AP: Romët po kërcënohen me jetë në sy të policisë. Braçe: Berisha nuk e ndal dot Delijorgjin

Avokati i Popullit i ka dërguar një letër komisariatit numër 2, në lidhje me çështjen e romëve që po kërcënohen për t’u larguar nga vendbanimet e tyre, pasi aty do ndërtohen pallate.
Në letrën e AP thuhet se romët janë kërcënuar me jetë, ndërsa policia ka bërë sehir.
AP i kërkon Policisë së Shtetit të veprojë për rastin konkret.
“Nga ana e pjesëtarëve të komunitetit rom është pohuar para ekspertëve të Avokatit të Popullit se janë kërcënuar vazhdimisht gjatë këtyre ditëve me jetën dhe shëndetin e tyre, duke shkaktuar edhe gjendje ankthi dhe pasigurie për këto qytetarë dhe familjet e tyre. Në këto kushte, ato kanë deklaruar se kanë bërë edhe denoncimet përkatëse pranë Komisariatit të Policisë nr. 2 Tiranë. Po ashtu, përfaqësues të subjektit ndërtues i kanë pohuar ekspertëve të institucionit të Avokatit të Popullit, gjatë një inspektimi në sheshin e ndërtimit me datë 31.07.2013, se kishin vënë në dijeni Policinë e Shtetit për t’i mbështetur gjatë veprimeve të tyre për lirimin e truallit, e në mungesë të forcave të Policisë së Shtetit, do të kërkonin mbështetje nga një kompani private policie apo ruajtje të sigurisë fizike, pa pasur nevojë për një vendim gjykate apo Urdhër ekzekutimi të lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Sa më sipër, institucioni i Avokatit të Popullit ka ndërmarrë një proces hetimi të këtij problemi mjaft shqetësues për komunitetin e romëve, që jetojnë në kushte shumë të vështira familjare dhe ekonomike, por që tashmë ndihen jo vetëm të kërcënuar nga veprimet konkrete dhe dhuna verbale e përfaqësuesve të subjektit ndërtues, por edhe të diskriminuar nga mungesa e veprimeve konkrete nga ana e organeve të Policisë së Shtetit për hetimin dhe verifikimin e kallëzimeve penale që janë paraqitur nga pjesëtarët e komunitetit rom,” thuhet në letrën e AP.
Ndërkohë, deputeti socialist, Erion Braçe, duke komentuar faktin se pas këtyre ndërtimeve fshihet Mihal Delijorgji, thotë se Sali Berisha nuk po e ndal dot atë.
“Të paktën tre herë publikisht ka ndodhur kështu. Këtë herë ngjarja po ndodh brenda unazës së kryeqytetit. Bashkimi Evropian, OSBE, Amnesty International, në mënyrë të përsëritur, disa herë brenda javësh kanë reaguar ashpër! I kërkuan qeverisë, i kërkuan Bashkisë, i kërkuan policisë të reagojë, të mbrojë dhe japë zgjidhje për romët. Por, nuk ndodhi gjë. Ky është normalitet në këtë vend. E dini çfarë nuk është normale? Që asnjë politikan, asnjë deputet, asnjë këshilltar vendor nuk reagoi. Madje, madje nuk artikuloi asnjë fjalë për këtë çështje asnjë. Unë nuk e besoj përrallën se nuk kanë ndjeshmëri ndaj të drejtave të romëve e halleve të tyre. Gjetkë është arsyeja! Sali Berisha nuk mund ta ndalë Mihal Delijorgjin. Nuk ka pushtet ligjor e moral mbi të! Fare!”, shkruan Braçe në FB./ep
Tema
Add new comment