Mbyllet përfundimisht “Gërdeci”

Përjashtohet nga gjykimi kërkesa për akuzën e vrasjes dhe tri dënime me burgim të përjetshëm. Mospranimi i rekursit, Prokuroria: S‘kemi hapësirë ligjore për më tej.
Procesi gjyqësor ndaj 28 personave të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit ka mbyllur ciklin e tij në Gjyqësorin shqiptar. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për mospranimin e rekursit të Prokurorisë, organi i akuzës deklaroi dje se nuk ka më hapësirë ligjore për të kryer veprime të mëtejshme. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se ende nuk janë njohur me vendimin e Gjykatës së Lartë në letër, ndonëse është konfirmuar mospranimi i rekursit të bërë nga organi i akuzës. Përfaqësuesi i Prokurorisë bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke kundërshtuar vendimin e dhënë në Gjykatën e Apelit ndaj 28 të pandehurve dhe personit juridik “Albademil”, në cilësinë e kompanisë që kryente demontimin e fishekëve në Gërdec.
Thelbi i qëndrimit me të cilin Prokuroria e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë ishte akuza ndaj disa prej të pandehurve kryesorë. Gjykata e Faktit dhe Apeli rrëzuan akuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj të pandehurve kryesorë për “vrasje në rrethana cilësuese”. Pikërisht me kërkesën që kjo akuzë të lihej në fuqi dhe mbi këtë vepër penale të jepeshin dënimet, Prokuroria e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë. Në vendimin e saj të datës 12 shkurt 2013, Gjykata e Apelit vlerësoi se pretendimi i Prokurorisë për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” për katër nga të pandehurit e dosjes nuk qëndronte.
“Gjykata e Apelit Tiranë çmon se humbja tragjike e jetëve objekt akuze, është pasojë, pikërisht e shkeljes të rregullave të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e rendit, sigurisë publike dhe jetës e shëndetit të njerëzve, të mbrojtura në mënyrë të posaçme nga ligji material penal”, u shpreh Gjykata e Apelit. Në kushtet e mospranimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, vendimi i dhënë nga gjyqtarët e Apelit Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri merr formë të prerë dhe bëhet i zbatueshëm në mënyrë përfundimtare.
REAGIMI I PROKURORISË
Burimet jozyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se pas mospranimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, organi i akuzës nuk ka më asnjë hapësirë apo kompetencë veprimi për ta çuar çështjen më tej. “E vetmja shkallë që ka mbetur është Gjykata Kushtetuese, por Prokuroria nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës në fjalë. Kushtetuesja vihet në lëvizje nga qytetarët ose nga subjektet e proceseve penale në ato raste kur ata pretendojnë se ndaj tyre është kryer një shkelje kushtetuese”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, organi i akuzës është në pamundësi ligjore për të vepruar më tej derisa rekursi në Gjykatën e Lartë kishte të bënte me dy elemente.
I pari lidhej me veprën penale të vrasjes me të cilën ngarkoheshin katër nga të pandehurit, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli e Sokol Ngjeçi. Elementi i dytë kishte të bënte me masën e dënimit. Prokuroria, në pretencën e saj në Shkallën e Parë pati kërkuar burgim përjetë për Ylli Pinarin, të njëjtën masë dënimi edhe për Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxollin, si dhe 23 vjet burg për Sokol Ngjeçin.
Gjykata e Faktit Tiranë nuk pranoi asnjë nga këto dënime, duke ndryshuar edhe akuzën dhe duke i dënuar të akuzuarit përkatësisht me: Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli me nga 18 vjet burg dhe Mihal Delijorgji e Sokol Ngjeçi me nga 10 vjet burg. Në Apel akuza mbeti e pandryshuar, “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, kurse dënimet pësuan një tjetër ulje. Në Shkallën e Dytë, Ylli Pinari u dënua me 10 vjet burg, Dritan Minxolli me 12 vjet, Mihal Delijorgji me 6 vjet e 7 muaj dhe dënimi i Sokol Ngjeçit nuk u ndryshua. Rekursi i Prokurorisë kërkonte rikthimin e akuzës për vrasje në rrethana cilësuese në bashkëpunim dhe dënimin e të pandehurve sipas masave të kërkuara në pretencën e akuzës në Gjykatën e Shkallës së Parë. Trazhgim Sokolaj/PANORAMA
Denimet e Apelit ne fuqi
Ylli Pinari 10 vjet heqje lirie
Sokol Ngjeçi 10 vjet heqje lirie
Dritan Minxholli 12 vjet heqje lirie
Mihal Delijorgji 6 vjet 7 muaj heqje lirie
Ardian Mullahi I pafajshëm
Shkëlzen Madani 3 vjet 300 mijë lekë gjobë
Dashnor Çaushi 3 vjet heqje lirie
Armand Tartari 1 vit heqje lirie
Luan Hoxha 5 vjet heqje lirie
Agim Lala I pafajshëm
Hilmi Laçaj 3 vjet heqje lirie (pezullohet)
Ndue Marku 1 vit heqje lirie
Shpëtim Spahiu I pafajshëm
Zija Bahja 3 vjet heqje lirie (pezullohet)
Agim Babameto 1 vit heqje lirie (pezullohet)
Rezart Tërshana 1 vit heqje lirie (pezullohet)
Besnik Dauti 3 vjet heqje lirie (pezullohet)
Fatbardh Kuçi 1 vit heqje lirie
Gëzim Oshafi 3 vjet heqje lirie
Jorgo Mino 3 vjet heqje lirie
Denis Hajdari 1 vit heqje lirie
Fari Toska 3 vjet heqje lirie
Zenun Fero 3 vjet heqje lirie
Hysni Çoçka 3 vjet heqje lirie
Adriatik Mema I pafajshëm
Juliana Margariti E pafajshme
Lavdi Shatro Kalimin e akteve në Prokurori
Fiqiret Mato I pafajshëm
ALBADEMIL shpk 16.7 milionë lekë gjobë
PANORAMA
Add new comment