe sigurisë është bërë katastrofike, shumë qytetarë që dëgjova sot në media e krahasonin situatën me atë të 97-tës, kur me të vërtetë nuk kishte shtet. Qeveria e re, urgjentisht duhet të analizojë punë  e organeve të rendit dhe sigurisë, të planifikojë dhe realizojë reforma të rëndësishme në këta sektorë, në luftë me korrupsionin, nepotizmin, mosprofesionalizmin, militantizmin e të tjera dukuri, që i kanë dëmtuar këta sektorë, përcaktues për ecurinë e vendit.

Natyrisht, nuk është e thjeshtë të thuash se kur do të rivendoset rendi, kjo do të varet nga serioziteti i punës që do bëhet, nga vendosmëria për të bërë dhe reforma të vështira, nga mos pajtimi me zgjidhje të pjesshme  e nga mjaft faktorë të tjerë që njihen që tani , apo që do të dalin gjatë punës. Jam i bindur se së bashku me ekonominë do të jenë dy sektorët më të vështirë dhe më përcaktues për realizimin e objektivave për Rilindjen e vendit.

- Disa institucione të rëndësishme të shtetit si SHISH, KLD, KQZ etj u vunë me dhunë nën kontrollin e Berishës. A duhet bërë një reformatim i tyre nga shumica e re qeverisëse?

-  Sigurisht, sepse kjo që ndodhi tregoi se ato në situatën e sotme janë shumë të brishta, se mund të bien lehtë pre e orekseve të politikanëve, të themi, e pakta, “autoritarë”.  Kjo është një punë e madhe, që kërkon konsultime të gjera me grupet e interesit dhe me opinionin publik. Duhet të shkojmë drejt institucioneve të tilla, sa më larg politikës dhe politikanëve. Sidomos gjyqësori duhet të bëhet vërtet një pushtet më vete, pothuaj i pavarur nga parlamenti.

- Cilat mendoni se do të jenë sfidat më të mëdha të qeverisë Rama?

- E thashë edhe pak më parë, rendi, siguria dhe rritja ekonomike. Ka dhe sfida të tjera, por që në një mënyrë apo në një tjetër janë të lidhura apo varen nga dy të parat. Sigurisht, jo më e rëndësishmja, por e para në kohë,  është zgjedhja racionale e ekipit qeverisës.

- Ju faleminderit!

 

****

A po synon Berisha destabilizimin e vendit?

Berisha po i shfrytëzon këto 2 muaj, jo për të bërë kalimin e pushtetit në mënyrë paqësore tek fitimtarët e rinj, por për të krijuar parakushtet për destabilizimin e vendit. Populli duhet të jetë i durueshëm dhe i vëmendshëm, nuk duhet të bjerë pré e provokatorëve të inkriminuar siç është edhe Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, të cilët po luajnë me kartën e Berishës, për të krijuar një situatë tensioni artificial, me synim destabilizimin e vendit sipas skenarit grek tw trazirave pas shtatorit

 

 Nga Gjin Musa

 

Një fushatë elektorale e qetë, votime të qeta, pranim rezultati pa kontestime të dukshme, ky është përgjithësisht bilanci i votimeve të qershorit 2013. Partia Demokratike ose ishte e përgatitur për humbjen e saj, ose u shokua nga kjo humbje katastrofike. Por nuk po e kupton akoma vendin e saj real në konfigurimin e ri politik.

Berisha i përlotur e pranoi përgjegjësinë e humbjes, një veprim që nuk llogaritej se do të pranohej lehtë nga ky tip politikani, që ëndërronte pushtet të përjetshëm. A ishte kjo një lojë politike e Berishës, apo dorëzim përballë faktit të kryer?! Bën sikur tërhiqet, meqë populli s’e do, pastaj nuk lë gjë pa bërë, gur pa lëvizur, vendim absurd pa marrë për të dobësuar dhe rrënuar shtetin?

Berisha tashmë i vjetër në politikë, por tej mase i djallëzuar në veprime, ka lëshuar tani dy nga figurat më të kompromentuara në PD, hajna të një niveli të lartë, në një fushatë sa të pistë, po aq edhe të pamoralshme ndaj të majtës, që fitoi pushtetin me zgjedhjet e 23 qershorit. Shihet qartë se kjo gjuhë e egër dhe vulgare, këto kërcënime dhe skërmitje dhëmbësh nga Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi kanë prapavijën e Berishës, në rrugën e tyre të vazhdimësisë në PD.

Përmes duartrokitjeve frenetike a’la komuniste të mbështetëve të tij, Lulzim Basha hedh baltë mbi Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, imiton liderin historik të PD-së dhe po kërkon të ushtrojë presion psikologjik mbi qeverinë e re, që akoma nuk ka filluar nga puna. Kuptohet se ai zbaton skenarin e përgatitur nga vetë Berisha, i cili kërkon që ta kthejë PD-në, edhe pse tashmë në opozitë, në një parti kamikaze, në mbrojtje të tij dhe të familjes së tij, pasi ai frigohet realisht nga ndonjë arrestim i mundshëm dhe dalje përballë drejtësisë, së bashku me Lulzim Bashën për krimet e kryera.

Demokratët e vërtetë po heshtin, po shikojnë një fushatë të pashembullt në historinë e politikës shqiptare, një fushatë gjoja demokratike brenda partisë, ku dy kandidatët kryesorë nuk merren me analizën e humbjes drastike që pësoi partia e tyre në zgjedhje, por merren me kundërshtarin politik të tyre.

Partia Demokratike dhe demokratët e vërtetë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, se partia e tyre po kalon drejt një sundimtari tjetër të emëruar nga Berisha, i cili synon ta përgatisë PD-në për rrugën agresive në një opozitë të gjatë, në shërbim të një personi. Zgjedhjet në PD janë një farsë, për aq kohë sa Berisha e instrumentalizon procesin zgjedhor, përmes presioneve nga zyra e kryeministrit. Ndonëse jemi në vitin 2013, po përjetojmë këto ditë përsëri frymën e tmerrshme të vitit të mbrapshtë ’97, nga kryetari taktikisht i “vetëlarguar” Berisha.

Financat shqiptare kanë prekur fundin. Është konsumuar rreth 90 % e buxhetit vjetor të parashikuar për këtë vit dhe qeveria e re nuk do të ketë pará as që të paguajë rrogat e administratës, menjëherë sapo të marrë qeverinë në dorë. Nga ana tjetër, “ushtarët” e Berishës në një fushatë partiake po dalin hapur, që së shpejti Shqipëria do të ketë trazira! Kjo mendje e errët e Berishës çfarë po synon t’i bëjë vendit? Ta destabilizojë! Se Luli e Sokoli e kanë rrëzuar tashmë qeverinë e majtë dhe Edi Ramën, pa filluar akoma nga puna! Thirrjet e tyre janë thirrje të qarta për destabilizim të vendit dhe strategjia po ravijwzohet e qartw: Berisha synon rritjen e frikës, pasigurisë dhe pakënaqësisë në popull. Prandaj u votua kaq masivisht e majta shqiptare, që t’i jepte fund këtij rrënimi, por Berisha po i shfrytëzon këto 2 muaj, jo për të bërë kalimin e pushtetit në mënyrë paqësore tek fitimtarët e rinj, por për të krijuar parakushtet për destabilizimin e vendit.

Populli duhet të jetë i durueshëm dhe i vëmendshëm, nuk duhet të bjerë pré e provokatorëve të inkriminuar siç është edhe Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi, të cilët po luajnë me kartën e Berishës, për të krijuar një situatë tensioni artificial në vend.

Maxhoranca aktuale që po përgaditet të marrë pushtetin, nuk duhet të bjerë pré e këtyre provokimeve, por as duhet të heshtë përpara këtyre “trimave të çakërdisur” dhe deklaratave që kanë për bazë urrejtjen, dhunën verbale dhe që i paraprijnë një situate jo fort të këndshme në shtator.

E majta shqiptare, veç tw tjerave duhet të fillojë të qeverisë dhe ta lërë drejtësinë të lirë, që të arrestojë të gjithë ata, që kanë abuzuar me pushtetin dhe paratë tona publike, duke përfshirë këtu edhe Berishën vetë. Populli do drejtësi, drejtësia i qetëson shpirtrat. Berisha është politikani i vetëm aktiv, që ka vrarë shqiptarë, pa u dënuar akoma. Qeveria e re duhet ta ketë parasysh se, për sa kohë Berisha është i lirë, mendja e tij e sëmurë do të prodhojë gjithmonë situata trazirash për vendin. Prandaj, qeveria e re, duhet të mendojë edhe metodat, që do të përdoren për t’i bërë ballë planeve djallëzore të këtij sharlatani politik dhe të krijohet siguria dhe stabiliteti në vend, sa më shpejt që të jetë e mundur!

Lulzim Basha, ky hajdut i rrugës së kombit me mbi 250 milionë Euro, të cilin Berisha e mori në mbrojtje nga drejtësia, ministër i brendshëm që vrau 4 protestues të pafajshëm me 21 janar së bashku me Saliun, një njeri që me bekimin e Saliut vodhi votat në sy të ndërkombëtarëve për kryebashkiakun e Tiranës, e ka mprehur shpatën dhe kërkon të mbjellë terror në Shqipëri, kërkon rrëzimin e qeverisë pa filluar akoma nga puna. Pra, po krijohet një situatë absurde e tensioneve të stisura, që nuk i shërben vendit.

I rrëzuar tashmë nga vota popullore, Berisha ka lëshuar në fushën e luftimit Lulin dhe Sokolin, që të krijojnë çoroditje në popull, të krijojnë paragjykime e pakënaqësi. Ata në mendtë e tyre janw në përpjekje për të bërë të mundur zbatimin e planit destabilizues grek në Shqipëri.

 

 

DITA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.