Rama: Kufiri detar, qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar

Postuar në 07 Gusht, 2013 16:21

Në një intervistë për Top Channel, kryeministri i zgjedhur Edi Rama bëri të njohura detaje të tjera që lidhen me vizitat e tij në Itali, Turqi dhe Greqi.
Zoti Rama thotë se qëllimi kryesor i këtyre vizitave është nisja e një kapitulli të ri për diplomacinë shqiptare, si dhe fuqizimi i marrëdhënieve me këto tre vende të cilat ai i cilëson si partnerë strategjikë.
TCH: Zoti Rama, pavarësisht se s’e keni marrë ende detyrën, kjo s’ju ka penguar të zhvilloni vizita zyrtare si në Stamboll e Athinë. Cili është qëllimi i këtyre vizitave?
Rama: Janë takime njohëse dhe pune, për të vnedosur piketat e bashkëpunimit në funksion të partneritetit strategjik, që shtrihet mes Italisë, Turqisë e Greqisë. E po ashtu me vetëdijen se në marrëdhëniet bilaterale me këto vende Shqipëria në vite nuk ka bërë sa duhet dhe nuk ka punuar si duhet për shqiptarët dhe gjeneratat që vijnë.
TCH: Zoti Rama, keni folur për marrëdhënie të reja me Greqinë, që duhet të ndiqen me Turqinë dhe me Italinë. Cilat janë hapat që do të ndërmerrni?
Rama: Me Greqinë, siç dihet, është një periudhë që duhet të kapërcehet mes dy vendeve dhe ne jemi të përgatitur për ta kapërcyer këtë moment dhe të hapim një kapitull të ri, pasi marrëdhëniet shkuan në vitet e fundit në nivelin më të ulët. Ne jemi të gatshëm të ngremë në nivel të panjohur më parë marrëdhëniet edhe me Turqinë, të cilat do të njohin zhvillim të paparë më parë. Italia është po ashtu një partner strategjik që ka ndihmuar Shqipërinë. Por nga ky partneritet Shqipëria nuk ka arritur, për shkak të paaftësisë të qeverive të mëparshme, të marrë atë që mund të merrte në funksion të zhvillimit social dhe ekonomik.
TCH: Zoti Rama, çfarë ju shtyu të përfshinit Turqinë në këtë partneritet?

Rama: Përfshirja e Turqisë është pjesë e programit tonë për Rilindjen, në kapitullin e politikës së jashtme dhe rezultat i një analize të detajuar mbi këtë faktor kaq të rëndësishëm dhe të lënë jashtë vëmendjes ndër vite.
TCH: Kufiri detar me Greqinë mbetet një çështje problematike. A është prekur kjo çështje gjatë vizitës tuaj në Athinë.

Rama: Është një çështje për të cilën kemi një qëndrim të njohur dhe ne kemi vullnetin ta zgjidhim, ashtu sikurse dhe fqinjët tanë. Jam i bindur se me vullnet të mirë dhe besim reciprok nuk ka gjë që s’zgjidhet.

TCH: Më konkretisht, si do të zgjidhet kjo çështje?
Rama: Ne jemi qeveria e re e Shqipërisë prej një kohe të shkurtër dhe është mirë që çështje të kësaj natyre të mos cënohen nga propagandimi i parakohshëm i ideve.
TCH: Cili është qëllimi i ardhjes së ministrit të Jashtëm grek Venizellos në Tiranë?
Rama: Pasi qeveria e re do të marrë mandatin, Tirana do vizitohet shumë shpejt nga ministrat e Jashtëm të tre vendeve dhe nuk shoh arsye për të spekuluar mbi këto vizita, të mirëpritura nga të treja palët dhe natyrisht edhe nga ne.
TCH: Zoti Rama, pas Italisë, Turqisë dhe Greqisë, cili është destinacioni juaj i ardhshëm?
Rama: Pasi qeveria e re të nisë punën ne do shkojnë në Prishtinë, më pas në Bruksel dhe në Nju Jork. Këtu do të plotësojmë udhëtimin e menjëhershëm të qeverisë së sapokrijuar.
TCH: Zoti Rama, faleminderit për kohën tuaj.
Rama: Faleminderit juve dhe kam bindjen se me një politikë të jashtme të re dhe kurajoze Shqipëria do të ketë në rajon një rol më të fortë, në partneritet me SHBA dhe BE. / Top Channel

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.