PS tërhiqet nga Shkodra, kërkon rivotim në Lezhë. Kolegji shqyrton ankimin e LSI për Kukësin

Postuar në 26 Korrik, 2013 15:24

Partia Socialiste ka depozituar në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë-padi, me anë të së cilës ka kërkuar ripërsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës.

“Partia Socialiste ka pretenduar se shkeljet kanë qenë të tilla që shkaktojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë qark, me pasojë përsëritjen e zgjedhjeve. Për këtë gjë u depozitua një kërkesë-padi, jemi në pritje të gjykimit të kësaj çështje”, tha Koli Bele, jurist i PS-së.

Partia Socialiste ka kërkuar pavlefshmëri në 6 qendra votimi në qarkun e Lezhës. Sipas PS-së, në 4 prej tyre këtyre qendrave ka ndodhur intimidimi i zgjedhësve për shkak të vrasjes në qytetin e Laçit ndërsa në dy të tjera rezulton se kanë votuar emigrantë që në të vërtetë nuk gjendeshin në Shqipëri në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkohë që socialistët janë në pritje të gjykimit të kërkesë-padisë për ripërsëritjen e zgjedhjeve në Lezhë, Kolegji Zgjedhor vendosi të pranojë kërkesën e bërë po sot nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Koli Bele për ndërprerjen e hetimit të qarkut të Shkodrës, që pas rinumërimit në KQZ, nuk pati asnjë ndryshim të rezultatit.

“Ishte e panevojshme te investohej Kolegji në këtë rast, në një kohë kur nuk ka ndryshime të rezultatit, procesi tregoi se pretendimet nuk qëndronin”, tha Bele.

Partia Socialiste kishte kërkuar ndërprerjen e rinumërimit të votave të qarkut të Shkodrës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasi KQZ nuk ka kuorumin e duhur për të vendosur hapjen e kutive duke i shtuar kësaj edhe përfundimin e afatit të shqyrtimit të kërkesës së Partisë Republikane. Por tani që procesi ka përfunduar, sipas PS, vazhdimi i hetimit në Kolegj Zgjedhor nuk do të bënte gjë tjetër veçse të vononte procesin e finalizimit të tij.

Ndërkohë mesditën e sotme, Kolegji Zgjedhor morri në shqyrtim kërkesën ankimore të Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Kukësit, ku ajo pretendon se i është marrë padrejtësisht një mandat deputeti.

Bëhet fjalë për një ekspertim të kryer në pamjet filmike gjatë procesit në numërimit të votave në 15 kuti. Si provë më të fortë, LSI paraqiti pamjet filmike të 15 qendrave të votimit në qarkun e Kukësit, ku tregohej mospërputhja e numrit të votave me rezultatin e tabelave përmbledhëse.

Eksperti i LSI-së, Ardian Pollo deklaroi para anëtarëve të Kolegjit se nga pamjet filmime dallohet qartë për kë është votuar pasi 3 sekondat që fleta e votimit qëndron në monitor e vërteton këtë fakt qartë.

Ndërkohë, ai është kundërshtuar nga eksperti i PD-së, Zamir Hoxha i cili tha se në pamje filmime nuk dallohet numri i Qendrës së Votimit, ndaj pretendimi i LSI bie.

LSI pretendon se ka prova që nxjerrin në pah numërimin e gabuar të votave në kutitë e qarkut Kukës, ndërsa asaj i duhet vetëm 15 vota për të marrë një mandat në këtë qark. Nga ana tjetër LSI pretendon se ka 155 vota më shumë në Qarkun e Kukësit. Fillimisht u fol për një ndarje mandatesh dy me dy mes koalicionit të djathtë dhe atij të majtë. KQZ më pas korrigjoi tabelat dhe e ndryshoi rezultatit 3 me 1 në favor të Partisë Demokratike.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.