Asqeri Isufaj: Policia po fsheh vrasjen, djalit i morën edhe unazën

-Në shtëpinë e Sokol Isufajt dera qëndron ende e hapur. Familja vijon të presë ngushëllime, ndërsa dhimbja për humbjen e djalit të vetëm duket se është përzier me indinjata të tjera. Familja qëndron bashkë në apartamentin e tyre, në katin e dytë të një pallati në lagjen “Apollonia”, ndërsa dy vajzat e Sokolit mbajnë gjallë ende shpresën se jetës. Loja e tyre, pavarësisht peshës së madhe të humbjes që mbart familja Isufaj janë shenja e vetme dhe e fortë e gëzimit në atë shtëpi.
“Gazetat abuzuese”
Asqeriu dhe Shpresa prindërit e Sokolit janë tejet të tronditur. Janë të shokuar nga fati i keq që iu ka rënë për pjesë, por edhe të zemëruar së tepërmi me mediat, madje me gazetat, ose me saktë me ato dy gazeta që të tjerët iu kanë dërguar në shtëpi. Janë indinjuar thellë me përfshirjen e emrit të djalit të tyre me personazhe të njohur të botës së krimit, me emrin e një deputeti të vrarë, me hasmëritë e fisit të tyre, me emra të tjerësh që në të vërtetë nuk kanë asnjë lidhje me familjen e vogël të Asqeri Isufajt. “Kam ardhur këtu kur unë isha 14 vjeç. Sokoli ka lindur në Fier dhe unë s`kam patur konflikt kurrë me askënd, jo më të kem hasmëri. Zemërata lidhet vetëm me ç`ka ka mbetur në ato dy gazeta që datojnë 29 korrikun, ndërsa më pas informacionet e medias kanë mbërritur në shtëpinë e dhimbjes për humbjen pa kuptim të djalit të tyre, gjithnjë e më rrallë. Asqeri Isufi nuk pranon dot versionin e dy gazetave se shënjestra e atij sulmi barbar me armë të ishte Sokoli. Në të vërtetë ngjarja u sqarua, përsa i përket mekanizmit, vetëm pas arrestimit të Leo Osmënit. Vetëm atëherë policia dhe prokuroria kanë mundur të hedhin në letër mënyrën se si është zhvilluar ngjarja në ato pak minuta. Leo Osmëni është arrestuar në orën 04.00 të së nesërmes së ngjarjes.“Nuk e di ku janë marrë gjithë këto informacione në lidhje me tim bir. Ai doli nga shtëpia ime në orën një e gjysëm të drekës. Më tha se do të kalonte pasditen me shokun e tij në Vlorë. Djalin tim e njeh gjithë Fieri nëse ka pasur ndonjëherë probleme me ndonjë person. Qenka shoqëruar për Fatmir Xhindin?!”. Babai i rraskapitur nga ajo ngjarje, që thotë: “Më mori dritën e syve”, e ka të vështirë ta ndajë ngjarjen nga ajo ç`ka është natën e masakrës, ku humbën jetën tre persona, që të tre sipas policisë janë viktima aksidentale.
Pas ngjarjes
Lajmi i humbjes së jetës së Sokolit ka tronditur thellë familjen Isufaj. Në të vërtetë në shtëpinë e tyre për ngushëllim, siç tregon vetë Asqeriu ka shkuar vetëm pronari i resortit në të cilin ndodhi edhe masakra. Familja e viktimës është thuajse krejtësisht e painformuar nga asnjë organ kompetent në lidhje me mënyrën se si ka ndodhur vrasja. Ata kanë mësuar vetëm një fakt që iu ka ardhur thuajse fjalë pas fjale se Sokoli si dhe dy viktimat e tjera janë vrarë aksidentalisht, ashtu siç edhe u konstatua më vonë nga grupi i punës që u ngrit për zbardhjen e ngjarjes. Mirëpo, familja Isufaj ka të drejtën legjitime të akuzojë, të akuzojë këdo që ka abuzuar apo neglizhuar me atë ngjarje ku iu humbi jetën djali i vetëm i tyre. Nga biseda me to mësohen detaje të paditura më parë në lidhje me pas ngjarjen. Ndërkohë sipas tyre në vendin ku ishin të pajetë tre pushuesit, policia dhe ambulanca kanë mbërritur rreth një orë më vonesë. Policia është lajmëruar nga një njeri i njohur i nënës së Sokolit, i cili ka ndihmuar në nxjerrjen nga uji të trupit të pajetë të 34-vjeçarit. Askush nuk iu ka ardhur në ndihmë njerëzve që kanë mbetur të vetëm me tre njerëzit e pajetë nga plumbat e kallashnikovit që u lëshuan kuturu nga 22 vjeçari i ikur ende në drejtim të paditur. Më pas trupat e pajetë janë vendosur në morg. Familja e Sokol Isufit ka shumë për të thënë për mënyrën se si është sjellë policia, sidomos me shokun e Sokolit. Paçka se aludimet e policisë dhe të hetimit kanë mbetur nëpër gazeta, këto aludime në lidhje me Sokolin i ka dëgjuar edhe shoku që shoqëroi në ato momente të fundit të jetës djalin fierak. “Shoku i Sokolit është shoqëruar nga policia dhe është mbajtur për orë të tërë nën dhunë dhe presion për të treguar në lidhje me një sërë ngjarjesh. Policia mendoi të mbante shokun e tij brenda ndërsa dy autorët patën kohë të mjaftueshme të bridhnin. Si mund të ikën autori i vrasjes së tre personave nga vendi i ngjarjes me makinë ndërsa ambulanca dhe policia nuk kanë pasur nga të hyjnë për të kryer detyrën?!” shfryn sërish burri, që ka humbur të vetmin djalë që kishte.
Box- Apeli i familjes: Të kapet autori
Në familjen Isufaj nuk është depozituar asnjë material që lidhet me të vërtetën e asaj ngjarjeje të rëndë. Sipas tyre bëhet me dije se edhe çanta me disa sende personale të Sokolit janë sjellë në shtëpi dora-dorës, ndërsa asnjë procesverbal nuk ka shoqëruar materialet dhe as mënyrën se si është vrarë i riu. Edhe pse familja e shokuar nuk është kujtuar të shikojë për sendet personale të djalit të tyre të vdekur, ata kanë mundur të shquajnë një fakt, se në dorën e djalit të tyre të pajetë mungonte unaza e martesës. Ata janë mjaft të indinjuar pasi dyshojnë se unaza edhe mund t’i jetë grabitur. Ndërsa familje së Sokol Isufajt, ende autoritetet nuk i kanë vënë në dispozicion akt ekspertimin mjeko-ligjor të djalit të tyre. Nga i ati mësojmë se djali i tij ka patur edhe plagë ku predha ka kryer hyrje-dalje. Megjithatë ata vijojnë të shpresojnë se një ditë autoritetet përgjegjëse dhe përkatëse do t’i vënë në dispozicion atë material që i takon për të mësuar të vërtet. Gjithashtu familja e Sokol Isufajt bën thirrje organeve ligjzbatuese të vendit të kapin autorin dhe mos të stimulohet nga policia por të vihet në pranga dhe të dala para drejtësisë. Ata besojnë se vetëm vënia në pranga e autorit mund të sqarojë shumë rrethana të cilat kanë mbetur të pasqaruara dhe kanë përshtjelluar emrin e djalit të tyre në gjëra që ai dhe as familja e tij nuk i kanë patur kurrë.
Delin Hajdari, katër ditë i fshehur në Vlorë
Pas arrestimit të 18 vjeçarit Leo Osmëni, arrestim që u krye të nesërmen e ngjarjes në shtëpinë e tij, policia e Vlorës dhe ajo e shtetit kanë humbur gjurmët e 22-vjeçarit që u tha se qëlloi me armë në ajër, ndërsa nga kallashnikovi që mbanin me vete dy djemtë vlonjatë dolën plot 12 gëzhoja. Policia dhe prokuroria, bazuar në ekspertimin mjeko-ligjor dolën në konkluzionin se viktimat janë vrarë më plumba rekoshet, ndërsa fishekët janë përplasur në objekte të tjera, teksa i riu është munduar të qëlloi në ajër. Ndonëse Osmëni u largua nga vendi i ngjarjes me dy motrat dhe kushërirën e tij që ishin, sipas policisë, edhe shkaktarët e sherrit që quan në humbjen e tri jetëve krejtësisht të pafajshme në drejtim të shtëpisë së tyre që gjendet vetëm pak metra larg nga “Plazhi i Vjetër”, Delin Hajdaraj mundi t`i shpëtonte ndjekjes së policisë. Pavarësisht se për “kokën” e tij policia vuri shpërblim të majmë kush jep informacione në lidhje me vendndodhjen e tij, janë të dhëna të ndryshme që vijnë nga Vlora të cilat tregojnë se autori i asaj masakre ka qëndruar për të paktën katër ditë në zonat për rreth. Polici e Shtetit e shpalli emrin e 22-vjeçarit në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Leo Osmëni, i cili u orvat të pranonte vrasjen doli para gjykatës dhe qëndroi nën masën e arrestit me burg. Dy të rinjtë, të cilët janë edhe banorë të së njëjtës lagje mësohet se janë kontingjent i njohur për policinë bregdetare, ndërsa Osmëni kishte thyer edhe masën e sigurisë me arrest shtëpie ditën që u përfshi në atë ngjarje së solli edhe tri viktima. Në konkluzionet paraprake për atë masakër, organet hetimore saktësuan se viktimat e atij sulmi nuk ishin shënjestër e autorit. Më saktë, sipas policisë, autorët nuk kanë dashur të vrasin njeri, por që sot nga ato plumba nuk jetojnë tre persona.
Shekulli
Add new comment