Turqia, aleati me 9% investime në Shqipëri, por me rritje progresive të tyre

Postuar në 08 Gusht, 2013 04:09

Përfshirja e Turqisë në rrethin e afërt të partneritetit të Shqipërisë nga qeveria e re socialiste që pritet të marrë pushtetin në shtator nuk është e rastësishme. Renditja e saj në një nivel partneriteti me Italinë dhe Greqinë është bërë jo vetëm për faktin që ky vend është konsideruar prej dekadash mik i shqiptarëve, por për arsye të rëndësishme ekonomike. Turqia është një vend, i cili në ndryshim nga një pjesë e mirë e vendeve të Eurozonës, jo vetëm nuk pësoi recesion ekonomik, por ka arritur të shënojë rritje të konsiderueshme ekonomike. Kjo sigurisht është përkthyer në një rritje të investimeve turke nga viti në vit në Shqipëri, madje dyfishim i tyre në vetëm katër vite. Nëse i referohesh shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, shihet qartë se vetëm gjatë katër viteve 2007-2011, Turqia ka pothuajse dyfishuar investimet në Shqipëri, nga 154 milionë euro që ka pasur në 2007-n në 282 milionë euro në vitin 2011. Por pavarësisht premisave të Turqisë si një fuqie e re ekonomike në rritje, jo vetëm investimet e saj, por dhe importet në Shqipëri mbeten të ulëta krahasuar me fqinjët dhe partnerët tradicionalë të Shqipërisë, si Italia dhe Greqia. Këto vende jo vetëm që kanë nivel më të lartë investimesh dhe importesh në Shqipëri, por në rastin e Italisë ndaj vendit tonë i është kushtuar një vëmendje e madhe dhe kredive. Vendi fqinj ka një portofol kredie prej 230 milionë eurosh për investime me natyrë të ndryshme në Shqipëri.
Investimet

Referuar të dhënave zyrtare në Bankës së Shqipërisë të publikuara deri në vitin 2011, Turqia rezulton të përfaqësojë rreth 9.3 për qind të investimeve në Shqipëri me 282 miliardë euro në vitin 2011. Pavarësisht faktit se kjo shifër nuk është e lartë krahasuar me investimet e vendeve fqinjë si Italia dhe Greqia, ajo që bie në sy është fakti se të ardhurat e investimeve turke janë pothuajse dyfishuar në harkun kohor të katër viteve, duke dhënë shpresë për vijimin e ecjes së tyre me ritme të larta. Turqia është ofruar në Shqipëri me investime që nisin nga bankat, kalojnë tek telekomunikacionet, vijojnë tek investimet në industrinë e rëndë dhe përfundojnë tek shitja me pakicë e hidrokarbureve. Pavarësisht spektrit të gjerë që ato prekin, përsëri janë të ulëta krahasuar me investimet greke në Shqipëri të cilat përbëjnë më shumë se 17 për qind të totalit të investimeve të huaja në vend dhe që pavarësisht krizës financiare në Greqi kanë ruajtur një nivel pothuajse të njëjtë gjatë viteve. Po kështu Italia është një zë i rëndësishëm në investimet shqiptare, me më shumë se 12 për qind në total, me 372 milionë euro vetëm për vitin 2011.
Importet

Turqia zë gjithashtu një pjesë të vogël të sasisë së mallrave të importit në Shqipëri. Ky vend importoi në vitin 2012, 218 milionë euro mallra në Shqipëri, në një kohë kur vendi fqinj, Italia, është lider në këtë sektor, duke zënë rreth 32 për qind të tregut shqiptar të importit. Ajo çfarë vihet re nga statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë lidhet me një ulje të importeve për mallrat greke në vend dhe dominimin e fortë të atyre italiane.

Investimet e huaja në Shqipëri
2007 2008 2009 2010 2011
Turqi 154 190 235 281 282
Itali 220 321 348 372 372
Greqi 521 566 560 620 525
Totali 1,830 2,061 2,261 2,667 3,036
Burimi: Banka e Shqipërisë

Reagimi
Topalli: Rama po lë SHBA-në jashtë aleancës strategjike
Ish-kryetarja e Kuvendit, deputetja demokrate, Jozefina Topalli, akuzoi dje kryeministrin e zgjedhur, Edi Rama se po harronte të përfshinte Shtetet e Bashkuara të Amerikës në trekëndëshin kryesor të aleatëve të Shqipërisë. Topalli nuk harroi të ironizojë Ramën dhe të theksojë se aleancat diplomatike shqiptare po lidheshin me mendësi komuniste. “Të dashur miq! Gjatë kohës së bllokmenëve ishte famoz slogani për ‘trekëndëshin Punë-Mësim-Kalitje’. Sot, rilindësi Edvin foli përsëri për trekëndëshin…(natyrisht, jo në kuptimin gjeometrik, se nga shkencat ekzakte nuk kupton asgjë), por, në nostalgji të kohës së trekëndëshit të parë, foli për trekëndëshin strategjik të Diplomacisë së Rilindjes, ‘Turqi-Itali-Greqi’. Pa asnjë koncept dhe i kompleksuar, si gjithnjë, nga padijet e tij, bëri sikur foli edhe për politikën e jashtme. Renditjen parësore të vendeve të trekëndëshit të tij e ndryshon, pa problem, tri herë në ditë sipas telefonatave të Ditmirit në varësi të vizitës së radhës. Po aleati ynë strategjik SHBA a hyn në trekëndëshin e piktorit?!”, deklaroi Topalli në rrjetet sociale dje pasdite. Ajo theksoi se Rama po i ngjan gjithnjë e më shumë kreut të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.