Ceka: Ramën e prita si Kryeministër, nuk folëm për “veshin”

Postuar në 19 Korrik, 2013 03:28

Ambasadori Neritan Ceka, për gazetën “Panorama”: “Nuk folëm për incidentin me Eginin, por për Italinë”

Në vizitën e tij të parë në Itali si Kryeministër i zgjedhur, Edi Rama është shoqëruar nga ambasadori ynë në Romë, Neritan Ceka. Me gjithë përplasjen e pak muajve më parë mes Cekës dhe Ramës, diplomati ynë ka pritur kryetarin e Partisë Socialiste në këtë vizitë në vendin fqinj dhe e ka informuar atë mbi tezat e diskutimeve mes dy vendeve. 

I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, ish-këshilltari i Sali Berishës dhe kryetar i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, thotë se e ka pritur Ramën në zbatim të detyrës së tij dhe protokollit që rregullon veprimtarinë e ambasadorëve të Shqipërisë jashtë shtetit. 

Ceka nuk ka dashur të flasë gjatë për detajet e takimit me ish-kundërshtarin e tij politik, por thotë se nuk ka biseduar me Ramën për çështje të veçanta, siç mund të ishte incidenti mes djalit të tij, Egin Ceka dhe Kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama. “Unë jap informacionin lidhur me temat e ditës dhe temat shqiptaroitaliane. Kjo është detyra ime, jo të futem nëpër detaje”, përgjigjet Ceka. 

Ju keni pritur dje gjatë vizitës në Itali Edi Ramën dhe e keni shoqëruar gjatë takimeve. Kërkesa për të pritur ishte e tija? 

Është detyra ime që të pres personalitetet e Shqipërisë. Pavarësisht se në opozitë, në pozitë, që është Kryeministër apo ish-kryeministër, ka një procedurë, që ambasadori pret jo vetëm kryetarin e opozitës, që në fakt ka fituar zgjedhjet dhe është Kryeministër i ardhshëm, por pret edhe përfaqësuesit e Parlamentit shqiptar. Ka një procedurë dhe një protokoll ku bën pjesë detyra protokollare. 

Ju u njoftuat nga Ministria e Jashtme për vizitën e tij? 

Kjo është procedurë e zakonshme. Tani të futem unë dhe t’ju tregoj këtë procedurë, ju mund të klikoni dhe ta gjeni. Është detyra ime, kam gjithmonë udhëzime të përcaktuara. Ky është protokolli. 

Gjatë qëndrimit me Ramën patët ndonjë bisedë personale me të? Kam parasysh këtu edhe incidentin e krijuar pak muaj më parë me djalin tuaj në Vjenë. 

Kjo nuk ka të bëjë fare. Unë jap informacionin lidhur me temat e ditës dhe temat shqiptaro- italiane. Kjo është detyra ime, jo të futem nëpër detaje. Ju faleminderit atëherë! 

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.