Pas zgjedhjeve, Nishani ndërron banesë. Nga Kodra e Diellit në vilën qeveritare

Kur e pyetën zonjën Nishani në ditët e para të presidencës, se ku do të jetonte familja, ajo shprehu habinë së përse të gjithë bënin të njëjtën pyetje.
Por në intervistën e saj të parë, Odeta Nishani saktësoi se familja e saj nuk do të braktiste apartamentin deri në rikonstruksionin e plotë të rezidencës qeveritare.
E kështu ndodhi.
Që ditën kur Bujar Nishani u zgjodh President, shtëpia e tij, kati i katërt i një pallatit diku tek Kodra e Diellit, u rrethua nga efektivat e Gardës.
Ushtarët morën nën mbrojtje banesën presidenciale, ku familja Nishani përpiqej të ruante paprekshmërinë, tashmë që ishin në krye të shtetit.
Për muaj të tërë pallati është marrë nën ruajtje, ndërkohë që Zonja e Parë dhe Presidenti ndiqnin itinerarin e tyre ditor nën vëzhgimin e oficerëve të Gardës.
Por në ditët e para të korrikut, familja presidenciale ka braktisur shtëpinë e vjetër.
Tashmë, në pallatin e Kodrës së Diellit nuk ka më një trupë ushtarake që mbikëqyr tërë objektin.
Është vetëm një ushtar që kryen shërbim 24-orë në derën e apartamentit të vjetër të Presidentit.
Ndërkohë që pas zgjedhjeve, thuhet se familja Nishani është zhvendosur në një rezidencë qeveritare në Durrës, në pritje të vilës nr. 4, për të cilën, deri më tani qeveria shqiptare ka akorduar 127.4 milion lekë për rikonstruksionin e saj.
Vila presidenciale
Ish- presidenti Bamir Topi nuk ka pranuar të jetojnë në rezidencën qeveritare, ndërkohë që falë parave të akorduara nga kryeministri Sali Berisha, vila presidenciale nuk do të ketë asgjë të përbashkët me banesën ku presidenti Alfred Moisiu jetoi për 4 vite.
Me një fond prej 127.4 milion lekësh të reja, vila nr. 4 është ndryshuar krejtësisht, ndërkohë ardhja e familjes presidenciale është çështje ditësh.
Gjithçka mban vulën e Odeta Nishanit, ndërkohë që paratë janë derdhur lumë nga buxheti i shtetit.
Zonja e Parë është kujdesur në çdo detaj të transformimit të Vilës nr. 4, e ndërtuar rreth viteve 1960.
Vila ndodhet brenda territorit të Pallatit të Brigadave, në afërsi të Liqenit Artificial dhe ka një sipërfaqe prej rreth 520 metrash katrore.
Në projektin e ri, për të cilën është kujdesur zonja Nishani, vila kthehet nga një stil klasik, në atë modern.
Eshtë hequr çatia, dyert, dritaret, parketi, pothuajse çdo gjë i është nënshtruar rikonstruksionit.
Në katin e parë janë dhomat e ndenjes, studio, dhomë ngrënie dhe një pjesë që i përket shërbimit të Presidentit.
Në katin e dytë janë dhomat e gjumit. Zonja e Parë është shprehur se arredimi i brendshëm i rezidencës është tradicional shqiptar i ndërthurur me modernen.
Pikërisht në këtë vilë, që nuk ka asgjë me të shkruarën e saj, do të jetojë familja presidenciale, që tashmë po veron në rezidencën qeveritare në Durrës.
Tema
Add new comment