Përgjimi i të dënuarit për vrasje çon në gjyq drejtorin e burgut të Shënkollit

Postuar në 04 Gusht, 2013 04:33

-Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon në Gjykatë dosjen e Valentin Mirit, drejtorit të Burgut të Shënkollit i cili u arrestua pas hetimeve që kreu Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Historia e Mirit, duket se nis me mbajtjen në përgjim të një të dënuari i cili jo vetëm që mbante celular në ambientet e burgut por madje sipas informacioneve të depozituara në dosje edhe komunikonte me drejtuesin kryesor të burgut. Nga përgjimet telefonike del se Kastriot Kola, një i dënuar për veprën penale të vrasjes, kundrejt pagesës prej 250-300 euro kishte mundur të fitonte leje të veçantë dhe si Kola edhe disa të dënuar të tjerë. Mirëpo hetimi është ndaluar pikërisht në rastin e të dënuarit Kola i cili rezulton se në emër të drejtorit Miri ka kryer edhe një transfertë parash nga Italia, vend në të cilën gjendet një shtetase e cila ka komunikuar vazhdimisht me të burgosurin për transferimin e shumës. Nga verifikimet e materialeve bie në sy se i burgosuri Kola në kohën kur kishte përfituar lejen kishte nxjerr edhe një dokument epikrize për të atin e tij, për të shtyrë lejen, që sipas hetimeve, kjo shtyrje është paguar. Ndërsa prokuroria ka zbuluar edhe faktin e një tjetër të dënuari që Miri i ka dhënë leje me rastin e martesës së të bijës. Në dosje sqarohet se dokumentacionin i duhur për një leje të tillë nuk është i plotë. Njëkohësisht policia e Lezhës në momentin që kanë ndërhyrë për të kontrolluar banesën e shtetasit Valentin Miri kanë gjetur një sërë materialesh komprometuese si dhe shumën prej 14 mijë euro- sh, shumë që dyshohet se është mbledhur pikërisht nga lejet e dhëna për të burgosurit. Më poshtë botojmë të plotë kërkesën për gjykim, për personin që drejtoi një prej burgjeve më të mëdha në vend.

Miqësia me të dënuarin për vrasje

Nga hetimet, ka rezultuar gjithashtu se i pandehuri Valentin Miri, komunikon në mënyrë të vazhdueshme me të dënuarin Kastriot Kola (18 vjet për vrasje, përdorues i celularit nr. xxxxxxxxx), i cili kryen ndërhyrje vazhdimisht për të përfituar leje për vehte dhe për të ndërmjetësuar për të burgosurit e tjerë. Konkretisht me datë 30. 01. 2013, i dënuari Kastriot Kola, në përmjet shtetases A.R me qëndrim në Itali, i ka dërguar me shërbimin Western Union, shumën prej 250 euro, në llogari të Valentin Mirit. Për këtë transfertë Kastrioti i ka dhënë me sms Valentinit edhe kodin dhjetëshifror (xxxxxxxxxx), me anë të të cilit mund të tërhiqte shumën përkatëse. Nga ana e prokurorisë me procesverbalin e datës 29. 04. 2013, u mor dhe u sekuestrua pranë Unionit Financiar Tiranë, një kopje e mandatit të tërheqjes së parave, dt. 30. 01. 2013. Mbi këtë bazë me datë 05. 02. 2013, nga ana e të pandehurit Valentin Miri, me cilësinë e drejtorit të IEVP Shënkoll-Lezhë, i është dhënë “leje shpërblyese” për shtatë ditë të dënuarit Kastriot Kola, me fillim orën 13:00, të datës 05. 02. 2013. Pas lejes, i dënuari Kastriot Kola, është kthyer ne IEVP Shënkoll-Lezhe, dhe ka pasur komunikime të vazhdueshme në celularë me numra të operatorëve telefonike italiane, ku komunikon kryesisht me një shtetase femër, në lidhje me paratë që ka fituar kjo e fundit në Itali dhe shumat përkatëse që i ka dërguar të dënuarit Kastriot Kola. Ky i fundit po përgatitet të përfitojë një “leje të veçantë” në muajin Prill, pasi kjo shtetase ka planifikuar që të vijë në Shqipëri gjatë kësaj kohe dhe të takohen. Me qëllim përfitimin e “lejes së veçantë”, i dënuari Kastriot Kola pasi ka komunikuar me të pandehurin Valentin Miri, ka ngarkuar të afërmit e tij, të kryejnë veprime konkrete jashtë IEVP–s, për sigurimin e dokumentacionit me qëllim servirjen e rrethanave të rreme në lidhje me gjendjen shëndetësore të familjarëve të familjes Kola. Kastrioti ka ngarkuar shtetasin L.D, që të siguroje tek mjeku një Epikrizë sikur babai i Kastriotit, shtetasi P. Kola, ka kaluar një para-infarkt kardiak. Më pas, me datë 29/03/2013 shtetasi L.D, sipas orientimit që i kishte dhënë Kastrioti, ka hyrë dhe ka takuar të pandehurin Valentin Miri, ku i ka dhënë shumën prej 300 eurosh, që Kastrioti të përfitonte “lejen”. Nga ana e tij, i pandehuri Valentin Miri, pas ka marrë paratë, i ka thënë L.D, që të përgatiste një epikrizë, të cilën ta bënte me argumente të fortë (për sëmundje të rëndë)……”

Dokumenti i epikrizës

Më dt 01.04.2013 L.D., ka marrë epikrizën, por në të nuk ishte përcaktuar se babai i Kastriotit ka qenë i shtruar në spital, por që i kanë bërë vizitë te shtëpia dhe që ka qenë në gjendje të rëndë.... Këtë e ka paraqitur në sekretarinë e IEVP Shënkoll, sipas orientimit që i ka dhënë i pandehuri Valentin Miri, i cili i ka thënë se i duhej të ikte në Tiranë, se i kishte ndodhur një problem. Më pas, nga ana e tij, Kastrioti i ka kërkuar të pandehurit Valentin Miri, që t’ia përfundonte procedurën e dhënies së lejes së veçantë: “….Të uroj shnet Zotni, shiko e ma maro të mërkurën at muhabetin se më neron. Kalosh Bukur….” Pas paraqitjes së dokumentacionit për leje në IEVP Lezhë, nga ana e mjekut të Institucionit është konstatuar se kjo epikrizë nuk i plotëson kushtet për të paraqitur shkak justifikues për “leje të veçantë” dhe si pasojë, nga ana e të pandehurit Valentin Miri nuk ka qenë e mundur pajisja me leje të veçantë e të dënuarit Kastriot Kola, pavarësisht se ai kishte marrë paraprakisht për këtë punë shumën prej 300 Euro. Për këtë arsye i pandehuri Valentin Miri, e ka sqaruar edhe të dënuarin Kastriot Kola. Ai gjithashtu e sqaron edhe për pozitën jo të mirë që ka në punë pasi ka marrë vesh se mund ta shkarkojnë nga puna si Drejtor i IEVP Shënkoll-Lezhe. Në lidhje me paratë e dhëna, Kastriot Kola, i ka thënë të pandehurit Valentin Miri, se nuk ka problem t’i mbante paratë, pasi mund të duhen për të përfituar lejen shpërblyese kur të vije koha.

Përgjimet e Mirit me një tjetër të dënuar

Nga ana e tij, i pandehuri Valentin Miri, kryen komunikime telefonike edhe me të dënuarin E.N., i cili pas daljes me leje vetë, interesohet për të dalë me leje edhe i dënuari tjetër, shok dhome i tij, shtetasi M,M, kundrejt një shume prej 10.000 lekësh (datë 01. 02. 2013). Me datë 03. 02. 2013, i dënuari E.N e informon të pandehurin Valentin Miri, se do të shkonte ta takonte një kushëri i M. M, dhe i kërkon që Valentini, t`i japë leje shpërblyese të dënuarit M.M (shok qelie) për shtatë ditë, pasi do t’i thoshte që t`i dyfishonte ato. Nga ana tjetër Valentini ka rënë dakort. Më pas me vendimin nr. 988/4 prot., dt. 07. 02. 2013, nga ana e të pandehurit Valentin Miri, me cilësinë e Drejtorit te IEVP Shënkoll- Lezhë, është leja shpërblyese të dënuarit M,M, për një afat prej pesë ditësh. (I dënuari M.M, me vendimin nr. 6895/3, datë 22. 11. 2011, është ndëshkuar me masë disiplinore pasi ka thyer lejen shpërblyese që i është akorduar nga Institucioni). Po kështu edhe Vlerësimi i sjelljes dt. 11. 12. 2012, për këtë të dënuar ka qenë “negativ”. Nga hetimet ka rezultuar së i pandehuri Valentin Miri, me cilësinë e drejtorit të I.E.V.P.Shënkoll-Lezhë, komunikon në mënyrë të vazhdueshme me të dënuar, si A.L, etj, në lidhje me transferimin nga njeri burg në tjetrin apo nga një godinë në tjetrën.

Masa e arrestit dhe provat materiale

Nga ana e Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 462, dt. 12. 04. 2013, është caktuar masa e sigurimit personal “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 I K. Penal, në ngarkim të të pandehurit Valentin Miri. Po me këtë ditë, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, është ekzekutuar vendimi i mësipërm i gjykatës ku është arrestuar i dyshuari Valentin Miri. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, në Fushe-Kuqe, Kurbin, janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme parash (janë sekuestruar 14.000 euro dhe 1.064.00 lekë, si dhe janë, sekuestruar 650 euro dhe 25.000 lekë), si dhe tre armë luftarake (një automatik model 56, kal. 7.62mm, me nr. 12038045 me një krehër me 28 fishekë, një pistoletë Zastava me nr. 50103 me një krehër me 8 fishekë, 10 copë fishekë kal. 9mm, si dhe një pistolete Berrete nr. xxxxxxx, kal 9 mm, me një krehër 16 fishekë, si dhe 11 fishekë të tjerë). Nga afatet ka rezultuar se armët dhe municionet e gjetura në banesën e shtetasit Valentin Miri, janë të rregullta teknikisht dhe realizojnë qitje normalisht. Nga shkresa dt. 26. 06. 2013, e D.P.Q. Lezhë, rezultoi se i pandehuri Valentin Miri, nuk është i pajisur me leje për mbajtjen e armëve të zjarrit të sekuestruara. Ndërkohë nga ana e D.P. Burgjeve, konfirmohet se shtetasi Valentin Miri, me cilësinë e ish-drejtorit të I.E.V.P. Shënkoll- Lezhë, është pajisur nga ky institucion me armë pistolete Beretta, ndërsa dy armët e tjera nuk janë në inventarin e këtij institucioni. Po kështu me datë 12. 04. 2013, është realizuar kontrolli i ambjenteve të dhomës nr.10, kati 2, godina nr.4 që i përkiste të dënuarit Kastriot Kola, ku u gjetën dhe u sekuestrua aparati telefonik NOKIA, si dhe karta SIM të nr.xxxxx, me anën e së cilës ky i dënuar, kishte komunikuar me te pandehurin Valentin Miri. Po kështu në këtë dhomë u gjetën dhe sekuestruan edhe dy karta SIM, të dy kompanive celulare të ndryshme. Pra, sa më sipër rezulton se shtetasi Valentin Miri me veprimet e kryera, ka konsumuar me dashje direkte elementët e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Prodhimit e Mbajtjes pa leje të armëve luftararake dhe municionit”, të parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 278/2 I K. Penal.

Shkeljet me dhënien e lejeve të të dënuarve

Nga hetimet e zhvilluara, ka rezultuar se në kundërshtim me aktet e mësipërme ligjore, i pandehuri Valentin Miri, me cilësinë e drejtorit të burgut Shënkoll-Lezhe, me vendimin nr. 9021\2, dt. 22. 12. 2012, i ka dhënë leje të veçantë të dënuarit R.R. Konkretisht leja e veçantë për këtë të dënuar është dhënë me arsyen se ai do te martonte të bijën Sh.R. Mirëpo në praktikën e dokumenteve të kësaj lejeje të veçantë mungon akti i “Shpalljes së Martesës”, etj, si dokumente kryesore mbi bazën e të cilës jepet leja e veçantë. Me datë 27. 12. 2012, SH.K.B. Burgjeve, i ka kërkuar I.E.V.P. Shënkoll-Lezhë, praktikën e dokumenteve të lejeve të veçanta të dhëna gjatë periudhës në fjalë, mirëpo nga I.E.V.P. Shënkoll-Lezhë, nuk është vënë në dispozicion praktika e lejes së veçantë të të dënuarit R.R, për shkak se në këtë praktikë dokumentesh mungonin aktet kryesore për dhënien e saj, pavarësisht se leja ishte dhënë që me datë 22. 12. 2012. Me datë 05. 01. 2013, perso- na të paidentifikuar i kanë siguruar të pandehurit Valentin Miri, një dokument “Konfirmim kërkese”, date 20. 12. 2013, ku përshkruhet se në përgjigje të kërkesës së B.S, sqarohet se me datë 23. 12. 2012, do të zhvillohet ceremonia e dasmës midis B.S dhe Sh.R (e bija e të dënuarit R,R). Kërkesa për shpalljen e martesës dhe celebrimit është futur në procedurat ligjore. Po kështu të pandehurit i është sjellë edhe një Vërtetim pa nr. prot, date 17. 12. 2012, i Kryeplakut të fshatit, ky citohet se me datë 23. 12. 2012, do te zhvillohet ceremonia e martesës mes B.S dhe Sh.R. Pas 14 ditësh që ishte dhënë leja, këto dokumente janë administruar në kundërshtim me ligjin, në dosjen e lejes së veçantë për të dënuarin R.R, si dhe këto dokumente nuk janë protokolluar në sekretarinë e IEVP Shënkoll-Lezhë. Për më tepër, kjo leje është dhënë në kundërshtim edhe me nenin 20\b, të “Udhëzimit”, nr. 7087, dt. 10. 09. 2009, te Ministrit të Drejtësisë, “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese apo të veçanta të personave të burgosur”, ku parashikohet se për leje për arsye martese familjari, nga IEVP-t, përpara dhënies së lejes, duhet të administrohet “Kërkesa për shpalljen e martesës, etj, lëshuar nga Bashkia apo Komuna (ndërkohë që ky dokument është lëshuar me datë 08. 01. 2013). Ky dokumentacion mungon në praktikën e dokumenteve të lejes për të dënuarin R.R, pavarësisht se janë futur dokumente të tjerë, pas dhënies së lejes.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.