Rama në Itali, PS zbardh takimet: Bashkëpunim, nxitje investimesh, mbështetje për integrimin

Partia Socialiste ka zbardhur sot axhendën e takimeve te kreut të saj, Edi Rama, në Rome, me disa nga drejtuesit më të lartë shtetërorë. Ne nje njoftim per mediat, PS ben me dije se temat kryesore të bisedës mes kreut të PS-së, Rama dhe Kryeministrit italian, Enrico Letta, ishin forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, nxitja e investimeve italiane në Shqipëri si edhe mbështetja që vendi fqinj do i japë kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Sipas PS, pas takimit me kreun e Ekzekutivit italian, Rama pati një takim të veçantë me Ministren e Jashtme, Emma Bonino, ish-Kryeministrin Berlusconi dhe ish-kryeministrat Amato dhe D’Alema.
“Jam shumë e kënaqur që pata këtë mundësi të shoh mikun tim Edi Rama në këtë detyrë të re. Njihemi në ulje ngritjet e politikës prej shumë vitesh dhe besoj që së bashku mund të vendosim themelet e një fillimi të ri, një fillimi të ri jo të miqësisë mes vendeve tona, por një fillim të ri mendoj për Shqipërinë, në rrugën e saj drejt Europës”- tha ministrja e Jashmte Italiane, Emma Bonino, në përfundim të takimit me liderin socialist.
Ndërsa ish-Kryeministri dhe Presidenti i Fondacioni “Italiani Europei”, Massimo D’Alema, tha se “jemi shumë të nderuar që Kryeministri i ri i Shqipërisë në pritje të marrjes së detyrës së tij ka vendosur për të bërë këtu udhëtimin e tij të parë të rëndësishëm jashtë kufijve”.
Një tjetër takim i Ramës ishte edhe ai me ish- Kryeministrin Silvio Berlusconi, i cili shprehu kënaqësinë e madhe që priti kryeministrin, të cilin tha se e admironte prej kohësh. “Jam i sigurt që do sjellë për Shqipërinë një frymë të re, një frymë hapjeje drejt së ardhmes, bashkë edhe me një mbështetje nga ana e Italisë, që gjithmonë e ka parë Shqipërinë si një vend mik, ku dimë janë mjaft qytetarë që flasin italisht dhe ku do na pëlqente që mjaft sipërmarrje tonat të kishin selinë e tyre”, u shpreh Berluskoni.
Ish- Kryeministri Giuliano Amato, pas takimit me Ramën, vlerësoi se “kapaciteti i tij i madh, kultura e tij inovative më në fund është në shërbim të të gjithë vendit, dhe është përfaqësuese e të gjithë forcave politike reformatore shqiptare. Kjo është e ardhmja, dhe e ardhmja është Edi Rama”.
Ndërkaq, kreu i PS-së, Edi Rama, theksoi se “Fondacioni italian Europei, është një stacion i pashmangshëm për mua, për ne socialistët shqiptarë, ku gjejmë gjithmonë derën e hapur dhe dy miq të mëdhenj të Shqipërisë, Masimo D’Alemën dhe Giuliano Amaton, me të cilët kemi folur për të ardhmen, për ndihmën që kërkojmë, për eksperiencën që mund të na vënë në dispozicion dhe për burimet njerëzore të paçmueshme që mund të gjejmë falë tyre në mënyrë që jo thjesht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë të shkojnë një hap më tutje, por që qeverisja jonë, politikat tona, sidomos hapja e një perspektive të re për investimet italiane në Shqipëri, të kthehen brenda katër viteve të ardhshme në një realitet të ri shqiptar”
PANORAMA
Add new comment