Ja si u vra Marian Kola

Mediat greke kanë transmetuar fotot e para të shqiptarit Marian Kola , i cili u vra nga forcat policore ditën e diel. Pas 15 ditësh kërkime dhe duke mos zbuluar asnjë gjurmë nga të arratisurit nga burgu i Tikalas, policia greke kish dalë në përfundimin se shqipatrët kishin kaluar kufirin për në Shqipëri.
Por, në orët e para të së dielës dy shqiptarët Marian Kola e Ilir Kupa, kanë menduar të lëvizin drejt lumit Kalama për të kaluar kufirin drejt Shqipërisë. Ata kanë ndërmarrë këtë hap me idenë se një mjegull që kish mbuluar fshatrat kufitarë të Greqisë veriore, do t’i lejonte ata të pikaseshin nga kamerat termike. Teksa po ecnin pranë urës së Vrosinës për të kaluar lumin Kalama, plani i dy të arratisurve nga Trikalla ka dështuar, pasi në gjurmët e tyre kanë rënë forcat speciale të EKAM, që prej dy javësh kanë shtuar forcat pikërisht pranë lumit. Këta të fundit, edhe pse me vështirësinë e mjegullës, arritën të shquanin në kamera termike siluetat e dy shqiptarëve në një distancë shumë të afërt. Specialët grekë, pasi iu afruan dy shqiptarëve në largësi 15-20 metra, u bënë thirrje Kolës e Kupës që të dorëzoheshin. “Në këtë moment, – tha një zyrtar i policisë, – një nga të dyshuarit hapi zjarr me armë automatike. Filloi kështu një shkëmbim zjarri prej vetëm pak minutash. Si rezultat mbeti i vrarë një nga të dyshuarit, si dhe u plagos një pjesëtar i forcave speciale”. Pas këtij momenti, forcat EKAM u ndanë në tri grupe. Njëri u vu në ndjekje të të dyshuarit të dytë, i cili u largua me vrap gjatë shkëmbimit të zjarrit, njëri nga grupet qëndroi pranë kufomës e tjetri transportoi një polic të plagosur.
Mediat kanë cilësuar Marian Kolën si, “tmerri” i policisë greke prej 22 marsit, kur bashkë me 10 shqiptarë të tjerë u arratis nga burgu i Trikallas. Pranë tij, policia gjeti 1 kallashnikov me dy krehra, 1 pistoletë Glock me dy krehra dhe 1 granatë, ndërsa të shpërndara u gjetën 4 gëzhoja. Nga ekspertiza ka dalë se trupi i 36-vjeçarit shqiptar, kishte marrë një plagë në shpinë që kishte prekur organet jetësore dhe kishte shkaktuar vdekje të menjëhershme.
Policia greke ka thënë se Marian Kola kishte bashkëpunëtorë, pasi nga kontrolli atij ju gjetën rroba të pastra dhe të reja, pasi nëse do të kishte jetuar në mal apo në shpella, ai nuk do ishte mirëmbajtur. Gjithashtu iu gjet edhe një çantë me ushqime të gatuara. Nga këqyrja e trupit rezultoi se Kola ishte i veshur mirë, i larë e i rruar. Edhe ky fakt e bën policinë të dyshojë se 36-vjeçari strehohej nga dikush dhe jetonte mirë.
Kërkime për kapjen e Ilir Kupës
Policia ka ngushtuar ndjeshëm rrethimin për kapjen e Ilir Kupës, dorës së djathtë të Marian Kolës, i cili u ekzekutua të dielën në mëngjes herët nga forca komandos të policisë greke.
Ilir Kupa duket se ka shfrytëzuar mjegullën dhe errësirën dhe është larguar nga vendi i përleshjes, ndërkohë që policia ka intensifikuar operacionin për kapjen e tij.
Rreth 600 metra nga vendi i përleshjes policia ka gjetur çantën e shpinës së Kupës, në të cilën kryesisht kishte ushqime. Gjithashtu policët kanë gjetur edhe jelekun antiplumb të të arratisurit shqiptar nga burgu i Trikallës, ndërkohë që ende nuk vërtetohet fakti se ai është i plagosur.
Sipas oficerëve të policisë rezulton se ai është fshehur në një zonë të thyer malore dhe me pyllëzim të dendur, gjë që e bën pothuajse të pamundur diktimin e tij.
Policia ka ngritur post blloqe dhe patrullon e kontrollon edhe “mizën” në rrugët e monopatet që të çojnë drejt kufirit greko- shqiptar.
Ministri i Rendit të Greqisë, Nikos Dendias, sot ka deklaruar se është i kënaqur për zhvillimin e operacionit. Ai ka përgëzuar policët për eliminimin e kriminelit të ”rrezikshëm shqiptar”, Marian Kola dhe ka deklaruar se “policia greke as nuk do të qetësohet, e as nuk do të bjerë ë letargji nga vrasja e Kolës. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Ne nuk do të jemi të qetë derisa t’i arrestojmë të gjithë shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikalas,” ka u shpreh ministri grek.
SHEKULLI
Add new comment