Qeveria “Rama” përpunon dokumentin e rritjes së pagave për uniformat blu

Postuar në 28 Korrik, 2013 06:56

Pagat sipas kategorive

Inspektori i policisë 57 mijë lekë
Kryeinspektori 63 mijë lekë
Nënkomisari 72 mijë lekë
Komisari 80 mijë lekë
Kryekomisari 88 mijë lekë
Drejtuesi i parë 113 mijë lekë
Zëvendësdrejtori 128 mijë lekë
Drejtori i Përgjithshëm 147 mijë lekë
Ekzekutivi

Programi i 300 ditëshit të parë, gati drafti për reformën në Policinë e Shtetit

Herion Mesi

Programi i 300 ditëve të para të qeverisë “Rama”, i sapopërfunduar nga grupi i punës, i drejtuar nga Ilir Beqja dhe Edmond Haxhinasto përmban si prioritet vendosjen e rendit dhe ristrukturimin e plotë të Policisë së Shtetit. Siç mësohet, nga ana e selisë rozë, po bëhet gati edhe drafti që do të paraqitet në Kuvend për këtë reformë, e cila si bazë të saj ka motivimin e uniformave blu. Një burim në grupin e punës i tha “Shqip” se në këtë kuadër do të jetësohet menjëherë programi i “Rilindjes” për këtë aspekt. Në kuadër të realizimit të zotimit të saj elektoral për vendosje të rendit dhe sigurisë në vend brenda 300 ditëshit të parë të qeverisjes së saj, Partia Socialiste ka nisur nga puna për hartimin e një strategjie kombëtare, jo vetëm për parandalimin e krimit, por edhe tarifat e pagave dhe të shpërblimeve për punonjësit e policisë. Pikërisht për këtë çështje, në Partinë Socialiste prej ditësh po punohet për konkretizimin e kësaj strategjie, e cila, sipas socialistëve, parashikon rritje të pagave sipas gradave dhe karrierës për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, “krejt e kundërta e asaj që deklaron kryeministri në ikje, Sali Berisha, se PS-ja është kundër rritjes së pagave për punonjësit e administratës”- theksuan dje për gazetën “Shqip”, eksponentë të Partisë Socialiste.
Pagat e reja

Për socialistët, kjo rritje e pagave do të mund të bëhet vetëm në janarin e vitit të ardhshëm, menjëherë pas miratimit nga Kuvendi i ri të Buxhetit të Shtetit për vitin 2014. Në strategjinë e tyre, ekspertët e PS-së parashikojnë që rroga për inspektorin e policisë do të jetë 57 mijë lekë; për kryeinspektorin 63.2 mijë lekë; për nënkomisarin paga do të bëhet 72.7 mijë lekë; për komisarin 80 mijë lekë; për kryekomisarin paga do të bëhet 88 mijë lekë. Sa u përket pagave të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, ekspertët që po punojnë për hartimin e kësaj nisme theksojnë se brenda këtij mandati, drejtuesi i parë do të paguhet 113 mijë lekë; zëvendësdrejtori do të ketë një pagë 1.28 mijë lekë; ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të përfitojë një pagë prej 147 mijë lekësh. Prioritet tjetër i qeverisë socialiste sa u përket forcave të policisë do jetë dhe shpërblimi i tyre, prioritete që socialistët shprehen të bindur se do t’i realizojnë brenda 300 ditëshit të parë, me qëllimin e vetëm rikthimin e dinjitetit të punonjësit të policisë. Në strategjinë e tyre, socialistët parashikojnë sigurimin e strehimit për të gjitha familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës. Po kështu, është menduar që të gjitha grave të policëve të vrarë në krye të detyrës t’u sigurohet punësimi. Në këtë strategji, socialistët parashikojnë që si kontribut i të gjithëve, do të jetë dhe pagesa e sigurimit të jetës për çdo uniformë policie, si dhe do të ketë përkujdesje nga shteti për arsimimin e jetimëve që shkaktohen si pasojë e luftës së shtetit me krimin.
Programi i PS-së

Sa i përket programit të saj qeverisës për “Rendin dhe sigurinë”, Partia Socialiste parashikon mundësi për të konkurruar në Policinë e Shtetit në mënyrë transparente për çdo qytetar të këtij vendi, i cili është sot punonjës apo është i larguar dhe provon se ka aftësitë dhe integritetin moral për t’u bërë pjesë e trupës së policisë. Sa i përket karrierës në uniformat blu, socialistët parashikojnë të ngrenë një sistem karriere dhe gradash që i përgjigjet formimit profesional, aftësisë dhe devotshmërisë ndaj ligjit dhe publikut. PS-ja thekson se brenda 300 ditëshit të parë, do të ketë rimarrje në dorë të kontrollit mbi territorin, pra do ketë kthim të policisë në komunitet, aty ku nuk ka hyrë prej vitesh, në zona të thella dhe zona urbane, ku policia lë jashtë mbulimit, kontrollit dhe patrullimit lagje të tëra.

Strehimi

Socialistët parashikojnë sigurimin e strehimit për të gjitha familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës
Vejushat

Nga ekspertët e PS-së është menduar që të gjitha grave të policëve të vrarë në krye të detyrës t’u sigurohet punësimi
Jeta

Socialistët parashikojnë që si kontribut i të gjithëve do të jetë dhe pagesa e sigurimit të jetës për çdo uniformë policie
Jetimët

Do të ketë përkujdesje nga shteti për arsimimin e jetimëve që shkaktohen si pasojë e luftës së shtetit me krimin
Hetimi i krimit

PS: Do të ngrihet byroja kombëtare për hetimin

Në programin e saj për luftën ndaj krimit të organizuar, Partia Socialiste parashikon të ngrejë një byro kombëtare për hetimin e krimit në vend. Sa i përket funksionimit të kësaj byroje, është përcaktuar se ajo do të bëjë të gjithë analizën e informacionit kriminal. Në këtë byro do të funksionojnë të ndara zyra e ekspertëve të antidrogës dhe drejtimi i luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore; do jetë zyra e ekspertizës së armëve, eksplozivëve, si dhe sektori i antiterrorit. Një tjetër sektor i rëndësishëm pjesë e kësaj byroje do të jetë dhe zyra e drejtimit të luftës kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit. Gjithashtu në përbërje të saj do të jenë njësitë speciale të agjentëve në mbulim, policia shkencore, antikrimi kompjuterik, si dhe trupa operacionale e drejtimeve dhe ndërhyrjeve, ose siç njihet ndryshe GOS-i. Një tjetër zyrë e rëndësishme e byrosë kombëtare të hetimit do jetë dhe zyra e mbrojtjes së dëshmitarëve. Kjo byro, sipas socialistëve, do të zhvillojë edhe analiza të raportimeve ditore të policisë së rendit dhe qarkullimit në terren.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.