Balla: S’mund të flasë për luftën ndaj krimit partia e Berishës, Kuliçit e Flamur Nokës

Deputeti socialist, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PD-së, Gerti Bogdani, i cili akuzonte ministrin e ri të Brendshëm, Saimir Tahiri, se do të rikthejë frikshëm krimin.
Sipas Ballës, nuk mund të flasë për luftën ndaj krimit një parti e kapur totalisht nga ai.
Balla tha se me këtë deklaratë PD tregon se ka frikë nga vendosja e ligjit dhe rendit.
“Sulmi i sotëm kundër ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, tregon se PD ka frikë nga vendosja e rendit publik dhe nga goditja që shteti ligjor do t’i bëjë krimit. PD dështoi në luftën kundër krimit për shkak të lidhjeve të kryeministrit, të ministrave dhe të deputetëve të saj me elementët kriminalë. Kanë qenë lidhjet kriminale dhe korruptive të Sali Berishës, bodigardit të tij, Agron Kuliçi, Flamur Nokës e të tjerë, ato që kane sabotuar përballjen e Policisë së Shtetit me krimin.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të ketë mbështetjen e Grupit Parlamentar socialist për një goditje asgjësuese të lidhjeve të politikaneve me krimin. PD, nëse ka frikë, të fillojë të distancohet nga krimi brenda saj.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka përgatitjen dhe vullnetin e duhur për ta kryer këtë detyrë me sukses”, ka thënë Balla gjatë një reagimi të tij, pas deklaratës së demokratëve./b.l
Tema
Add new comment