SHBA: Presim reforma nga qeveria e re

Postuar në 11 Gusht, 2013 03:52

Zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker tha se Shtetet Bashkuara mbeten të angazhuara në mbështetjen e aspiratave të vendeve të Ballkanit drejt integrimit ne BE dhe NATO

Gjatë një video-konference nga Nju Jorku, Reeker foli për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, marrëveshjen Prishtinë-Beograd dhe zgjedhjet lokale në Kosovë. Philip Reeker përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve të suksesshme në Shqipëri si dhe reagimin e udhëheqësve politikë.

“Dua të theksoj se zgjedhjet e qershorit përbëjnë një arritje të rëndësishme në evolucionin demokratik të Shqipërisë, si dhe një provë të rëndësishme, ndërsa Shqipëria i afrohet statusit të kandidatit në BE. Kolegët e mi evropianë e kishin bërë të qartë se të gjithë do t’i ndiqnin nga afër këto zgjedhje. Mendoj se Shqiperia u bashkua me disa vende të tjera të rajonit, që gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar zgjedhje të sukseshme në përputhje me standartet. Dua të theksoj gjithashtu se puna e vështirë për ndërtimin e demokracisë nuk përfundon me numërimin e votave dhe shpalljen e fituesve. Ne jemi të kënaqur që përpjekjet për formimin e qeverisë së re duket se po vazhdojnë normalisht. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin dhe të inkurajojnë qeverinë e re që të veprojë në bazë të mandatit të fuqishëm, që ajo siguroi nga votuesit dhe të përqëndrohet në procesin e kandidatit në BE”, deklaroi Reeker.

Procesi i anëtarësimit në BE, tha ai, u bllokua në Shqipëri për shkak të retorikave të forta politike. Qeveria e re, tha Reeker, duhet të përqëndrohet në reforma të rëndësishme, të nevojshme për të arritur këtë objektiv, si dhe në forcimin e shtetit juridik, në nxitjen e transparencës dhe të përgjegjësisë.

Ai përsëriti qëndrimin amerikan mbi nevojën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, që qeveritë duhet të përqëndrohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zyrtari amerikan tha gjithashtu se Ballkani po shkëputet nga e kaluara dhe përmendi angazhimin e madh mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveritë e të dy vendeve, sipas tij, dolen në përfundimin se status quo-ja nuk po i ndihmonte ata dhe popujt e tyre që të ecnin përpara, duke zbatuar marrëveshjen e 19 prillit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Tani po shikojmë përfitime lidhur me integrimet evropiane”.

Philip Reeker i cilësoi si shumë të rëndësishme zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë. Këto zgjedhje, tha ai, përbëjnë një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të zgjedhin përfaqësuesit e institucioneve që do të përmirësojnë jetën e tyre.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se integrimet Euro-Atlantike në Ballkan janë një element shumë i rëndësishëm për arritjen e një Evropë të bashkuar, të lirë, në paqe dhe gjithnjë e më të begatë. Ky objektiv mbetet gurëthemel i politikës së jashtme amerikane në Evropë”, theksoi zoti Reeker.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.