Zgjedhjet në PD, Olldashi ngre dyshime të forta për procesin dhe sulmon indirekt Berishën

Postuar në 23 Korrik, 2013 04:06

“Ndjesë anëtarëve që s’patën emrin në lista. Janë shtuar votues të rinj”

Herion Mesi

Dje, demokratët u ftuan të votonin kreun e ri që do t’i drejtojë në periudhën post-Berisha. Por kryetari në detyrë, edhe pse deklaron se ka ikur nga drejtimi, mesa duket dëshiron të vazhdojë të jetë aktor, kështu që nuk mund të lejonte që situata t’i dilte jashtë kontrollit. Edhe pse numërimi nuk kishte nisur akoma, pasditen e djeshme ishte vetë kandidati në këtë garë, i dyti në renditjen në fletën e votimit, Sokol Olldashi, i cili la të kuptohej dhe skemën, e cila nuk do mund t’ia linte rezultatin një gare të natyrshme, por një rezultati të paracaktuar që do nxjerrë rivalin e tij, Lulzim Bashën fitues për kreun e PD-së. Në prononcimin e tij, Olldashi la të kuptohej se dy ishin metodat e përdorura në këtë garë: e gjithë anëtarësia e PD-së e njohur si mbështetëse e Olldashit, nuk arriti të gjente emrin në listë për të votuar, dhe së dyti shtimi i një anëtarësie fiktive në Tiranë, që sollën një trafik votash në favor të kundërshtarit të tij në këtë garë. Të dy këto metoda i denoncoi mbrëmjen e djeshme Olldashi, i cili pas votimit të tij vetëm pak minuta para mbylljes së orarit zyrtar të votimit, u shfaq i revoltuar para kamerave. “Procesi i votimit në PD u mbyll. Votova me fletën nr 040213. U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve që morën pjesë në votim. U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokratëve që nuk votuan dot, sepse nuk gjetën emrin në listë. Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam pasur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontingjent. Mesa duket paska qenë një kontingjent tjetër, që mbetet për t’u parë ç’është. Këto janë probleme që nuk kanë lidhje me rezultatin, por mbeten probleme edhe nëse nga kutitë raporti i votave del 90% me 10% për Sokol Olldashin. U uroj suksese të gjithë kandidatëve rivalë”- u shpreh Sokol Olldashi në prononcimin e tij të shkurtër për mediat menjëherë pas votimit të tij.

Lulzim Basha

Në një kohë që procesi i votimit në PD po shoqërohej me probleme në të gjithë vendin, kandidati për kryetar të kësaj partie, Lulzim Basha, në deklaratën e tij u përqendrua jo tek procesi i brendshëm në parti, por te domosdoshmëria e transparencës së votës së shqiptarëve. Sipas Bashës, kjo është sfida më e rëndësishme tani për demokratët dhe për vendin, në mënyrë që të mos i mohohet askujt e drejta për të parë çfarë ka ndodhur dhe si është deformuar vullneti i qytetarëve shqiptarë. “Unë personalisht, si anëtar i PD-së sot, si demokrat, i bëj thirrje PD, anëtarësisë sonë, mbështetësve tanë, të gjithë qytetarëve shqiptarë të qëndrojnë fort në këtë çështje. Kjo nuk është vetëm një çështje e PD, është çështje e identitetit tonë si shqiptarë, si qytetarë të lirë, është çështje e identitetit tonë si europianë. Ne nuk mund të shkelmojmë asnjë nga këto identitete, për të favorizuar apo fshehur zullumqarët e krimit, për të fshehur apo favorizuar aktet banditeske dhe kriminale të cilat qëndrojnë në themel të veprimtarisë së PS dhe kryesocialistit Rama, në raport me një numër jo të vogël qendrash votimi, më datë 23 qershor dhe në themel të ngurrimit të pafalshëm të PS, të dënojë një orë e më parë këtë barbari mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.

Kryeqyteti

“Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontingjent. Mesa duket paska qenë një kontingjent tjetër, që mbetet për t’u parë ç’është”

 

Fletët me numër serial që mund të identifikohet vota

Katër anëtarë të Kryesisë aktuale braktisin votimin

Pavarësisht se ishin ftuar të gjithë të merrnin pjesë në votimin e organizuar nga Partia Demokratike për të zgjedhur kryetarin e ri, katër anëtarë të Kryesisë aktuale të PD-së nuk morën pjesë në votim. Bëhet fjalë për katër ish-deputetët e PD-së: Ilir Rusmaili, Viktor Gumi, Selami Xhepa dhe Fatos Beja, të cilët u përjashtuan nga konkurrimi i 23 qershorit nga kryetari ende në detyrë Sali Berisha. Pasi u përjashtuan nga lista e kandidatëve për deputetë, ish-deputetët demokratë, nuk shfaqën asnjë interes më për fushatën elektorale që partia e tyre zhvilloi gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit. Sa i përket votimit të anëtarëve të tjerë të Kryesisë, vota e tyre është krejtësisht e kontrollueshme, kjo për shkak të prodhimit të fletëve të votimit, të cilat ishin të shoqëruara me numrin serial të tyre. Një fakt ky që u denoncua në mënyrë demonstrative edhe nga vetë kandidati për kryetar të PD-së, Sokol Olldashi. “Votova me fletën nr 040213”, duke bërë me dije se vota e anëtarëve të Kryesisë dhe jo vetëm, ishte lehtësisht e kontrollueshme nga organizatorët, pasi ajo nuk kishte asnjë element garancie të votës së fshehtë. Por, votimi i djeshëm për kryetarin e ri të Partisë Demokratike është braktisur edhe nga një numër i konsiderueshëm anëtarësh të kësaj partie. Frika e largimeve nga puna nga mazhoranca e re ka bërë që ata të mos shkonin në qendrat e votimit dje, për shkak të ruajtjes ndaj ekspozimit të tyre nëpër kamerat e mediave që ishin shpërndarë dje në këto qendra votimi për të monitoruar këtë proces. Edhe pse një ditë para votimit Partia Demokratike deklaroi se në votimin e djeshëm që u zhvillua në të gjithë vendin do të merrnin pjesë 105 mijë anëtarë, duket se frika për të mos humbur vendin e punës nga pushtetarët e rinj, ka bërë që këta demokratë që punojnë në shtet, të mos jenë pjesë e vendimmarrjes së anëtarëve të Partisë Demokratike. Mospjesëmarrja e punonjësve të administratës në këto votime, konfirmohet pjesërisht edhe nga komisionerët e caktuar nga PD-ja në qendrat e votimeve në Tiranë. Konkretisht, kryetari i komisionit të votimit të ngritur në qendrën e votimit në Muzeun Kombëtar, që i përket njësisë bashkiake numër 9 në kryeqytet, Lulzim Konçi, theksoi dje në mesditë për gazetën “Shqip” se “votimi ka qenë normal, por pjesëmarrja ka qenë disi e ulët, për shkak se sot është dhe ditë e hënë, dhe një pjesë e njerëzve është në punë”. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që u ngrit nga PD-ja nuk bën me dije shifrat reale se sa ka qenë numri real i anëtarëve të kësaj partie që morën pjesë në votimin për kryetarin e ri, votim ky që erdhi pas dorëheqjes së Sali Berishës më 26 qershor, tri ditë pas zgjedhjeve parlamentare. Garë kjo, e cila zhvillohet mes kreut aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe ministrit në detyrë, Sokol Olldashi.

Topalli

Sali Berisha, pas dorëheqjes, ka vendosur një standard edhe më të lartë në politikën shqiptare. Pjesëmarrja e anëtarësisë në takimet e kandidatëve është shprehje e një civilizimi dhe shpirti të thellë të demokracisë që do t’i japë leksione edhe kundërshtarit politik që ka përdorur paranë, forcën dhe krimin për të marrë pushtetin.

 

Bojkoti - “Bëhet fjalë për katër ish-deputetët e PD-së: Ilir Rusmaili, Viktor Gumi, Selami Xhepa dhe Fatos Beja, të cilët u përjashtuan nga konkurrimi i 23 qershorit”

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.