Legalizimet, PS: Penalizime për falsifikimet. Bashkia e Tiranës: PS të mos mashtrojë qytetarët

Postuar në 02 Gusht, 2013 15:33

Çështja e legalizimeve është bërë burim akuzash në distancë mes Partisë Socialiste dhe bashkisë së Tiranës.
Në një dalje publike nga selia rozë, Artan Lame ka ripërsëritur premtimin e PS-së për legalizim falas të banesave por ka theksuar se nuk do të legalizojë asnjë ndërtim të paligjshëm në vijën bregdetare.
“Ne nuk do të legalizojmë asgjë të kundërligjshme në vijë bregdetare dhe asgjë të ndërtuar për qëllime fitime kudo qoftë, do të ketë penalizime për ata që masakrojnë bregun dhe ata që kanë bërë legalizime në zonat e mbrojtura mjedisore, arkeologjike, gjatë rrugëve kombëtare dhe nyjet kryesore rrugore, turistike, plazheve etj. Ne po mbledhim informacion për falsifikimet që po bëhen për ndërtime delikate dhe do ti zhbëjmë ato, në Dajt, Butrin, Kalasë së Krujës, Bregdetin Vlorë-Orikum dhe gjithë bregdetin, në zonat historike të Lezhës, Kepit të Rodonit etj. Në shtator kryeministri do të paraqesë në Kuvend një vendim për ndalimin dhe prishjen e të gjitha ndërtesave të paligjshme, një nga betejat e qeverisë së re”, tha Lame.
Sipas tij, kryeministri i ri Rama në shtator do të paraqesë paketën e emergjencës kombëtare për territorin, që do të kthejë pushtetin e qytetarëve mbi të.
Bashkia e Tiranës: PS-ja po e përdor politikisht çështjen e legalizimeve

Pas deklaratës së Lames, ka ardhur reagimi i bashkisë së Tiranës, e cila akuzoi PS se ndërtimet pa leje në kryeqytet po instrumentalizohen politikish. Në një deklaratë për mediat, Bashkia thekson se përdorimi politik i kësaj çështje natyrisht bëhet për të fshehur ndërtimet pa leje që po kryejnë ekspontë politik dhe madje vetë PS-ja.
“Bashkia e Tiranës i bën thirrje PS, që në vend që të harxhojë energji duke e përdorur politikisht ketë çështje, t’u bëjë thirrje eksponentëve të saj t’i binden ligjit dhe të mos ndërtojnë pa leje. Bashkia e Tiranës u bën thirrje eksponentëve të PS të mos i mashtrojnë qytetarët me legalizim të ndërtimeve pa leje, pasi asnjë ndërtim pa leje nuk do të legalizohet”, thuhet në deklaratë.
Më tej Bashkia e Tiranës shpreh dhe njëherë vendosmërinë saj për të prishur çdo ndërtim pa leje, proces i cili vijon çdo ditë pa ndalur.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.