Bajrami, Nishani uron besimtarët: Të mposhtim kulturën e urrejtshme të sherrit

Postuar në 07 Gusht, 2013 16:30

TIRANE- Kreu i shtetit, Bujar Nishani ka uruar gjithe besimtaret myslimane me rastin e Bajramit. Me nje mesazh publik, Nishani uron qe ne kete Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve.
“Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale”- uron Nishani.

Mesazhi i plote i Presidentit
Ju uroj nga zemra Gëzuar Bajramin, festën më të madhe dhe më të bukur të myslimanëve, festën Tuaj, festën time, festën e të gjithëve, atë festë gjatë së cilës gëzohen pa dallim, i madh e i vogël, burra e gra, të varfër e të pasur, të gjithë nën shenjën e bashkimit dhe besimit të pafundëm dhe të pakushtëzuar ndaj Zotit.
Gëzuar pra këtë festë të shenjtë, e cila, pas sakrificës sjell shplodhjen, pas hezitimit bindjen, pas dobësisë forcimin, pas vuajtjes Besimin.
Nga një Ramazan në tjetrin Ramazan, pra nga një sakrifikim në tjetrin, nga një Bajram në tjetrin Bajram, pra nga një festë në tjetrën festë, provojmë dhe dëshmojmë efektivisht besimin ndaj Zotit. Dhe Zoti çdo herë na shpërblen. Duke na bërë më të mirë; për veten, për tjetrin, për shoqërinë. Duke na bërë më të fortë fizikisht, më të kthjellët mendërisht, më të gatshëm për sfida të tjera edhe më të vështira, që i ka jeta, i ka ekzistenca.
Jo dëshpërim, jo lëndim, jo brenga.
Vetëm gëzim, lumturi dhe begati, dhe bekimin e Zotit, dashurinë e Zotit, ndihmën e Zotit, paqe, dhe urtësi sjelltë për të gjithë Ju kjo ditë, ky Bajram.
Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobtëve dhe të varfërve.
Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale.
Nga thellësia e zemrës, ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të madhe.
Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur.
Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit Tuaj. Ngushëllohuni bashkërisht. Ndihmohuni bashkërisht. Këshillohuni bashkërisht. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.